Ndërlidhjet

BETEJA PËR BAGDADIN


J. DONOVAN



Gjithnjë e më të mëdha bëhen gjasat që epilogu i luftës në Irak të vendoset në rrugët e Bgadadit.
Lufta urbane gjithnjë ka qenë brenga më e madhe në skenarët e strategëve amerikanë që deri vonë kishin shpresuar se luftën në rrugët e Bagdadit do ta shmangnin pasi që parashihej që forcat irakiene të dorëzoheshin.
Por, ministri irakien i Mbrojtjes, Sultan Hashim Ahmed, ka thënë se lufta rrugëve të Bagadait është pikërisht ajo që regjimi i Sadam Hyseinit e kishte planifikuar. Ai ka shtuar se Iraku mbrojtjen dhe forcat e veta kryesore i ka përqendruar në brendi të Bagdadit, për të shtuar se beteja për kryeqendren do të filloj brenda 5 deri 10 ditësh.
"Nëse ata do të hyjnë në qytet ne do të luftojmë deri në fund dhe Bagdadi do të jetë i pamposhtur", ka thënë ministri irakien i Mbrojtjes.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld thotë se luftës për Bagdadin do t'i paraprijë beteja që do të zhvillohet 65 deri 80 kilometra në afërsi të kryeqendrës së Irakut dhe që do të jetë vendimtare për epilogun e konfliktit:
"Kjo do të kërkojë që forcat e koalicionit të depërtojnë dhe të ballafaqohen me disa njësite të Gardës Republikane, t'i shkatërrojnë ose zënë ato para rënjes së regjimit", thotë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld.
Por, analistët thonë se për fitore përfundimtare forcat e koalicionit duhet të hyjnë brenda vetë Bagdadit dhe ta marrin ate me forcë. Dilema qendrore është si të bëhet kjo dhe a do të jetë e mundur që të shmanget skenari i Stalingradit ose Groznit.
Stiven Benk, analist ushtarak nga Pensilvania, thotë se ushtria amerikane ka mjaft përvojë nga e kaluara dhe se ajo do të të dij të fitoj betejën për Bagdadin pa e shkatërruar ate siç patën bërë rusët në Çeçeni me Groznin:
"Nëse shikoni historinë, ose luftrat urbane në 60 vitet e fundit, ka pasur modele dhe taktika të ndryshme që janë shfrytëzuar. Të gjitha nuk kanë qenë apokaliptike, siç ishte rasti me Groznin e masakruar", thotë analisti Stivën Benk.
Problemi qendror të cilin aktualisht e trajtojnë strategët amerikanë është ballafaqimi në Bagdad me dhjetra mijëra pjestarë të forcave të gardës speciale republikane dhe me forcat paramilitare lojale Sadam Hsyienit, që sipas të gjitha gjasave do të fshihen në mesin e popullatës civile që numron 5 milionë banorë.
Në këtë kontekst analisti britanik Robert Hetkison nga "Xhejns Difens Uikli" thotë se amerikanët do të zgjedhin një taktikë tjetër dhe jo ballafaqimin frontal rrugëve të Bagdadit:
"Ata, përkatësisht forcat amerikano – britanike synojnë të shmangin deri në minimum numrin e viktimave. Në këtë variant ata nuk do të shfrytëzojn tanket dhe artilerinë, por edhe shumë armë të tjera moderne që i disponojnë. Amerikanët dëshirojnë të shmangin me çdo kusht luftën rrugë për rrugë dhe shtëpi për shtëpi", thotë Robert Hetkison.
Sidoçoftë, të gjithë treguesit sinjalizojnë luftë shumë të komplikuar dhe të vështirë për dhe brenda Bagdadit.

XS
SM
MD
LG