Ndërlidhjet

Me trup në Kosovë me mendje në Irak


Rrahman Pacarizi

Mijëra ushtarë amerikanë në kampin Bon Steel, që është baza më e madhe ushtarake në Kosovë, thonë se janë të përkushtuar për misionin këtu, edhe pse aktualisht mendjet dhe lutjet e tyre janë me ushtarët amerikanë që po luftojnë kundër rregjimit të Sadam Huseinit në Irak. Megjithatë ata ndihen të sigurt në Kosovë ka thënë komandanti i forcave amerikane Mike Bush.
" Ka patur një shtim të sigurisë së trupave dhe ndihemi të sigurt dhe të aftë të kryejmë misionin tonë në Kosovë", tha kapiteni Bush, duke theksuar se kjo është një ndjenjë e përgjithshme e ushtarëve në kampin Bon Steel. Ushtarët amerikanë janë një pjesë e mirë e personelit të ushtrisë amerikane në Kosovë. Specialistja Ketrin Karuzo thotë se është e kënaqur që është në Kosovë në një mision paqeruajtës, mirëpo mendja jonë është e ndarë në dy vende, tha ajo.
"Është e vështirë të kesh njerëz që i njeh dhe i do duke kryer një mision shumë të rrezikshëm dhe ti nuk je atje për t'i ndihmuar", tha oficerja Karuzo. Ajo ka shumë miq në mesin e ushtarëve amerikanë në Irak dhe shpreh gadishmërinë të shkojë atje nëse një gjë e tillë do të kërkohej prej saj, edhe pse në Kosovë ndihet mirë.
" Në Kosovë kam përjetuar vetëm përvoja të mira. Këtu jam prej 5 muajsh dhe nga të gjithë njerëzit jemi mirëpritur", tha oficerja Ketrin Karuzo.
Ndërkaq piloti i helikopterit "Black Hawk", Robert Messinger, thotë se politika e presidentit Bush është dhe politika e tij.
" Nuk ka ndryshuar asgjë në misionin tim. Unë bëj atë që më thuhet të bëj pasi unë luftoj për vendin tim dhe politika e presidentit Bush është dhe politika ime," tha piloti Robert Messinger, duke shtuar se i përkrah ushtarët e tjerë amerikanë dhe është i gatshëm të shkojë në Irak. Mirëpo thotë komandanti Mike Bush, Amerika është e përkushtuar edhe për Kosovën.
" Ushtarët amerikanë që janë pjesë e KFOR-it, janë të përkushtuar për këtë mision, dhe ne nuk kemi urdhëra të tjera, gjë që do të thotë se Amerika është e përkushtuar në Kosovë", tha komandanti Mike Bush.
Pas reduktimit të forcave paqëruajtëse të KFOR-it, në Kosovë veprojnë rreth 4 000 ushtarë amerikanë që kontrollojnë sektorin lindor.
XS
SM
MD
LG