Ndërlidhjet

B. REXHEPI:"SERBIA SYNON NDARJEN E KOSOVËS"


Bajram REXHEPI, kryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, nënkryetari i Qeverisë Serbe, Nebojsha Çoviç, ka deklaruar se pavarësia e Kosovës do të nënkuptonte një luftë të re në rajon. Si e komentoni ju një qëndrim të këtillë?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se është një deklaratë e frustruar e zotit Covic. Në kohën kur Serbia ballafaqohet me probleme politike, por edhe të kriminalitetit në vetë Serbinë, ai dëshiron që ta zhvendosë vëmendjen diku tjetër dhe kjo është një tendencë e tij që të parapengojë transferin e kompetencave, që është paralajmëruar. Pra, ai dëshiron të bëjë presion shtesë dhe mendoj se është deklaratë e pamatur e një politikani. Mendoj se koha e kërcënimeve që ka bërë Serbia ka kaluar përgjithmonë. Ne jemi nën rezolutën 1244 dhe autoritetet e vetme kompetente për çështjet e sigurisë janë KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut. Mendoj se kjo është më tepër një instrumentalizim i mëtutjeshëm i komunitetit serb në Kosovë, për të penguar çdo zhvillim drejt krijimit të shtetësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Deklaratat e tilla pasojnë themelimin e dy bashkësive të komunave të banuara me serbë, ndërkohë që është paralajmëruar edhe krijimi i komunës se veçantë në veriun e Mitrovicës. Sipas pikëpamjeve tuaja, ku qëndron synimi i fundit i këtyre veprimeve?

BAJRAM REXHEPI
Këto janë të gjitha të koordinuara, asgjë nuk është e rastit. Në pyetje është vetëm afatizimi apo fakti se në çfarë kohe çka ndërmarrin. Qëllimi final konsiston në dy opcione të Serbisë, njëri që ta fusë Kosovën nën jurisdiksionin e Serbisë, sikur që është futur në preambulën kushtetuese, pra kjo do të tentohet, ndonëse është e parealizueshme dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe politikanët serbë në Serbi. Dhe tjetra është që të bëhet ndarja e Kosovës, sikur kanë qenë edhe projektet që i ka propozuar ish kryeministrit Gjingjiq. Pra, ky është qëllimi më real i serbëve që ta ndajnë pjesën veriore, por jo vetëm pjesën veriore, kanë ambicie edhe në rajonin e Gjilanit, Pejës dhe do të dalin projekte të reja, të mos them çdo javë, por ndoshta çdo dy javë. Pra, qëllimi final i Serbisë është të bëhet ndarja e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se këto veprime janë në kuadër të përpjekjeve për të penguar procesin politik dhe në veçanti procesin e bartjes e kompetencave nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës. Deri ku ka arritur ky proces aktualisht?

BAJRAM REXHEPI
Për këtë proces janë bërë përgatitjet, përafërsisht të gjitha, edhe pse ky është proces, pra transferimi nuk do të bëhet në një takim njëditësh të Këshillit për transferimin e kompetencave. Do të jetë vetëm pjesa politike ku caktohet orari se në çfarë kohe çka do të transferohet dhe do të jetë edhe një herë e potencoj proces. Dhe kjo e pengon më së shumti Serbinë, mirëpo këtë proces nuk mund ta parandalojë askush, meqë për të është dhënë drita e gjelbërt nga Këshilli i Sigurimit edhe nga zoti Steiner, prandaj edhe veprohet në kuadër të rezolutës 1244, ku parashihet që një prej prioriteteve të kësaj rezolute është krijimi i institucioneve funksionale në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se një pjesë e “fajit”, thënë kushtimisht, për zvarritjen e procesit të transferimit ta quajmë kështu, e kanë edhe ministritë e qeverisë suaj, të cilat, siç thuhet, nuk janë të përgatitura aq sa duhet. Sa qëndrojnë këto pohime?

BAJRAM REXHEPI
Faji zakonisht mbetet jetim. Aty ka të vërteta që ministritë sigurisht nuk janë kompletuar, e as kryeministria, për shkaqe edhe objektive, por edhe për shkak se ne jemi duke krijuar një përvojë të krijimit të shtetit. Mirëpo, ne nuk mund të pretendojmë që ministritë të përgatiten 100 për qind dhe pastaj të bëhet transferimi i kompetencave. Transferimi duhet të bëhet tash, në mënyrë që gradualisht të fitohet përvoja edhe për ato segmente për të cilat nuk kemi kapacitete të mjaftueshme. Nëpërmjet një projekti të UNDESA-s (Departamenti i Kombeve te Bashkuara per Çështje Ekonomike dhe Sociale)do të bëhet identifikimi sidomos në administratën publike, që ta kemi një administratë publike shumë më efikase, do të bëhet specifikimi se ku nevojiten trajnime, në mënyrë që të sigurohet një efikasitet. Mirëpo, edhe për natyra të ndryshme, edhe UNMIK-u është vonuar me këtë transferim kompetencash. Unë nuk kisha me thënë se faji është tek ministrat dhe kryeministri, por faji është i përbashkët, që edhe kryeministria dhe ministritë nuk kemi qenë aq aktiv së është dashur ndoshta, meqë ka hapësirë. Edhe të drejtat e transferuara nganjëherë nuk i kemi realizuar, mirëpo, edhe një burokraci e UNMIK-ut, e cila tenton që ta zhagitë këtë proces sa më tepër. Unë nuk mendoj konkretisht në zotin Steiner, por në strukturat e UNMIK-ut, të cilat e kanë qëllimin e vet që të qëndrojnë sa më gjatë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, kohët e fundit është folur për ekzistimin e një krize brenda qeverisë suaj. Ka apo s’ka krizë qeveritare?

BAJRAM REXHEPI
Qeveria me këtë kompozim si qeveri e koalicionit, prej tri partive kryesore politike, nënshkruese të marrëveshjes, poashtu edhe me kyçjen e komuniteteve minoritare, ka qenë normale që nganjëherë të ketë tensionime të ndryshme. Mirëpo, ne gjithë kemi pasur forcë që t’i zgjidhim problemet dhe që të funksionojmë si një trup unik. Dhe mund të them se sidomos, në muajin e fundit, pas ndërrimit të ministrit Baliq, i cili ka qenë një nga katalizatorët e këtyre tensionimeve, Qeveria asnjëherë nuk ka qenë më stabile. Pra, Qeveria nuk është gjenerator i krizës, por bart pasojat e krizës, të cilat kohë pas kohe paraqiten qoftë në Parlament qoftë ndërmjet liderëve politikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni deklaruar në disa raste se statusi i pazgjidhur i Kosovës pengon zhvillimin e saj dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve që lidhen me të. Kur prisni zgjidhjen e këtij statusi?

BAJRAM REXHEPI
Statusi është një pengesë reale për një zhvillim më të hovshëm të Kosovës. Pos tjerash, përveç aspektit politik, edhe në aspektin ekonomik, ku për shkak të mosdefinimit të statusit, ne nuk mund të bëjmë as marrëveshje për tregëti të lirë, nuk mund të thithim kredi që janë të domosdoshme për një zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, e mos të flasim për raportet e Kosovës, si me shtetet në rajon, po ashtu edhe me shtetet tjera. Të gjitha këto janë pengesa në drejtim të krijimit të shtetësisë së Kosovës. Statusi i Kosovës duhet të definohet sa më shpejtë që është e mundur. Mirëpo, megjithatë unë kam deklaruar edhe më parë se këtë vit duhet ta shfrytëzojmë që ta ngrisim cilësinë e funksionimit të institucioneve të Kosovës dhe koha optimale kur duhet të fillojë definimi I statusit është viti 2004, më 2005 ky proces duhet të përfundojë. Mos të vonohemi shumë me definimin e statusit të Kosovës edhe për çështjet që i përmenda, pra për cështje ekonomike, por edhe për cështje të tjera ku mund të jetë një revoltë e popullatës, sidomos e gjeneratës së re, e cila nuk sheh ndonjë perspektivë të punësimit dhe të radikalizohen çështjet. Kjo do të ishte në të mirën edhe të Kosovës, por edhe të Serbisë, që të krijojmë raporte të një fqinjësie të mirë dhe është pozitive se të gjitha këto shtete kanë për synim që një ditë të bëhen anëtare të BE-së, atëherë kur kufijtë nuk do të kenë atë rolin e madh që e kanë tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të krijimit të raporteve, siç thatë edhe ju , të fqinjësisë me Serbinë, Misioni i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar fillimin e dialogut me Beogradin mbi cështjet praktike. Kur mund të pritet realizimi i kësaj nisme?

BAJRAM REXHEPI
Ne jemi deklaruar se jemi të hapur me të gjitha shtetet në rajon, që të krijojmë raporte të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ngushtë në rrafshin ekonomik, në infrastrukturë, etj. Mirëpo, me Serbinë ekziston një çështje specifike, për shkak të mosdefinimit të statusit të Kosovës, çdo gjë është politike. Një pengesë reale, e cila pengon edhe fillimin e dialogut, është çështja e kompetencave. Në Serbi, në këtë moment, janë në gjendje të jashtëzakonshme dhe në këtë moment nuk dihet se kush do të jenë ata që përfaqësojnë. Poashtu, në Kosovë duhet që ai grup punues që do të merret me bisedime, të ketë miratimin e Parlamentit, për faktin se çdo takim me Serbinë është politik, pavarësisht se mendohet për çështje konkrete dhe praktike. Me shtetet tjera mund të bëhet dialogu për çështje praktike pa i politizuar gjërat. Mirëpo, me Serbinë çdo gjë është politike dhe një pengesë reale është edhe vetë reagimi i butë i BE-së mbi preambulën kushtetuese, ku Serbia ka paraparë Kosovën si një krahinë, si një pjesë të Serbisë. Tash shihen pasojat e mosveprimit më të ashpër të BE-së, për arsye se në opinionin serb ajo shihet si integrim I Kosovës në Serbi, pra kanë mbetur vetëm disa çështje praktike për t’u zgjidhur, përndryshe mendohet se Kosova do të jetë pjesë e Serbisë. Në anën tjetër, është revoltë e arsyeshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës se me këtë prejudikohet statusi i Kosovës. Prandaj, kjo paraqet një problem real. Se kur do të ndodhin këto bisedime, varet nga situata edhe në Kosovë edhe në Serbi, por nuk mendoj se do të jenë bisedime të shpejta.

RADIO EVROPA E LIRË
Standardet para statusit apo të dyja së bashku, kjo është çështja më e diskutueshme në raportet ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës. Sipas jush, cila është rruga që duhet të ndiqet?

BAJRAM REXHEPI
Këtu ndoshta ka pasur më tepër mediatizim dhe ngritje të tensioneve në mes të institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut. Ne i kemi kyçur shumicën e këtyre standardeve edhe në programin qeveritar dhe është çështje e implementimit. Për disa standarde, institucionet kosovare nuk e kanë kompetencën e plotë, prandaj është rezervë e jona se nuk mund t’i arrijmë synimet e përbashkëta. Megjithatë, realizimi i standardeve është një proces afatgjatë dhe një orientim për Kosovën, jo vetëm në definimin e statusit. Standardet do të jenë të rëndësishme edhe për integrim në BE, pra është një proces dhe unë kam qenë ithtar i asaj që të mos diskutohet shumë për standardet, por të punojmë konkretisht. Standardet dhe çështja e statusit shkojnë bashkërisht. Statusi i Kosovës nuk mund të mbetet peng i nivelit të standardeve. Në kohën e duhur statusi i Kosovës duhet të definohet në mënyrë që këto standarde të realizohen edhe më lehtë, pra duhet të shkojnë krahas.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të këtyre standardeve është përmendur edhe kthimi dhe reintegrimi i pakicave kombëtare, veçanërisht asaj serbe. Çfarë ofron Qeveria juaj në këtë drejtim?

BAJRAM REXHEPI
Qeveria e Kosovës ofron atë çka mund të ofrojë në këtë moment. Ne kemi pranuar të gjitha rregulloret, edhe në pjesën administrative, ata i kanë standardet më të avancuara se sa shtetet fqinje. Sa i përket aksionit afirmativ, siç e quajmë, apo diskriminimit pozitiv, si në Parlament, si në Qeveri, si nëpër komuna dhe strukturat tjera, edhe në cështjet e punësimit ata I kanë disa privilegje. Problemi kryesor qëndron në instrumentalizimin e komunitetit serb nga politika serbe, që shihet edhe tash me idetë e krijimit të unioneve të ndryshme. Pengesa kryesore për integrimin e serbëve qëndron në Beograd dhe në liderët politikë serbë, e jo tek Qeveria e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka dëshmuar deri më tash dhe nuk ka nguruar që çdo problem praktikë të qytetarëve ta zgjidhë në mënyrën më të mirë, së bashku me UNMIK-un dhe UNHCR-në. Tek e fundit, është krijuar edhe një grup i përbashkët Task Force, e cila ështës strategji e përbashkët, me të cilën Qeveria e jep kontributin e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni përkrahur veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak, madje keni shprehur edhe gatishmërinë që t’i ndihmoni ato në këtë periudhë. Cila do të ishte ndihma më e mirë dhe më konkrete që ju mund të ofroni në këtë situatë?

BAJRAM REXHEPI
Unë e kam shprehur edhe opinionin e qytetarëve të Kosovës, të institucioneve të Kosovës, por në veçanti edhe të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që ekziston një gatishmëri që në këto momente kur SHBA-të ballafaqohen me luftën në Irak, kosovarët janë në përkrahje të këtij aksioni, edhe për arsyen se ne e dimë çfarë do të thotë diktatori. Diktatori nganjëherë është më i rrezikshëm se një luftë e shkurtër. Ne po ashtu kemi shprehur opinionin se do të donim që sa më pak të ketë viktima civile, të vendoset një qeveri demokratike në Irak dhe populli i Irakut të prosperojë, për faktin se ka mjaft resurse. Të mos mbeten peng të një diktatori në rradhë të parë qytetarët e Irakut, por edhe shtetet tjera, meqë gjithnjë ka qenë një rrezik permanent i ekstremizmit ose terrorizmit ndërkombëtar, me përkrahje të fuqishme nga Iraku. Poashtu, ne dimë se ekzistojnë pengesa procedurale për dërgimin e trupave në Irak, aq më parë kur dihet se Trupat Mbrojtëse, sipas organogramit dhe strukturës janë organizatë civile. Mirëpo, gatishmëria vullnetare ka ekzistuar dhe sikur SHBA-të të kishin nevojë, sigurisht që 3000 deri në 5000 pjesëtarë kanë qenë të gatshëm të rekrutohen dhe t’i ndihmojnë SHBA-të. Edhe më tutje ekziston oferta që pas përfundimit të luftës në Irak, Trupat Mbrojtëse të Kosovës janë të gatshme që të ofrojnë shërbimet e tyre në deminim dhe në rekonstruktimin e objekteve të dëmtuara gjatë luftës. Pra, gatishmëria dhe oferta e këtillë ekziston, por varet në rend të parë nga SHBA-të dhe nga ndërkombëtarët në përgjithësi, se a do të krijohet një mundësi e këtillë.
Intervistoi: Arbana Vidishiqi

XS
SM
MD
LG