Ndërlidhjet

logo-print

BETEJAT PËRFUNDIMTARE


WASHINGTON POST

Të dihej prej 20 marsit, se vetëm për 17 ditë, trupat ushtarake amerikane do ta pushtonin aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit, do të shkatërronin shumicën e Gardës Republikane, dhe do ta siguronin infrastrukturën jetësore të naftës për Irakun, vetëm me çmimin e rreth 75 jetëve, shumica e amerikanëve do të ishin të ngazëllyer nga suksesi tepër i dukshëm ushtarak.
Dhe me të vërtetë, ka patur arsye për lehtësim dhe kënaqësi. Në disponimin kombëtar, javëve të fundit ka patur shumë lëvizje, pjesërisht shkaku i mbulimit televiziv të luftës, pjesërisht për rezistencën e papritur irakene, pjesërisht për humbjet e dhimbshme te civilët e pafajshëm, dhe pjesërisht nga paralajmërimet e zyrtarëve apo ushtarakëve se lufta mund të jetë më e vështirë nga ç'pritej, dhe mund të zgjatë me muaj, e jo me javë. Mbetet vetëm të shihet sa luftime do të nevojiten për të përmbysur mbrojtësit e fundit të Saddamit në Bagdad dhe pjesë të tjera të vendit.
Deri tani duket se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë mundësi të mirë ta përfundojnë luftën, ashtu që detyrat e pas luftës të jenë më të lehta, duke filluar nga stabilizimi i Irakut nën një qeveri të përfaqësuar, e deri tek përmirësimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.
Por shumë do të varet nga ajo që do të ndodhë në Bagdad. Në fund të javës komandantët amerikanë thanë se ende presin rezistencë të fortë nga trupat irakene në kryeqytet, ndërsa imazhet televizive me Saddam Husseinin që grumbullonte mbështetje rrugëve të kryeqytetit, treguan se udhëheqja irakene vazhdon të jetë e vendosur për të luftuar dhe ka aftësinë të ndikojë emocionalisht në Irak dhe Lindjen e Mesme.
Ndërkohë që trupat e këmbësorisë i realizuan vërsuljet e para në qytet, disa zyrtarë të lartë sugjeruan qasje më të kujdeshme. Gjenerali Richard Myers, Shefi i Shtatmadhorisë, tha se trupat amerikane mund të përpiqen të izolojnë Saddam Husseinin dhe udhëheqësit tjerë duke marrë kontrollin mbi objektet dhe shërbimet e rëndësishme, duke e bërë diktatorin të parëndësishëm, por kjo nuk do të ishte praktike. Edhe pse forcat amerikane bëjnë gjithçka për të minimizuar humbjet në njerëz, shumica në Irak dhe në botën arabe do ta konsideronin regjimin e Saddam Husseinit të shkatërruar vetëm kur ky dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të jenë vrarë, kapur ose detyruar të largohen. Kur kjo të realizohet, atëhere për trupat e koalicionit do të jetë më lehtë ta kufizojnë rezistencën në vend. Megjithëse qasja e popullsisë irakene ndaj trupave amerikane dhe britanike duket e ngrohtë, kurse javën e kaluar, në disy qytete është treguar edhe një mikpritje e përzemërt, shumë irakienë thonë se nuk do të besojnë se janë të lirë dhe të sigurt derisa të përmbyset Saddam Husseini.
Me shkatërrimin e regjimit në Bagdad, çështja kryesore me të cilën do përballen aleatët, përveç gjetjes dhe eleminimit të armëve të shkatërrimit në masë, do të jetë nëse shpirti mikëpritës dhe bashkëpunimi, apo rezistenca e ashpër dhe vetëvrasëse do të mbizotërojë në Irakun e pasluftës. Kjo do të varet nga fakti nëse trupat e koalicionit do të vazhdojnë të minimizojnë humbjet në mes të civilëve, pavarësisht nga sfidat e atentatorëve vetëvrasës, që shumicën e rasteve i kanë sulmuar postoblloqet në makina me gra shtatzëne ose fëmijë. Gjithashtu do të varet nga vendimet politike për administratën e pasluftës: a do të imponohet ajo në mënyrë të njëanshme nga ushtria amerikane, apo do të vendoset me pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara.
Presidenti George Bush do të tregohet i mençur nëse e mbështet variantin e dytë, sepse nëse Shtetet e Bashkuara mbeten të izoluara në pushtimin dhe rindërtimin e Irakut, atëherë do të jetë vështirë të dëshmohet vullneti i mirë, dhe të neutralizohen ata që duan ta shkatërrojnë misionin me sulme vetëvrasëse.
XS
SM
MD
LG