Ndërlidhjet

logo-print

LUFTA NË IRAK PËRÇAN EVROPIANËT


Augustin Palokaj

Lufta në Irak edhe para se të fillonte kishte ndarë në dysh Bashkimin Evropian. Në njërën anë ishin shtetet të cilat qëndronin krah Amerikës dhe në anën tjetër blloku i udhëhequr nga Franca që ishte kundër intervenimit amerikan. Edhe samiti i BE-së që përfundoi dje në Bruksel nuk arriti të zbusë mospajtimet, madje më shumë se kurrë në historinë 50 vjeçare të BE-së, i nxorri në shesh ato dallime. Takimet e ftohta mes kryeministrit britanik Toni Bler dhe presidentit të Francës Zhak Shirak, ishin dëshmia më e mirë se ku ka arritur uniteti i BE-së. Bashkimi Evropian, i cili dëshiron të thotë se është një klub shtetesh, të cilat janë bashkuar sepse ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike civilizuese dhe politike, ka përjetuar që dy nga shtetet kryesore, Franca dhe Gjermania, sot të jenë krah Kinës dhe Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë. Këto dallime janë aq të qarta saqë as politikanët nuk mundohen më t'i fshehin ato. Por dallimet që kanë dalë në shesh tani lidhur me Irakun do të kenë pasoja të mëdha për BE-në në të ardhmen. Siç dihet Bashkimi Evropian është në fazën e ndërtimit të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, ndërsa kjo politikë para se të lindë si duhet, u dëshmua se për shumë vite nuk do të funksionojë me konstelacionin e tanishëm të forcave, dhe me ndarjen e tërësishme të interesave. Sot kur Britania e Madhe është krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës; kur atë e përkrahin edhe Hollanda, Danimarka, Portugalia dhe Spanja; dhe kur Franca, Gjermaniam, krahas Belgjikës dhe Finlandës, janë krah Rusisë dhe Kinës, nuk ka vend as të flitet për politikën e jashtme të BE-së, e cila do të fliste me një zë të përbashkët. Zyrtarët e Bashkimit Evropian, idealistë siç janë Havier Solana dhe Romano Prodi, të cilët duhet të flasin në emër të të gjitha shteteve, mundohen të balancojnë dhe të bindin opinionin se nga kjo krizë Bashkimi Evropian ende mund të përfitojë. Përfitimi sipas tyre do të ishte nëse pas kësaj shtetet anëtare do të mundohen më shumë të koordinojnë punët dhe të bashkëpunojnë mes tyre, në rast se dëshirojnë që zëri i Bashkimit Evropian të dëgjohet më shumë në arenën ndërkombëtare. Përveç BE-së, viktimë e përçarjeve rreth luftës në Irak ishte dhe NATO-ja, ku janë të njëjtat shtete anëtare, të cilat kundërshtojnë qëndrimin amerikan rreth Irakut dhe të tjerat që e mbështesin. Të gjitha këto mund t'i shpëtojë vetëm përfundimi i shpejtë i luftës dhe marrja e një roli të BE-së në Irakun e pasluftës, sepse së paku për këtë liderët e Bashkimit Evropian arritën të pajtohen në parim në samitin e fundit. Ballkani për momentin duket të jetë e vetmja temë rreth së cilës pajtohen shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, prandaj rajoni i Ballkanit edhe mbetet i vetmi rajon ku evropianët janë të angazhuar në këtë moment. Por ata e pranojnë se as në Ballkan, pra në oborrin e tyre, nuk qenë në gjendje të bëjnë asgjë pa ndërhyrjen amerikane për zgjidhjen e problemeve si në Bosnje ashtu dhe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG