Ndërlidhjet

TIKRIT


Tanket e forcave amerikane raportohet se kanë mbërrirë në sheshin e Tikritit në orët e mëngjesit, ndërkohë që luftimet për kontrollin e këtij qyteti verior të Irakut vazhdojnë.
Agjencitë njoftuan se më parë aeroplanët amerikanë kryen goditje të reja rreth Tikritit.
Luftime të ashpra ka patur në paralagjen jugore të qytetit, e cila dominohet nga klani i Saddam Husseinit. Ushtria amerikane ka sugjeruar se trupat lojale ndaj Saddamit atje mund ta bëjnë rezistencën e fundit.
Luftimet zhvillohen përkundër raporteve të televizionit Al-Jazzeera se liderët e fiseve negocionin ndërprerjen e zjarrit me forcat amerikane.
Gjatë natës në Bagdad, marincat amerikanë shkëmbyen zjarr me snajperistët që ishin vendosur rreth hotelit Palestina, me ç'rast tre prej tyre u kapën.
Në fjalimin e rregullt javor të radios, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush dje e tërhoqi vërejtjen se forcat amerikane ende do të përballen me "luftime të rënda".
"Konflikti në Irak vazhdon, dhe ushtria jonë ende mund të përballet me luftime të rënda. Megjithate, shtatoret e diktatorit dhe të gjitha veprat e regjimit të tij terrorist u hodhën mënjanë", tha Bush.
Komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali Tommy Franks tha se ndonëse zemra e ushtrisë irakiene është shkatërruar, milicia, eskadronët e vdekjes dhe mercenarët e huaj ende vazhdojnë të luftojnë.
Dje në Bagdad, qindra policë dhe punëtorë të shërbimeve civile të Irakut, iu përgjigjën thirrjes së amerikanëve për të diskutuar kthimin e tyre në punë.
Pas disa ditë të plaçkitjes, Bagdadi dje ishte relativisht i qetë.
Ndërkaq në Basra, për rendin kanë filluar të kujdesen policia ushtarake britanike bashkë me policët irakienë.
XS
SM
MD
LG