Ndërlidhjet

SEVDIJE AHMETI: UNË KUJTOJ SE FILMI DOKUMENTAR NUK ËSHTË I SHTRENJTË


”Unë kam biseduar dhe më ka ardhur shumë keq, kur shumë regjisorë, shumë prodhues të filmave dokumentarë, më kanë pyetur si është e mundur të mos ketë film nga Kosova, ku ka qenë gjithë ai tmerr. Unë mendoj se ka shumë ngjarje që mund të përmenden dhe mund të dalin” – thotë Sevdije Ahmeti, veprimtare për të drejtat e njeriut nga Prishtina. Gjatë qëndrimit të saj në Pragë, në rolin e anëtares së jurisë qendrore të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar, me Sevdije Ahmetin zhvilluam këtë intervistë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Sevdije, edhe pse në këtë festival nuk kishte filma nga Kosova, megjithatë duket se tematika nga Kosova ishte e pranishme. Në cilët filma u trajtua kjo tematikë dhe çfarë mendoni për mënyrën e trajtimit të saj?

SEVDIJE AHMETI
Fatkeqësisht është e vërtetë se nuk pati asnjë film dokumentar nga Kosova. Është mëkat që nga Kosova nuk ka asnjë film, meqë kemi shumë ngjarje të dhimbshme, kemi një histori të rëndë, një histori tragjike, qoftë ajo e përshkuar gjatë gjithë shekullit të 20-të por edhe ajo e dhjetë viteve të fundit ishte shumë e rëndë. Nuk pati asnjë film nga Kosova, mirëpo ishte një temë që megjithatë me një spot u dha me dije se në Kosovë ka ndodhur diçka shumë e madhe, sidomos problemi i deportimit masiv të popullatës shqiptare. Ishte filmi i Xhorxh Lesingerit, i cili ka bërë një film për një personalitet të madh të Britanisë së Madhe, që ka shpëtuar 669 fëmijë nga Çekia në vitin 1938, dhe aty ai fillon me Kosovën. Domethënë kohën e tashme e çon në kohën e kaluar të Luftës së dytë Botërore, me deportimin masiv të shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gjasa që këtë film ta shohë edhe publiku në Kosovë?

SEVDIJE AHMETI
Po do të mundohemi tani, meqë do të mbahet edhe minifestivali i filmit dokumentar mbi të drejtat e njeriut në Prishtinë…duhet patjetër ta kërkojmë edhe këtë film, ta tregojmë dhe të shihet së paku që diku përmendet Kosova, meqë ndërgjegja jonë duhet të jetë ndryshe dhe të mos na lerë të qetë që askund nuk përmendemi dhe askund nuk i kemi pjesët tona të dhimbshme në dokumentar.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç na treguat edhe më parë në këtë festival nuk pati filma dokumentarë nga Kosova. Çfarë mendoni a mund të xhirohen filma të tillë konkurrues në Kosovë me këtë temë? Çfarë duhet bërë në këtë aspekt, meqë sigurisht keni biseduar edhe me autorë filmash nga vende të tjera.

SEVDIJE AHMETI
Patjetër, unë kam biseduar dhe më ka ardhur shumë keq, kur shumë regjisorë, shumë prodhues të filmave dokumentarë, më kanë pyetur si është e mundur të mos ketë film nga Kosova, ku ka qenë gjithë ai tmerr. Unë mendoj se ka shumë ngjarje që mund të përmenden dhe mund të dalin. Ka shumë regjisorë, kameramanë…që e kanë përcjellë luftën gjatë vitit 1998-1999 deri në mars së paku, por që nuk bëjnë asgjë. Nuk di ku i kanë ata filma, a i kanë arkivuar së paku në Shqipëri apo diku tjetër, apo i mbajnë në shtëpi dhe mbeten si trezor i tyre individual dhe me xhelozi i ruajnë brenda që askush të mos dijë se çfarë ka ndodhur. Ka raste kur ne kemi patur edhe intervista drejtpërdrejti me viktimat, pastaj dihen pasojat e atyre familjeve, për shembull kemi të zhdukur nga ato familje, etj. Këto nuk ishin. Dua të them se ishte edhe një film për dëshmitarin…dhe aty është me shumë rëndësi filmi i Milaim Krasniqit, kështu përmendet, kur ai del në kohën e bombardimit nga Kosova dhe nxjerr një film ku shihen kufomat dhe të vrarët nëpër tokë, domethënë përmendet Tushilla. Fuqia e kamerës në syrin e njeriut dhe memorjen e njeriut është shumë e madhe prandaj, unë kujtoj që përgjegjësinë e kemi vetëm ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e thashë më parë ju jeni veprimtare e njohur e të drejtave të njeriut dhe për çështjet e grave dhe fëmijëve në Prishtinë. Në këtë aspekt sa mund të angazhoheni ju dhe organizata juaj joqeveritare në këtë aspect…e edhe në atë material, kuptohet.

SEVDIJE AHMETI
Po, kuptohet, ne të gjithë jemi të varur nga mjetet materiale. Por unë kujtoj se filmi dokumentar nuk është i shtrenjtë. Ne mund t'u lutemi shumë shtëpive televizive nëpër botë, sidomos BBC-së. Kemi shumë miqë, të cilët na kanë ndjekur në gjithë jetën tonë përgjatë aparteidit që kishim 10 vjet dhe përgjatë luftës. Atyre mund t'u lutemi të na japin disa sekuenca dhe ta bëjmë filmin. Ne do të përpiqemi patjetër të organizohemi, sapo të kthehem në Prishtinë. Disi më ka ardhur keq dhe e kam ndier veten keq pasi si anëtare e një jurie ndërkombëtare, s'kisha të bëj me filmin por vetëm me veprimtarinë time për të drejtat e njeriut dhe nga ana tjetër të mos ketë asnjë film nga Kosova, më ka ardhur shumë keq. Më janë kujtuar disa persona të cilët kanë bërë incizime gjatë kohës kur ishte lufta për disa familje. Është mirë që të ndiqen së paku ecejaket e atyre familjeve edhe në kohën e pasluftës. Domethënë ta paraqesin një pozitivizëm, jo film depresiv, por film impresiv, me një pozitivizëm që premton diçka në të ardhmen dhe mbijetesën tonë.
Intervistoi Fatmir BUJUPI.

XS
SM
MD
LG