Ndërlidhjet

UASHINGTON


Forcat e Shteteve të Bashkuara dje hynë në qendër të Bagdadit, duke nxitur kremtime të shumta nga irakienët, të cilët i përshëndesnin trupat amerikane në epiqendrën e regjimit të Irakut.
Irakienët, me ndihmën e ushtarëve amerikanë e përmbysën shtatoren e liderit të Irakut Saddam Hussein në sheshin e qytetit.
Raportohet se në disa pjesë të kryeqytetit ende ka rezistenca të pakta.
Në Nju Jork, ambasadori i Irakut në Kombet e Bashkuara Mohammed al-Douri e shfaqi besimin se lufta ka përfunduar.
"Loja ka mbaruar. Shpresoj se do të mbizotërojë paqeja", tha al-Douri.
Por, sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se forcave të koalicionit u kanë mbetur "luftimet shtesë" për ta siguruar Bagdadin.
"Bagdadi është në procesin e çlirimit, ndonëse betejat rreth qytetit po vazhdojnë, dhe regjimi u dëbua nga një numër qytetesh të Irakut. Por qytetet tjera ende kontestohen, andaj para nesh do të ketë luftime të ashpra dhe detyra të vështira", tha Rumsfeld.
Ai gjithashtu e akuzoi Sirinë për strehimin që u ka bërë disa ithtarëve të Saddamit.
Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha: "Çështja kryesore është se irakienët tani mund ta shohin dhe shijojnë lirinë, dita e lirisë së tyre erdhi", tha Fleischer.
Ushtarakët tani e kanë përqëndruar vemendjen në qytetin Tikrit, vendlindjen e Saddamit, 160 kilometra në veri të Bagdadit.
Fati i Saddamit nuk dihet. Zyrtarët amerikanë thonë se nuk është e qartë nëse është i vdekur apo i gjallë.
Në Irakun Verior, qytetet Mosul dhe Kirkuk gjithashtu janë në fokus të luftëtarëve kurdë, të cilët me ndihmën e aleatëve u afrohen qendrave të naftës.
Raportohet se aeroplanët amerikanë i bombardojnë caqet afër qytetit Kirkut.
XS
SM
MD
LG