Ndërlidhjet

B. ZENELI:(S)KA KRIZË TË BASHKËQEVERISJES NË KOSOVË


Bernard ZENELI, ligjerues në FSHP të Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Cila ka qenë karakteristika e marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe pse tash ka krizë në këtë plan?

BERNARD ZENELI
Unë do ta quaj një marrëveshje xhentëllmenësh. Nuk është se këta njerëz e kanë ditur se çfarë valleje po i hyjnë dhe kanë qenë fillimisht vetëm nominalë nuk kanë patur pushtet. Në momentin që ne tani shikojmë ndarje të pushtetit, vihet re që ka filluar edhe kjo krizë sepse fillon kontrolli për pushtet. Në fund të fundit po fillon politika edhe në Kosovë dhe kjo është shenjë e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Brenda kuvendit të Kosovës këto ditë ka patur mospajtime rreth mënyrës së punës së këtij kuvendi. Si i vlerësoni ju zhvillimet e fundit në Kuvend?

BERNARD ZENELI
Unë do t'i quaja të mira në konceptin që të paktën më së fundi ka zhvillime. Kur gjërat janë të qeta unë aty e kam frikën. Kur gjërat fillojnë dhe ndeshen, ka rrëmujë, ka përplasje, unë e quaj si fillim të demokracisë dhe madje fillimi të mirë. Pra jemi në një fazë ku unë do të thoja se partitë shqiptare po rriten. Kemi parasysh që në njërin krah kemi një parti e cila ka eksperiencë shumë të madhe dhe në krahun tjetër kemi dy parti të cilat janë me më pak eksperiencë. Ndoshta këtë përplasje unë do ta shikoja si shenjë të rritjes qoftë të këtyre dy partive që janë më të reja, qoftë edhe partisë që është më e vjetër dhe po hyn në procese që më parë nuk i ka kaluar.
Ajo çfarë mund të jetë problematike është se deri tani në Kosovë ne nuk kemi parë këtë lloj që do ta quaja opozitë mes dy krahëve të ndryshëm të forcave politike shqiptare. Për mua është një zhvillim shumë i mirë sepse në fund të fundit po vërtetohen ose po dalin dy krahë të ndryshëm të politikës shqiptare. Deri më tani opozita që është bërë në Kosovë ka qenë kundrejt palës serbe dhe UNMIK-ut. Ky zhvillim një zhvillim i ri dhe është i mirë pasi njerëzit sa vijnë e po identifikohen më tepër brenda partive.

RADIO EVROPA E LIRË
Përkundër kësaj përplasjeje siç e quani ju zoti Zeneli, zyrtarët të qeverisë dhe përfaqësues të partive politike kanë deklaruar se mosmarrëveshjet nuk paraqesin një krizë qeveritare. Cili është mendimi juaj për këtë?

BERNARD ZENELI
Në pamje të parë mund të japë përshtypjen e një krize, madje një krize të thellë sepse me këto lëvizje që po ndodhin në nivelin mbi qeverinë, pra në nivelin e UNMIK-ut në kalimin e kompetencave gjithnjë e në mënyrë më të shpejtë drejt palëve lokale, pra drejt ministrave në këtë rast, rritet pushteti. Në momentin që ka një rritje të pushtetit domethënë dhe këtë e marrin në dorë njerëz që mund të mos jenë mësuar me këtë pushtet, mund të ketë një lloj parehatie, një problematikë dhe mund të ndodhë që një ministri të marë më shumë pushtet se një ministri tjetër, pra mund të ketë një lloj konkurrence mes ministrave që përfaqësojnë parti të ndryshme. Në këtë aspekt kjo mund të jetë një krizë. Sepse nëqoftëse në momentin që u bë marrëveshja këta të gjithë ishin njëlloj, pra nuk kishin asnjëlloj pushteti, tani UNMIK-u po bën një lojë të atillë që një partie apo ministrie po i jep më shumë pushtet se një ministrie tjetër, duke i lënë disa në krahun e nënës, disa në krahun e njerkës. Kjo sjell një lloj krize brenda qeverisë që disa mund të ndihen më me tepër pushtet, disa me më pak pushtet. Dhe pastaj kjo kalon në nivelin e partive. A do të ketë kjo një lloj transferimi në nivelin popullor? Ndoshta jo. Nëqoftë se këto parti do arrijnë të rishkruajnë rregullat e lojës, shpresoj që mund të kemi prap një qeveri dhe domethënë të jetë kjo qeveri egzistuese dhe të rritet roli i saj në jetën si politike ashtu dhe shoqërore ekonomike të Kosovës.


Intervistoi: Bekim BISLIMI
XS
SM
MD
LG