Ndërlidhjet

SHBA INSISTOJNË SE SIRIA PARAQET KËRCËNIM, POR MOTIVET DHE QËLLIMET NUK DIHEN


Jean Christoph PEUCH

Në një intervistë dhënë televizionit amerikan NBC, zëvendës-sekretari amerikan i mbrojtjes Paul Wolfovitz, iu kërcënua Sirisë me pasoja diplomatike, por edhe të tjera, shkaku i dyshimeve për ndihmë ushtarake dhënë Irakut fqinj. "Sirianët duhet ta dijnë çfarë bëjnë, dhe për këtë do të japin llogari", tha Wolfovitz.
Komentet e tij i pasuan vërejtjet e sekretarit të mbrojtjes Donald Rumsfeld, i cili e akuzoi Sirinë se ajo e ka furnizuar Bagdadin me pajisje ushtarake.
"Kemi informata se dërgesat e pajisjeve ushtarake e kanë kaluar kufirin nga Siria në Irak. Ato paraqesin kërcënim për forcat e koalicionit. Trafikimin e tillë e shohim si akt armiqësor, ndërsa qeverinë e Sirisë e konsiderojmë përgjegjëse", ka thënë Rumsfeld.
Ministri i jashtëm i Sirisë i hodhi poshtë këto akuza, që i përshkroi si "përpjekje për ta mbuluar atë që forcat e koalicionit e bënë ndaj civilëve në Irak".
Mbetet e paqartë se çfarë i nxiti kritikat e Shteteve të Bashkuara ndaj Sirisë.
Gary Gambill, ekspert për çështjet e Lindjes së Mesme, beson se amerikanët reaguan pas komenteve të liderit sirian Bashar al-Assad.
"Mendoj se faktori vendimtar që solli te deklarata e Rumsfeldit, fare nuk kishte të bëjë me dërgesat e armëve. Ajo kish të bëjë me një intervistë të Assadit, në të cilën ai u bë lideri i dytë arab, pas Saddam Husseinit, i cili publikisht e shfaqi dëshirën për disfatën e trupave amerikane në Irak", thotë Gambill.
Në intervistën, Assad ka parashikuar se koalicioni nuk do të mund ta shtypë rezistencën e popullatës në Irak, pavarësisht nga suksesi kundër forcave të Saddamit.
Si kryesuese e Këshillit të Sigurimit, Siria ishte kundër luftës, por përçarjet tradicionale midis liderëve arabë, bënë që Assadi të mos e arrijë qëllimin.
Analistët thonë se lideri 37-vjeçar tani përpiqet ta ngritë profilin e tij pan-arab përmes mënyrave tjera.
"Jo që Assadi beson se Amerika do të pësojë disfatë. Por pas largimit të Saddam Husseinit, ai mendon se mund të bëhet lider i arabëve", thotë Gambill.
Komentatorët arabë kryesisht besojnë se akuzat e reja në adresë të Sirisë paraqesin fazë të re në politikën amerikane në Lindjen e Mesme. Disa madje parashikojnë se komentet e sekretarit Rumsfeld i paraprijnë ndryshimit të regjimit në Damask, të sponsoruar nga Shtetet e Bashkuara.
Por analisti Gambill nuk mendon ashtu.
"Mendoj se Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara për idenë e ndryshimit të regjimit në Siri. Arsyeja është sepse regjimi i Assadit nuk mund të ndryshohet në mënyrë paqësore. Nisur nga historia e gjakderdhjeve sektare në Siri, do të shpërthente luftë më e përgjakshme qytetare se sa në Liban. Mendoj se qëllimi i politikës amerikane është stabiliteti i Sirisë", thotë Gambill.
Por ndryshime të politikës amerikane mund të ketë. Sekretari i shtetit Colin Powell, me një rast e akuzoi Sirinë për lidhje të dyshuara me grupet e Hezbollahut.
"Siria mund të vazhdojë të japë ndihmë për grupet terroriste dhe regjimit të vdekur të Saddam Husseinit, ose të ndjekë një kurs më shpresëdhënës. Në të kundërtën, Siria e mban përgjegjësinë për zgjedhjen e saj dhe pasojat nga ajo", tha Powell.
XS
SM
MD
LG