Ndërlidhjet

M. SHLEZINGER:"VRASJA E GJINGJIQIT MUND TË SHKAKTOJ KAOS NË SERBI"


Martin SHLEZINGER, analist në Institutin "Vudro Uilson" (Uashington)



"Mendoj se vrasja e Gjingjiqit është tragjedi për Serbinë, diç që më së paku i është dashur. Ky është një element shtesë për destabilizimin e këtij vendi, që edhe deri më tash nuk ishte mjaft stabil. Serbia tash ka mbetur pa udhëheqje politike", thotë drejtori i studimeve evro – lindore pranë Institutit "Vudro Uilson" në Uashington, Martin Shlezinger, për të shtuar:
"Nëntoka dhe kriminalitetit i organizuar, duket se kanë më shumë forcë dhe pushtet se organet legjitime shtetërore të Serbisë. Kjo e dhënë dhe fakti që në Serbi tash ka vakum pushteti dhe mungesë lidershipi, kërcënon që këtë vend ta hedh në kaos", thotë Martin Shlezinger për të vënë në pah se nëse Serbia destabilizohet në përmasa të rrezikshme, kjo do të ketë reperkusione edhe për rajonin:
"Destabilizimi i madh i Serbisë do të ngadalsoj zgjidhjen e statusit të Kosovës, do të ndal bashkëpunimin e Beogradit me Tribunalin e Hagës, me Shtetet e Bashkuara dhe Unionin Evropian", thotë analisti nga Instituti Vudro Uilson, Martin Shlezinger.
Në pyetjen nëse ka gjasa që Serbia sërish të ballafaqohet me autoritarizmin e llojit të Millosheviqit, Shlezinger thotë se ndonëse një gjë e tillë është e mundur, ky është një skenar më pak i mundshëm:
"Forcat që do të dëshironin këthimin e logjikës autoritare në Serbi nuk kanë mbështetje të popullit. Këtë e kanë dëshmuar rezulltatet e zgjedhjeve të fundit. Koshtunica nuk kishte shumicën, por megjithate pati më shumë vota se Shesheli. Sa i përket Sheshelit është rrethanë e volitshme që ai vullnetarisht i është dorëzuar Tribunalit të Hagës, sepse kështu nuk është në pozicion të përfitoj nga situata e rrezikshme e krijuar pas atentatit kundër Gjingjiqit", thotë Martin Shlezinger.
I pyetur të thotë nëse elementet radikiale do të provojnë të shkaktojnë destabilitet në rajon analisti Shlezinger pohon:
"Nuk mendoj se ka mundësi të destabilizimit më të gjërë në rajon. Bashkësia ndërkombëtare është e pranishme në Kosovë dhe Bosnjë, ndërsa Unioni Evropian në Maqedoni. Ajo që mund të ndodh është keqësimi dramatik i situatës në Serbi dhe madje atje mund të ndodh një gjakderdhje", konkludon Martin Shlezinger nga Instituti "Vudro Uilson" në Uashington.

XS
SM
MD
LG