Ndërlidhjet

HASHIM THAÇI: BESOJ SE KY PROPOZIM PËR MORATORIUM DO TË PËRKRAHET EDHE NGA KOMUNITETI NDËRKOMBËTAR


Intervistë me Hashim Thaçin, kryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, kohët e fundit ju jeni deklaruar pro një moratoriumi për statusin politik të Kosovës. A do të mund ta elaboronit pak më gjerësisht këtë tezë tuajën?

HASHIM THAÇI
Po, ne duhet të jemi realistë për zhvillimet që po kalojmë në Kosovë, për procesin politik dhe funksionimin e institucioneve të vendit, për përfaqësimin e të gjitha komuniteteve dhe bazës së gjerë politike një kuadër të institucioneve dhe rrethanave çfarë janë krijuar në Kosovë, pastaj për dokumentat ndërkombëtare mbi të cilat funksionojnë këto institucione, por edhe për raportet me bashkësinë ndërkombëtare dhe raportet me Serbinë. Në fakt, ne tash kemi opinionin e Prishtinës, i cili është i palëkundur sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe kemi opinionin e Beogradit që është i palëkundur për rikthimin e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Për komunitetin ndërkombëtar këto dy opinione diametralisht të kundërta njëri me tjetrin janë të paparanueshme për momentin – edhe pavarësia e Kosovës, edhe njohja e sovranitetit serb mbi Kosovën. Kështu, mendoj se është momenti i duhur dhe besoj se ky propozim dhe kjo ide do të përkrahet edhe nga komuniteti ndërkombëtar, në mnëyrë që të arrtihet një moratorium statusor për periudhë të caktuar kohore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Sinjalet e para pozitive, tashmë i kemi marrë nga qendrat e politikës ndërkombëtare, edhe nga Nju Jorku, por edhe nga Brukseli. Më vjen mirë, gjithashtu që këtë propozim timin dhe të PDK-së, po e mbështesin edhe komunitetet e tjera joshqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë thënë se mosdefinimi i statusit politik të Kosovës po i frenon disa procese. A mund ta shpjegoni se si do të shkojnë paralelisht edhe moratoriumi, edhe çuarja përpara e proceseve. Në fakt si do të zhvillohen proceset gjatë kësaj kohe?

HASHIM THAÇI
Po, sa u përket kompetencave dhe përgjegjësive, autoritetet e Prishtinës, institucionet e Kosovës i kanë të përcaktuara përgjegjësitë qartë, në përputhje me dokumentat bazë të funksionimit të institucioneve të Kosovës, në nivel qendror dhe lokal. Mirëpo, këtu shtrohet çështja e diskutimit nbdërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare për transferin e kompetencave që janë në të drejtën e rezervuar të kryeadministratorit. Mirëpo, kjo është një çështje e ndieshme dhe për momentin e paparnueshme për administratën ndërkombëtare. Kështu, ne duhet t’i kryejmë obligimet që i kemi, kompetencat që i posedojmë e që ende nuk i implementojmë, mirëpo edhe në disa mekanizma ku kemi përgjegjësi të plota, ka dukuri të ndryshme negative, që po krijojnë një imazh jo të mirë për Kosovën dhe për bartësit e këtyre institucioneve e në veçanti në aspektin e shëndetësisë, por edhe në arsim. Mirëpo, jam i bindur se me një debat të brendshëm dhe intensiv ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve, procesi i bartjes së kompetencave dhe rritjes së përgjegjësive për kosovarët do të jetë në nivel të duhur në përputhje me orientimet topna dhe natyrisht kjo do të hapë perspektivë edhe për zgjidhjen përfundimtare të statusit politik. Por, implementimi i standardeve perëndimore dhe i statusit politik janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe unë jam në favor që të kemi një moratorium statusor ndërmjet Kosovës dhe Beogradit me ndërmjetësim ndërkombëtar, në mënyrë që të kemi një integrim si entitete të ndara në strukturat evropiane dhe vertiatlantike dhe më pas të ketë një njohje të statuseve mes Prishtinës dhe Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi ju përmendët bartjen e kompetencave dhe nesër praktikisht ky proces duhet të fillojë. Ndërkohë, ky proces kundërshtohet ashpër nga serbët e Kosovës dhe nga Beogradi zyrtar. Madje ka pasur kërcënime të ndryshme edhe me luftë në rast të pavarësimit të Ksoovës, pastaj formim të ushtrisë serbe etj. Si i komentoni ju gjithë këto procese?

HASHIM THAÇI
Lufta ka përfunduar në Kosovë. Formimi i ushtrive është jo i ligjshëm. Ata njerëz që bëjnë gjëra të tilla, që pretendojnë të ndërtojnë mekanizma jashtinstitucionale duhet të ndeshen me ligjin dhe besoj se kjo do të ndodhë, por në institucionet e Kosovës janë të përfshira të gjitha grupimet politike të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe këto përgjegjësi barten tek institucionet e Kosovës dhe jo vetëm për shqiptarët, prandaj edhe serbët edhe minoritarët e tjerë joshqiptarë janë të integruar në institucione dhe kjo është në përputhshmëri me orientimet e institucioneve të Kosovës për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe ngadhënjimit të demokracisë qytetare në vend.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG