Ndërlidhjet

BAGDAD


Bagdadi është bombarduar prej orëve të mëngjesit, një ditë pasi forcat amerikane thanë se trupat e koalicionit hasën në rezistencë të ashpër nga forcat irakiene.
Gjithashtu njoftohet edhe për bombardime të ashpra të forcave të koalicionit në qytetet Mosul dhe Kirkuk.
Korrespodenti ynë Ron Synovitz, i cili udhëton me trupat e Shteteve të Bashkuara, raporton se forcat amerikane kanë shkrepur zjarr nga mortajat në drejtim të pozitave të forcave irakiene në qytetin jugor As-Samawah përgjatë autostradës Basra-Bagdad.
Dje, ushtria amerikane tha se forcat aleate u përballën me rezistencë në Nasiriyah, Najaff, Basra dhe Um Qasr, pas 160 kilometrave të depërtimit të papenguar në drejtim të Bagdadit.
Televizioni irakien ka shfaqur 5 ushtarë të Shteteve të Bashkuara të zënë rob në afërsi të qytetit An Nasiriyah, si dhe disa kufoma për të cilat pretendohet të jenë të ushtarëve amerikanë.
Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se "më pak se 10" ushtarë amerikanë janë vrarë, kurse 12 tjerë konsiderohen të zhdukur si pasojë e luftimeve në An Nasiriyah.
Në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush ka paralajmëruar se forcat e koalicionit përballen me një betejë të paepur për përmbysjen e liderit të Irakut Saddam Hussein.
Bush gjithashtu i paralajmëroi irakienët se do të dënohen për krime lufte nëse i keqtrajtojnë të burgosurit.
Sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se xhirimet e shfaqura janë propagandë e Irakut, dhe tha se kjo paraqet shklelje të Konventës së Gjenevës për trajtimin e robërve të luftës.
Amnesty International ka kërkuar nga irakienët të mos i keqtrajtojnë amerikanët, dhe u bëri thirrje mediave për respektimin e dinjitetit të robërve të luftës nga të dyja palët në konflikt. Në edicionet informative gjithashtu janë shfaqur edhe trupat e dorëzuara irakiene.
Ndërkohë, zyrtarë të Pentagonit thanë se trupat e Shteteve të Bashkuara kanë pushtuar një fabrikë kimike afër qytetit Najaff, rreth 160 kilometra në jug të Bagdadit. Ata thanë se kanë zënë rob edhe një gjeneral irakien, i cili bashkë me të burgosurit tjerë po japin informacione për armët e kimike.
Në Bagdad, ministri irakien i informatave Mohammed Said al-Sahhaf tha se 77 civilë janë vrarë dhe 503 janë plagosur nga sulmet ajrore të forcave të koalicionit në Irak.
XS
SM
MD
LG