Ndërlidhjet

MOORE:"IRAKU NUK ËSHTË TROFE PËR PARISIN, BERLININ DHE MOSKËN"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Liderët e grupimit kryesor anti-luftë Franca, Gjermania dhe Rusia janë tubuar në Shën Petërsburg për të diskutuar çështjen e Irakut. Analistët thonë se këto bisedime mund të krijojnë një situatë tjetër ashpërsimi në Këshillin e Sigurimit për të ardhmen e Irakut?

PATRIK MOORE
Po ka shumë mundësi. Sigurisht varet nga fakti nëse këto vende të udhëhequra nga Franca do të zgjedhin konfrontimin, pozicion që e zgjodhën në fillim të vitit, por që nuk i çoi asnkund, përveç se në kthimin e shpinës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Fillimisht, çështja e legjitimitetit të luftës është qartësuar në një shkallë të mirë nga demonstratat mikëpritëse në Bagdad dhe në vendet e tjera, gjë që tregon se vetë irakenët e cilësojnë këtë si një luftë çlirimtare, ose të paktën shumë irakenë duken të kenë këtë mendim. Ky fakt hedh poshtë argumentat e Francës, Gjermanisë dhe Rusisë që lufta nuk ishte e ligjshme. Megjithatë edhe pse ky fakt është marrë parasysh, akoma mbetet ana e rëndësishme politike për liderët e këtyre vendeve, pasi pozicioni anti-amerikan, anti-luftë ka qenë shumë popullor në vendet e tyre. Nëse shohim kancelarin gjerman Shrëder, kjo është ndoshta e vetmja çështje që ai ka në dorë dhe ku mund të mbështetet për një farë kohe. Ekonomia gjermane është në një gjendje të rëndë dhe ai nuk është i popullarizuar për shkak të kësaj dhe opozita duket të ketë rezultate më të mira se ai në anketat e ndryshme. Në rastin e Shirakut, ai ka mbështetjen jo vetëm të njerëzve të tij, por edhe të opozitës, dhe shkalla e mbështetjes, popullaritetit të tij është shumë i madhe për këtë pozicionim anti-amerikan.
Çështja mbetet nëse këta të tre do vendosin t'i bllokojnë amerikanët në Kombet e Bashkuara dhe t'i detyrojnë të largohen sërish nga Kombet e Bashkuara dhe të kërkojnë rrugë të tjera. Kjo do të rezultonte me dëmtimin e Kombeve të Bashkuara, gjë që është saktësisht ajo që këto vende nuk duan. Ajo që këto vende do të bëjnë është forcimi i armiqve të tyre, siç është sekretari amerikan i mbrojtjes Ramsfeld, që është skeptik ndaj multilaterizmit dhe skeptik veqanërisht ndaj Francës dhe Gjermanisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pol Volfovic, ka thënë se Franca do të duhet të paguajë pasojat e kundërshtimit të saj ndaj Shteteve të Bashkuara....

PATRIK MOORE
Zoti Volfovitz ka dalë me sugjerimin që Rusia , Franca dhe Gjermania t'i falin pjesërisht ose plotësisht borxhet të cilat i kanë dhënë Irakut. Volfovitz tha se këto tre vende i dhanë borxh Irakut me qëllim që Iraku të paguante për armët dhe politikat e Sadamit. Por ai i zgjodhi këta shembuj me kujdes në mënyrë që t'i apostrofonte të tri këto vende së bashku si vende që kanë ndjekur marrëdhënie të gabuara politike me Sadamin dhe i vë ato në pozitë turpëruese para gjithë botës.
Çështja tjetër është se zoti Volfovitz është i interesuar për ndëshkimin e këtyre tre vendeve. Ai zgjodhi një platformë të shkëlqyer për t'ja arritur këtij qëllimi, pasi po i ndëshkon në planin ekonomike. Kritikët e Amerikës bënë shumë zhurmë muajt e fundit se amerikanët janë të motivuar nga nafta në Lindjen e Mesme, por shikojmë se pikërisht Franca dhe Rusia janë të motivuara nga nafta dhe që i kanë bllokuar amerikanët qartësisht pasi kanë patur frikë për interesat e tyre ekonomike. Por, çfarë mund të dalë nga e gjthë kjo, cila duhet të jetë sjellja dhe pozicionimi i Shteteve të Bashkuara kundrejt këtyre tre vendeve? Duhet të përpiqet t'u japë një mësim për bllokimin e aleatëve në Kombet e Bashkuara, apo duhet të tregohet zemërgjerë dhe ta lërë këtë problem anash? Kjo është çështja që po diskutohet. Është mjaft e qartë mbi të gjitha se Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre nuk bënë gjithë këtë luftë për t'i dhënë trofetë Gjermanisë, Francës dhe Rusisë. Prandaj nuk mund të pritet, që e gjithë kjo çështje të rikthehet në Kombet e Bashkuara. Mendoj se kjo do të ishte një katastrofë e vërtetë.
Ajo që po diskutohet aktualisht në Uashington është fakti se kur Shtetet e Bashkuara janë treguar zemërgjera me këto vende, ato kanë patur tendencën që ta harrojnë mjaft shpejt dhe ndoshta tregimi i zemërgjerësisë nuk është një ide e mirë. Le të rikujtojmë se në vitet 1989 dhe 1990 Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi aleat që mbështeti bashkimin e dy Gjermanive. Shumica e kundërshtarëve të bashkimit udhëhiqeshin jo nga Rusia, por nga Franca. Gjermanët dhe veqanërisht gjermano-lindorët e harruan këtë fakt shumë shpejt. E rikujtova Gjermaninë pasi Bagdadi i këtyre ditëve të fundit ka qenë shumë i ngjashëm me Berlinin e vitit 1989.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe një pyetje tjetër. Ka disa tensione midis Turqisë dhe Kurdëve. Pse Ankaraja është nervoze për të arriturat e kurdëve në Irakun Verior dhe përgjithësisht ku qëndron problemi?


PATRIK MOORE
Situata është e ngjashme me atë të shqiptarëve në Ballkan. Kurdët janë të ndarë në shtete të ndryshme, por problemi i kurdëve është se ndryshe nga shqiptarët, nuk kanë asnjë shtet të vetin. Autoritetet turke janë përpjekur me vite të shtypin kurdët, të mohojnë që ka popullsi kurde, të mohojnë që ka një çështje kurde dhe kjo ka shkaktuar ndarjet mes qeverive, probleme të mëdha lidhur me mosrespektimin e të drejtave njerëzore dhe një reputacion jo të mirë mes aleatëve të Turqisë në NATO.
Asaj që i frikësohet tani Ankaraja është fakti që kurdët po marrin gjërat në duart e tyre në Irakun e veriut, duke treguar që mund të mposhtin një agresion ushtarak, duke treguar që mund të administrojnë problemet e tyre dhe Turqia është e frikësuar se kurdëve në Turqi, në Siri dhe gjetkë mund t'u krijohet idea që ka ardhur koha që të ushtrojnë më shumë presion për autonomi brenda vendit, ose të ushtrohet presion për krijimin e një shteti kurd. Por kurdët në Irakun verior deri tani janë sjellë në një mënyrë që është shumë e mençur dhe e menduar mire, prandaj le të shohim se ku do të çojnë gjërat.
Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG