Ndërlidhjet

Y. HYSA:"OFENSIVA E GJINXHIQIT KA MOTIVE TË BRENDSHME"


Ylber HYSA, analist


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa si i shpjegoni deklarimet e fundit dhe të shpeshtuara të zyrtarëve të Beogradit për statusin e Kosovës?

YLBER HYSA
Po unë konsideroj se kjo është pjesë e një ofenzive politike të zotit Gjinxhiç, e cila para së gjithash udhëhiqet nga motive të brendshme, të një rivaliteti tashmë të theksuar politik në skenën serbe dhe ajo ka të bëjë me dy margjina kohore: e para është adaptimi i kushtetutës së re serbe dhe e dyta ka të bëjë me zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2004 dhe brenda kësaj hapësire zoti Gjinxhiç dëshiron të krijojë një epërsi përmes një imazhi pronacionalist, që do të duhej që atij t'i siguronte vota të mjaftueshme në mënyrë që të fitojë në këto zgjedhje ndaj rivalëve të tij. Është edhe një aspekt tjetër kohor dhe pikërisht përgatitja për sulmin në Irak, që zotit Gjinxhiç i jep mundësi të manipulojë në aspektin diplomatik duke bërë presione që çështja e Kosovës të adresohet tani, pasi kjo atij do t'i siguronte imazhin e një nacionalisti të suksesshëm në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkombëtarët, madje edhe vetë kryeadministratori Michael Steiner kanë thënë se deklaratat e fundit të Beogradit synojnë vetëm përfitime në garën e brendshme politike në Serbi. Por, a mund të lerë e gjithë kjo pasoja afatgjata në strategjinë politike të serbëve të Kosovës?

YLBER HYSA
Gjithsesi me faktin që serbët e Kosovës kanë pranuar që të udhëhiqen dhe të përfaqësohen nga Beogradi zyrtar, ata i kanë hequr vetes të drejtën që të jenë një subjekt dhe partner në dialogimin me shqiptarët dhe qytetarët e tjerë në Kosovë. Në këtë aspekt ata kanë bërë një manovër, e cila nuk do t'u ndihmojë shumë dhe gjithmonë e më shumë do të jenë një instrument në duart e politikës beogradase.

RADIO EVROPA E LIRË
Po sa ka të bëjë me realitetin propozimi i kryeministrit serb për krijimin e një minishtet të serbëve në veri të Kosovës?

YLBER HYSA
Po ideja e fundit e zotit Gjinxhiç nuk është shumë e re. Zoti Gjinxhiç ka kohë që është duke u kërcënuar me konceptin e Republika Srpskës, herë duke thënë se duhet të shkëmbehen territoret me Kosovën, herë duke thënë se do ta instalojë Republika Srpskën në Kosovë. Në këtë aspekt bosnjifikimi është një letër në duart e Gjinxhiçit, e cila duhet të friksojë ndërkombëtarët për t'a adresuar problemin sa më shpejt, ndërsa duket që këtë karrem tashmë e kanë ngrënë serbët kosovarë, të cilët janë duke u përpjekur që të instalojnë një entitet brenda një asimetrie siç e quajnë ata në Kosovë. Kam përshtypjen se një lojë e tillë është shumë e rrezikshme dhe mund të krijojë një precedent negativ, i cili pastaj me një efekt domino do të kapte territore të ndryshme multi etnike në ish-territorin e Jugosllavisë dhe do të krijonte një zonë të madhe jostabiliteti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, sa ka të bëjë ndërhyrja e Beogradit në tendosjen apo relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike në vetë Kosovën?

YLBER HYSA
Unë konsideroj se tashmë nuk është një gjë e re që serbët kosovarë për më shumë se një gjeneratë kanë qenë viktimë e manipulimit politik nga Beogradi. Si pasojë ata ende nuk kanë arritur të kthjellohen nga një qëndrim paternalist beogradas dhe e gjithë ajo që ka ndodhur pas vitit '99 kur serbët në një mënyrë janë shndërruar në një viktimë pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë ndaj shqiptarëve, u ka ndihmuar edhe më shumë që të shkojnë nga një tutelë që është vendosur nga Beogradi. Unë kam përshtypjen që herët a vonë ata do të kthjellohen, mirëpo kjo nuk do t'u sigurojë atyre asnjë poenë pozitive, pasi të jesh i manipuluar në asnjë aspekt nuk siguron privilegje.
Intervistoi: Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG