Ndërlidhjet

R. HARADINAJ:"ÇËSHTJA E STATUSIT FINAL TË KOSOVËS NUK MUND TË NEGOCIOHET ME ASKË"


Ramush HARADINAJ, kryetar i AAK-së


RADIO EVROPA E LIRË
Komandanti i KFOR-it ka thënë edhe dhjetra emra të tjerë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, mund të arrestohen në Kosovë me kërkesën e Tribunalit të Hagës. Sipas vlerësimeve tuaja si do të përballohet Kosova me Tribunalin dhe si e vlerësoni juve këtë sfidë që e pret kushtimisht tërë Kosovën?

RAMUSH HARADINAJ
Populli i Kosovës ka dhënë provat e një gadishmërie për ndërtim të një rendi demokratik, të një rendi civilizues, dhe sidomos për sundimin e ligjit në Kosovë. Këto janë të hershme, afatgjata dhe si të tilla i kemi realizuar edhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Populli i Kosovës dallon prej shumë popujve të tjerë në këtë rast, edhe në rajon, por edhe prej shumë popujve të tjerë që kanë patur një fat më të mirë se ne. Ne asnjëherë deri më tani nuk kemi qenë të lirë që të kemi shtetin tonë dhe që deri diku të ekspozojmë edhe vlerat e qëndrimet tona të mirëfillta. Ne do t'i përballojmë të gjitha sfidat që mund të hasim në rrugën tonë, por jam i bindur se askush, me cilindo instrument, nuk ka për të mundur të ndalë popullin e Kosovës për të realizuar synimin që ka për krijimin e shtetit të vet të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithashtu ditëve të fundit Bashkimi Evropian ka përsëritur kërkesën e zotit Shtajner që për disa çështje praktike të fillohet dialogu me Beogradin. Sipas mendimit tuaj sa janë institucionet e Kosovës të gatshme për të filluar këtë dialog siç thuhet për këto çështje praktike?

RAMUSH HARADINAJ
Kosova, dhe institucionet e Kosovës sidomos kanë dëshmuar një gadishmëri për bashkëpunim të mirë miqësor me të gjitha vendet. Natyrisht që të arriturat më të mëdha i kemi me Shqipërinë. Ky bashkëpunim shtrihet në të gjitha fushat, por po ashtu kemi dërguar sinjale, mesazhe të qarta për bashkëpunim edhe me vende të tjera, edhe me fqinjë që janë pak më të largët si Kroacia, Sllovenia etj, por edhe me fqinj më të afërt, në këtë rast me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Ne në rradhë të parë, ajo që ndoshta është edhe vullneti jonë është që ne do të veprojmë në bazë të bindjes sonë. Kur ne e ndiejmë të nevojshme të bisedojmë me fqinjët, të bisedojmë me të tjerët do ta realizojmë këtë, por ashtu është e padurueshme që në vazhdimësi të na bëhet presion për çështje të caktuara. Mendoj se edhe si njerëz, edhe si qytetarë edhe si popull ne kemi të drejtë që të përfillemi nga të tjerët. Në rast të një mospërfilljeje dhe të një qasjeje të tillë me siguri që do të lindin edhe keqkuptime të ndërsjella dhe reagime jo të dobishme për zhvillimet edhe në Kosovë por edhe në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe së fundi zoti Haradinaj, çështja e statusit të Kosovës nuk është përmendur që hyn në këto bisedime siç quhet për çështje praktike. Sipas pikëpamjeve tuaja kur mund të hapet kjo çështje dhe cilat janë parashikimet tuaja?

RAMUSH HARADINAJ
Kisha kërkuar nga mediat, nga të gjithë që një gjë ta kenë të qartë, që të respektojnë këtë për hir të një pune të madhe të bërë dhe për hir të një synimi që është i shenjtë për ne në Kosovë. Asnjëherë populli i Kosovës nuk ka dëshmuar gadishmëri që çështjen e statusit final ta negociojë me dikë. Nuk ka kush që të na obligojë të negociojmë për të ardhmen tonë. Ky është vullneti ynë, është synimi jonë, është e drejta jonë. Ne do të negociojmë për gjithshka të ndërsjelltë pra për bashkëpunim fqinjësor, edhe me të gjithë, jo vetëm me Serbinë dhe Beogradin që është dhe interesi ynë, por sa i përket çështjes së statusit final, çështjes së të ardhmes tonë ne nuk mund të negociojmë sepse kjo nuk është e negociushme, e ardhmja jonë. Edhe ne jemi njerëz, jemi popull, kemi të drejtë që të jemi të lirë, të kemi shtetin tonë dhe nuk do ta negociojmë këtë me askënd. Prandaj e konsideroj si të dobishme që nuk kërkohet të negociohet statusi final me askënd. Pra kjo është çështje e drejtë e popullit të Kosovës që të vendosë se si e mendon të ardhmen e vet. Edhe unë jam shumë i gëzuar që shumë qarqe ndërkombëtare, qeveri, misione, e kanë këtë të qartë dhe shprehin gadishmëri, shprehin një mirëkuptim. Nuk them se mbështesin, që e përkrahin sot si të definuar të tillë, por e kuptojnë që është krejt normale që edhe ne si popull, sikurse çdo popull tjetër të mund të përcaktohemi për të ardhmen tonë, pra për statusin politik të Kosovës.
Intervistoi: Zijadin GASHI
XS
SM
MD
LG