Ndërlidhjet

MICHAEL STEINER: KOSOVA NUK GUXON TË INSTRUMENTALIZOHET PËR ÇËSHTJE TË BRENDSHME TË SERBISË


Ekskluzive/Michael Steiner, shef i UNMIKUT

Kështu ka thënë sot në Prishtinë, në një takim me media, shefi i UNMIK-ut Michael Steiner duke iu përgjigjur kryeministrit të Serbisë Gjingjiq dhe zëvendësit të tij Çoviq, pas deklaratave për "minishtete serbe" në Kosovë dhe për bartjen e luftës nga Kosova në Luginën e Preshevës. "Kohët e fundit kemi dëgjuar kërkesa të ndryshme dhe deklarime publike të zyrtarëve serbë, për minishtete, për ndarje të Kosovës apo për kthim të ushtrisë jugosllave në Kosovë, mirëpo qëndrimi i Uashingtonit, i Brukselit madje edhe i Moskës është i qartë për rrugën që duhet ndjekur sipas rezolutës 1244" - tha Michael Steiner, duke porositur që në vend të shpërthimeve emocionale të punohet profesionalisht që të mos destabilizohet situata.

Fillimisht zoti Steiner ka hedhur poshtë deklaratat e Gjingjiqit se në Kosovë do të formohen minishtete serbe.

- Kjo ide shkon në kundërshtim me synimin e shprehur të bashkësisë ndërkombëtare dhe të Këshillit të Sigurimit, se Kosova nuk duhet instrumentalizuar për çështje të brendshme - tha zoti Steiner.

Ai ka kundërshtuar edhe paralajmërimet e Këshillit kombëtar serb se nesër do të konstituohet Asambleja e bashkimit të komunave veriore serbe të Kosovës.

- Qëndrimi ynë është i pastër si kristali dhe ne kemi thënë që çdogjë që është në bazë të parimeve një-etnike është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe me kornizën kushtetuese, prandaj nuk ka vlerë ligjore - tha zoti Steiner.

Ai mëtutje ka theksuar se partnerët e UNMIK-ut janë njerëzit që kanë fituar votat në zgjedhje dhe jo të vetëquajturit apo të vetëzgjedhurit. Zoti Steiner sot ka hedhur poshtë si të pabaza edhe deklaratat e djeshme të zëvendëskryeministrit serb Nebojsha Çoviç, i cili pas incidentit në Luginën e Preshevës, ka thënë se tre të dyshuarit për këtë incident ndodhen në Kosovë dhe se Kosova po bart dhunën në Luginë.

- Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë dhe dje nuk jemi informuar siç duhet të ishim informuar edhe pse ka patur kontakt ndërmjet policisë së UNMIK-ut dhe policisë serbe. Por megjithëkëtë Çoviç ka dalë në publik me tre emra -tha Steiner.

Ai tha se policia e UNMIK-ut ka insistuar për më shumë informacione, por të tilla nuk janë dhënë.

- Pas insistimit tonë policia serbe në asnjë mënyrë nuk ka mundur të vërtetojë ato që Çoviq i ka thënë publikisht - tha zoti Steiner.

Ai mëtutje theksoi se "megjithatë janë përforcuar masat gjatë vijës kufitare dhe janë të gatshëm për të vepruar në rast të ndonjë informacioni të qëndrueshëm, që ende asnjëherë nuk është ofruar nga pala serbe".

I pyetur nëse UNMIK-u do të arrestonte shqiptarët e përmendur nga Çoviqi, në rast se autoritetet e Beogradit e kërkojnë një gjë të tillë, zoti Steiner u përgjigj:

- Ne mund të vepromë vetëm në bazë të ligjit, që do të thotë se ne na duhen dëshmi, sepse nuk mund të veprojmë në bazë të thashethemeve - tha Steiner.

Në këtë kuadër ai tha se "ne në Kosovë jemi të vendosur të veprojmë në bazë të ligjit dhe kjo dëshmon edhe në rastin e çështjes së të dyshuarve nga Tribunali i Hagës. Kjo nuk ka të bëjë me rastin e djeshëm, por rasti i Tribunalit tregon se këtu bëhen punët si duhet dhe se gatishmëria që është dëshmuar në Kosovë për mbështetjen e ligjit, edhe në bashkëpunim me Tribunalin, nuk mund të shihet në vende të tjera të rajonit" - tha shefi i UNMIK-ut Michael Steiner.
XS
SM
MD
LG