Ndërlidhjet

KFOR: NGA MBROJTJA E POPULLSISË PA DALLIM KOMBËSIE NË NDËRTIMIN E NJË KOSOVE TË LIRË DHE STABËL


Zijadin Gashi

Roli i forcës shumëkombëshe të NATO-s në Kosovë ka ndryshuar shumë që nga faza e parë e misionit që kishte për qëllim që të shpëtojë popullin e Kosovës nga diktatura e Millosheviçit, ka thënë zëdhënësi i kësaj force në Kosovë, Barry Green. Këto komente zoti Green i ka bërë me rastin e katërvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe dhe vendosjes së mëparshme të mbi 40 000 trupave të Aleancës Veri-Atllantike.
Forca shumëkombëshe e quajtur KFOR, nga roli që kishte për ruajtjen e popullatës pa dallim kombësie sot ka kaluar në rolin e krijimit të një Kosove të qetë dhe stabël, ka thënë zëdhënësi Green.
" Tani kemi më tepër rolin e krijimit të një ambjenti më të sigurt për të gjithë, përfshirë këtu edhe stabilitetin e tërë rajonit që do t'i kontribuonte demokratizimit të përgjithshëm", ka thënë Green, duke shtuar se KFOR-i në Kosovë ka gjetur përkrahje të fuqishme si tek qytetarët ashtu dhe tek institucionet e përkohshme vendore. Zëdhënësi i administratës së UNMIK-ut, Simon Hasellok thotë se 4 vjet pas bombardimeve të NATO-s tani në Kosovë ka përparime dhe se situata ndryshon tërësisht me realitetin që ishte në Kosovë para 24 marsit të vitit 1999.
" Mendoj se çdokush që mendon se gjërat kanë mundur të ndërtohen më mirë dhe më shpejt, ai nuk jeton në botën reale", thotë zoti Hasellok, duke shtuar se përparimi më i madh i arritur është pikërisht ndërtimi i institucioneve të Kosovës dhe krijimi i bashkëpunimit të ngushtë të UNMIK-ut me qytetarët e Kosovës në njërën anë, dhe me KFOR-in si prani ushtarake nga ana tjetër. Ndërkohë qeveria e Kosovës e sheh përvjetorin e bombardimeve të NATO-s si një datë historike për Kosovën. Ramadan Avdiu, këshilltar i kryeministrit Bajram Rexhepi, thotë se nga intervenimi i NATO-s, me largimin e forcave serbe, Kosova u fut në rrugën e saj të cilën e ka synuar prej kohësh.
" Kosova u fut në një periudhë të re, në një fazë të re të zhvillimit, të demokratizimit të shoqërisë dhe në rrugën e saj të pakthyeshme, në rrugën e pavarësisë", ka thënë zoti Avdiu, i cili e sheh si të rëndësishëm vazhdimin e misionit të NATO-s në Kosovë, ndërkohë që beson se administrata e UNMIK-ut gradualisht do t'i kalojë kompetencat tek qeveria e Kosovës. Mirëpo në anën tjetër Dragisha Krstoviç, shefi i deputetëve të "Kthimit" në kuvendin e Kosovës, thekson se nuk është i kënaqur me punën e forcës shumëkombëshe të NATO-s në Kosovë.
" Vlerësimi im është negativ kur është në pyetje kontributi i forcave të NATO-s sa i përket kthimit të personave të zhvendosur dhe krijimit të ambjentit të sigurt në Kosovë", ka thënë Dragisha Krstoviç.





XS
SM
MD
LG