Ndërlidhjet

IRAKIANËT PO BËJNË TEATËR TË PËRGJAKSHËM


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EUROPA E LIRË
Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se do të përshpejtojnë planet e dërgimit të rreth 120 000 ushtarëve të tjerë në Irak. Çdo të thotë kjo lëvizje?

PATRIK MOORE
Zyrtarisht kjo është diçka që me sa kam kuptuar ka qenë e planifikuar më parë, por besoj se të gjithë e dimë se çfarë do të thotë kjo, që fitorja e shpejtë që shumë kishin parashikuar nuk ka ndodhur, dhe se Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe partnerëve të tjerë do t'u nevojiten përforcime. Kjo është e qartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Trupat amerikane dhe trupat e gardës republikane irakene, po përgatiten të luftojnë jashtë Bagdadit në atë që zoti Ramsfeld e cilësoi si betejën e parë të luftës. Disa analistë thonë që lufta për kontrollin e Bagdadit mund të shndërrohet në një betejë të përgjakshme.

PATRIK MOORE
Keni të drejtë. Kjo lidhet me pyetjen e parë. Pse nuk është arritur fitorja shpejt dhe pse duhen më shumë ushtarë? Sepse irakenët kanë adoptuar një taktikë tepër të mençur. Ata po përdorin njësitet paramilitare, të cilët janë ndryshe ushtarë civilë ose në unifoma të tjera, që të bëjnë përparimin e forcave britanike dhe amerikane sa më të turpshëm që është e mundur. Kjo, duke përdorur grupe të vogla që krijojnë incidente në të cilat vriten civilë, ose ngadalësimin apo ndalimin e ushtarëve të forcave të koalicionit, sapo ushtarët menduan se rreziku kaloi. Po pse po e bëjnë këtë gjë irakenët? Pse po i kursejnë forcat e tyre kryesore për Bagdad? Ajo që po përpiqen të bëjnë është një teatër i përgjakshëm për të turpëruar forcat e koalizionit dhe duke shpresuar se njëlloj si në luftën e Vietnamit do të ketë presion në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe në kryeqytetet e partnerëve të tjerë për dhënien fund të luftës. Kjo është ajo që po përpiqen të bëjnë. Tani le t'i kthehemi pyetjes suaj për Bagdadin. Duke inskenuar këtë plan sulmesh mbrapa krahu, me njerëz civilë që sulmojnë shtëpi më shtëpi, irakenët me një forcë të kufizuar nuk po përpiqen që të shkaktojnë sa më shumë të vrarë në mesin e forcave të koalicionit, por po përpiqen të krijojnë teatrin më të përgjakur që të arrijnë një fitore politike.

RADIO EUROPA E LIRË
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Franca, Rusia dhe Kina, nuk duan asnjë mandat të Kombeve të Bashkuara për një administratë të paslufte në Irak. Ata besojnë se kjo do të legjitimonte sulmin ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të cilin këto shtete e kanë kundërshtuar ashpër. Cili është komenti juaj për këtë?

PATRIK MOORE
Për t'ju përgjigjur pyetjes suaj, çështja këtu mbi të gjitha është politike, dhe jo ushtarake. Çdo njeri mnud të shikojë se në anën e kujt do të jetë fitorja ushtarake. Do të jetë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre edhe pse disa vende si Franca nuk kanë dashur që t'u urojnë fitore aleatëve. Pyetja është thjesht kur do të arrihet kjo fitore, por s'ka asnjë diskutim që do arrihet.
Le t'i kthehemi pyetjes suaj për çështjen politike të Kombeve të Bashkuara. Nëse ju kujtohet në pranverë, përmes nxitjes së Sekretarit amerikan të Shtetit, Kolin Powell, presidenti Bush siguroi një rezolutë nga Kombet e Bashkuara lidhur me Irakun që u miratua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit. Më vonë, presidenti Bush kërkoi një rezolutë shtesë të Kombeve të Bashkuara, po këtë herë me nxitjen e Toni Blerit, por u përplas me një pengesë të fortë kryesisht nga Franca, Rusia dhe Gjermania. Kjo kokëfortësi e Francës, e cila po refuzon të bëjë kompromis, i çoi Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre që të ndiqnin të tyren pa një mandat të Kombeve të Bashkuara dhe mund të them që filluan veprimet ushtarake në Irak pa një dritë jeshile nga ana e NATO-s, gjë që e kishin në rastin e Kosovës. Pra kjo u bë nga "Koalicioni i Vullnetit" të aleatëve. Ka disa njerëz në Shtetet e Bashkuara që janë të lumtur me faktin se Kombet e Bashkuara janë margjinalizuar dhe shikojmë disa shenja që francezët mund të jenë të gatshëm të këmbëngulin që çdo aprovim i Kombeve të Bashkuara duhet të jetë 100 % i njëjtë me dëshirat franceze. Me fjalë të tjera, është strategjia e bllokimit të amerikanëve. Nëse francezët do të bllokojnë përsëri Shtetet e Bashkuara dhe nëse këto të fundit do të largohen nga Kombet e Bashkuara totalisht, atëhere do të kemi një rrëmujë totale. Nuk them që Organizata e Kombeve të Bashkuara është perfekte, por kemi disa struktura ndërkombëtare të vendosura dhe para se t'i shkatërrojmë ato, qoftë duke i braktisur, qoftë duke i bllokuar, duhet të dimë shumë mirë se me çfarë do t'i zëvendësojmë. Prandaj mendoj se çdo lëvizje për të bllokuar rolin e Kombeve të Bashkuara në administratën e pasluftës në Irak, pavarësisht nëse e legjitimizon luftën e aleatëve apo jo, është shumë i pamatur dhe të gjithë ata që propagandojnë këto lëvizje duhet të mendojnë se cilat do jenë alternativat.
Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG