Ndërlidhjet

logo-print

MOORE:"NË IRAK NUK DO TË ZBATOHET MODELI I KOSOVËS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, u përpoq të tejkalonte një nga mosmarrëveshjet më të thella transatlantike prej kohësh, duke theksuar rolin vendimtar të organizatave shumëkombëshe në Irakun e pasluftës. Por, zoti Powell tha se kjo do të bëhet sipas kushteve të Shteteve të Bashkuara...

PATRIK MOORE
Nuk jemi shumë të sigurt se cilat do të jenë ato kushte. Ajo që duket se po ndodh tani është fakti se diplomatë të ndryshëm po përcaktojnë pozicionet e tyre. Ata po caktojnë territorin e tyre, dhe po tregojnë se cili do të jetë pozicionimi i bisedimeve. Do të ketë shumë hapësirë për diskutime në të ardhmen dhe sigurisht që asgjë që thuhet apo bëhet tani nuk bën fjalën e fundit.....

RADIO EVROPA E LIRË
Gerhard Shrëder tha para Bundestagut se Kombet e Bashkuara do të luajnë një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në rindërtimin e Irakut. Dominik dë Villpin, insistoi se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol qëndror... Në përgjithësi disa nga evropianët të cilët kundërshtuan rezolutën e Kombeve të Bashkuara mbi Irakun, tani kërkojnë rol udhëheqës të kësaj organizate në Irakun e pas luftës. E gjithë kjo tingëllon si e pakuptimtë.

PATRIK MOORE
Sigurisht dhe mundemi të themi që është mjaft cinike. Mendoj se njerëzit si Shrëderi dhe De Villepini e kanë kuptuar këtë gjë. Ashtu siç e thashë dhe më parë, ajo që po ndodh tani është përcaktimi i pozicioneve lidhur me negociatat, përpara fillimit të bisedimeve. Mendoj se ka mjaft njerëz në të dy anët e Atllantikut dhe mjaft ministri që duan të gjejnë një mënyrë për të arritur një lloj marrëveshjeje me qëllim evitimin e klimës që mbizotëroi në janar dhe në shkurt, ku francezët dhe gjermanët bllokuan mjaft hapur, çdo përpjekje për një rezolutë të dytë. Që kur u miratua rezoluta e parë vjeshtën e kaluar nuk kemi patur një mundësi për një rezolutë të dytë, pasi francezët dhe gjermanët e bllokuan atë. Mendoj se zoti Shrëder e ka kuptuar që bëri gabim kur tha një JO të pakthyeshme ndaj përfshirjes në luftë, në fushatën e tij elektorale verën që kaloi, dhe francezët gjithashtu nuk duan të vihen në një rol kaq negativ. Prandaj le të jemi të durueshëm dhe të shohim se çdo të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, lideri i opozitës irakene tha në Prishtinë se nuk do të preferonte një mision të Kombeve të Bashkuara në Irak, të ngjashëm me atë në Kosovë, pasi sipas tij ky lloj misioni ka treguar që nuk është efektiv.

PATRIK MOORE
Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend një gjë të tillë. Së pari, ndërsa po flasim për Kosovën më lejoni të rikujtoj intervistën që kryeadministratori Shtajner i dha gazetës "Berliner Zeitung" para disa ditësh, në të cilën theksoi qartë se Kosova nuk përbën një model për Irakun. Arsyeja e thjeshtë për këtë është se Iraku, sa i përket popullsisë dhe territorit, është gati 10 herë më i madh se Kosova, gjë që do të kërkonte një administratë tepër të madhe civile dhe ushtarake, e cila është totalisht jopraktike. Pra vetë zoti Shtajner e hodhi poshtë këtë mundësi. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë ndërmend të krijojnë një qeveri të përkohshme ushtarake me një autoritet civil iraken. Duke folur me britanikët, me francezët, gjermanët, rusët e shumë të tjerë mund të gjejnë disa zgjidhje të përshtatshme ku do të ketë hapësirë për përfshirjen e Kombeve të Bashkuara. Por nuk mendoj se bëhet fjalë për të njëjtin mision të Kombeve të Bashkuara si në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, të hënën Bashkimi Evropian filloi misionin e tij të parë ushtarak paqeruajtës në Maqedoni. Disa analistë apostrofojnë më shumë simbolikën poltike të këtij misioni
se sa aspektin ushtarak. Cili është komenti i juaj?

PATRIK MOORE
Keni plotësisht të drejtë, aspekti i rëndësishëm i këtij misioni është që Bashkimi Evropian të tregojë që mund t'ia dalë mbanë. Ata po flasin të kenë rreth 60 000 trupa ushtarake për reagim të shpjet... Ka njerëz në Berlin dhe në Paris, të cilët po flasin për një qeveri të përbashkët franko-gjermane, për një politikë të përbashkët të sigurisë dhe punëve të jashtme, e cila deri tani ka dështuar dhe një ushtri të përbashkët evropiane. Ata i shohin këta 300 ushtarë të vendosur në Maqedoni si një trup të fuqishëm që varet nga logjistika e NATO-s, si hapin e parë drejt një ushtrie të madhe evropiane. Sigurisht që kjo është tepër ambicioze. Dhe dikush tha se evropiano-perëndimorët të cilët duan këtë politikë të përbashkë të sigurisë dhe ushtrinë e përbashkët dinë gjithshka përveç faktit se ku po shkojnë. Ka shumë dallime ndërmjet vendeve të Unionit Evropian dhe mbi të gjitha nuk kanë buxhet për këtë. Nëse duan të behen një forcë e besueshme, ose për të konkuruar me Shtetet e Bashkuara, ose për të tërhequr vëmendjen e amerikanëve se janë një partner më me vlerë sesa tani, do t'u duhet të harxhojnë më shumë para se deri më tani, dhe duket që nuk ka gadishmëri për të bërë këtë hap..... Një zyrtat gjerman komentoi javën e kaluar se këto 300 trupa në Maqedoni mund të jenë hapi i parë drejt një force që një ditë mund të bëhet një fuqi botërore. Ndoshta kjo s'është e vërtetë por nëse do të realizohet, po ndiqet rruga e gabuar. Para se të qeshim dhe të themi se kjo është një ëndërr dhe është e parealizueshme, le të rikujtojmë se tani që flasim, EURO është një realitet dhe vetëm para disa vjetësh njerëzit nuk e konsideronin si të mundur. Pra, të shohim se çdo të ndodhë.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG