Ndërlidhjet

AMIN:"NUK DUAM MISION TË KOMBEVE TË BASHKUARA NË IRAK"


Rrahman Pacarizi


“Populli irakian i është mirënjohës popullit dhe institucioneve të Kosovës për përkrahjen që po i japin çlirimit të popullit irakian nga diktatura e Saddam Huseinit”, ka thënë sot në Prishtinë, një nga liderët e opozitës irakiane, Bakhtiar Amin. Zoti Amin, që është drejtor i aleancës ndërkombëtare për drejtësinë ka qenë sot edhe në zyrën amerikane, për t’u takuar më pas me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi:
“Unë jam këtu për të shprehur mirënjohjen time për popullin dhe qeverinë e Kosovës për qëndrimin kurajoz bashkë me popullin irakian” tha Bahtiar Amin, duke shtuar se populli i Kosovës që ka përjetuar vuajtje, masakra dhe gjenocid e kupton më së miri vuajtjen e popullit irakian nën regjimin e Sadam Huseinit, i cili ka qenë edhe mik i Milosheviqit. Ai ka folur më pas për vuajtjet e popullit irakian nën Sadamin:
“Për 35 vjet të terrorit dhe tmerrit, Sadami e shndërroi Irakun në një muze krimesh”, tha Dr. Bakhtiar Amin, duke falënderuar të gjithë ata që përkrahin luftën e Shteteve të bashkuara kundër regjimit të Sadam Huseint për lirinë e popullit irakian, pasi sipas tij, ata që ndajnë dhimbjen dhe përkrahin viktimat bëjnë më pak gabime në jetën e tyre.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, ndërkaq tha se kishte pasur një takim shumë miqësor me liderin e opozitës irakiane Bakhtiar Amin:
“Pas rrëfimit që më bëri zoti bakhtiar Amin se çfarë Husein ka bërë me popullin e tij, më është forcuar bindja kur kam thënë se e përkrahim plotësisht aksionin amerikan dhe britanik kundër diktatorit Sadam Husein, pasi Sadami gjatë sundimit të tij i ka shkaktuar popullit të vet dhjetëfish apo njëqind herëmë shumë viktima sesa ka marrë lufta deri më tash”.
Kryeministri i Kosovës tha se shpresonte që lufta në Irak të përfundojë sa më parë dhe atje të vendoset një qeveri demokratike, çfarë e meriton populli irakian, në mënyrë që Iraku të bëhet një vend që rrezaton stabilitet për rajonin dhe jo kërcënim për paqen globale.
Zoti Amin tha më pas se populli irakian do të ndërtojë një shtet demokratik tolerant dhe gjithëpërfshirës, ku vendin e tyre dinjitoz do ta kenë si irakianët, ashtu edhe shiitët dhe kurdët. Mirëpo, tha Amin unë nuk do të preferoja që pas luftës Iraku të qeverisej nga një mision byrokratik dhe joefikas i Kombeve të Bashkuara, siç tha ai:
“Të ushqejmë 160 mijë administratorë civilë të Kombeve të bashkuara dhe zoti e di se sa paqërujatëse që ata sugjerojnë?! Jo faleminderit!”, u përgjigj Dr. Amin,sipas të cilit një mision i tillë do të dështonte. Irakianët janë të hidhëruar për shkak të qëndrimit që kanë mbajtur Kombet e Bashkuara. 5 mijë njerëz janë vrarë brenda tetë minutash, ndërsa 250 mijë njerëz kanë pësuar nga armët e shkatërrimit masiv në Irak dhe pasojat hetohen ende, ndërsa zoti Shirak dhe zoti Putin, ashtu si edhe paraardhësit e tyre nuk ngritën zërin asnjëherë kundër krimeve të Sadamit. Ne nuk i duam si administratorë ata që nuk na përkrahën, por nuk i harrojmë ata që na përkrahën dhe ata që sakrifikuan fëmijët e tyre për lirinë e popullit të Irakut, tha Dr. Bakhtiar Amin, një liderët e opozitës irakiane.


XS
SM
MD
LG