Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: NUK MENDOJ SE RUSIA DO TË HUMBË NDONJËHERË INTERESIN E SAJ PËR BALLKANIN


Melazim KOCI, Radio Evropa e Lirë ”Më duhet të them që kushdo që tash po e diskuton çështjen e statusit të Kosovës po vepron ndoshta për llogari të disa interesave politike vendore…por askush nga jashtë nuk po i kushton shumë kujdes kësaj çështjeje” – thotë Patrick Moore, analist i Radios ”Evropa e Lirë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Rusia do të tërheqë trupat e saj paqeruajtëse nga Ballkani brenda dy muajve. A është kjo një shenjë e humbjes së interesit të saj për Ballkanin?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj kështu. Mendoj se ajo që po bëjnë rusët është një tërheqje taktike. Ata e shohin se ajo që do mbetet në Ballkan, është një forcë e vogël simbolike e Bashkimit Evropian, amerikanët gjithashtu po tërheqin shumicën e gjërave të tyre atje, me përjashtim të kampit Bondsteel. Le të shikojmë se çfarë do të zhvillohet në këtë rajon. Mendoj se të gjithë duhet të mbajmë mend se menjëherë pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, në fund të vitit 1991, dhe krijimit të Federatës Ruse në 1992, ministri i jashtëm i Federatës Ruse në atë kohë, Andrej Kozirev, e bëri të qartë që "edhe pse Rusia kishte rënë, ishte e varfër…dhe ushtria e saj ishte në një gjendje konfuze, ajo do të vazhdonte të kishte interesa në rajonin e Ballkanit, edhe nëse do të humbte interesat e saj për vende të tjera". Prandaj nuk mendoj se Rusia do të humbë ndonjëherë interesin e saj për Ballkanin. Ata gjithmonë do ta konsiderojnë këtë rajon si një rajon special për influencën e tyre, prandaj edhe nëse nuk janë të pranishëm me uniforma, përsëri janë aty.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë po zhvillohen shumë debate lidhur me statusin e Kosovës. Disa po kërkojnë një moratorium për statusin e Kosovës, disa të tjerë janë kundër këtij moratoriumi; disa po argumentojnë që derisa Kosova të jetë pa status të përcaktuar do të jetë vështirë të përmirësohet situata në përgjithësi. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Duhet të them që i gjithë ky diskutim absolutisht më duket surrealist. Nëse flasim për çështjen e statusit kjo ka të bëjë me të huajt…dhe shpresoj që politikanët të cilët tash po e diskutojnë këtë gjë, do të arrijnë të kuptojnë që pothuajse asnjë i huaj nuk po i kushton vëmendje kësaj pjese të botës. Vëmendja e të huajve është e përqëndruar pothuajse ekskluzivisht në Irak dhe në efektet e krizës irakiane në marrëdhëniet ndërkombëtare mes botës perëndimore dhe botës myslimane, mes Shteteve të Bashkuara dhe mbështetësve të tyre nga njëra anë dhe mes Shteteve të Bashkuara dhe rivalëve të tyre nga ana tjetër. Pra këto janë çështje te të cilat është e përqëndruar e gjithë vëmendja… dhe të huajt nuk po i kushtojnë aspak vëmendje Ballkanit. Interesi i tyre i vetëm janë zhvillimet aktuale në Serbi pas vrasjes së ish-kryeministrit Zoran Gjinxhiç, çështja e shkatërrimit të krimit të organizuar dhe ku do të çojnë të gjitha këto. Duhet të them që kushdo që po diskuton çështjen e statusit po vepron ndoshta për llogari të disa interesave politike vendore, por askush nga jashtë nuk po i kushton shumë kujdes kësaj çështjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Në përgjithësi vendet ballkanike po përballen me situata të vështira: krimi, korrupsioni, probleme të kulturës politike… Sa gjatë mendoni se ky rajon do të mbetet jostabil?

PATRICK MOORE
Është shumë interesante që duke dëgjuar të gjitha ato stacione ndërkombëtare të ndryshme, pastaj duke shikuar stacionet televizive këto javët e fundit, u habita shumë se sa gjuha dhe komentet e bëra nga njerëzit nëpër rrugët dhe kafenetë e Kajros, në Bejrut apo Damask, më kujtuan kulturën politike të Ballkanit. Ka një tendencë që të fajësohen njerëzit e tjerë për problemet e tua: "janë forcat e errëta, janë të fuqishmit, janë të tjerët që janë përgjegjës, ne jemi viktimat, ata gjithmonë fitojnë, ata gjithmonë bëjnë këtë apo atë". Kjo është pikërisht gjuha me të cilën jemi familjarizuar tashmë : "janë forcat e errëta, janë bombat e NATO-s, janë fqinjët, janë fuqitë e jashtme". Hapi i parë i zgjidhjes së problemeve të tua, pavarësisht nëse je në Lindjen e Mesme apo në vend tjetër, mendoj se është pranimi i faktit që ke një problem dhe ai është i joti dhe i vetmi që mund ta zgjidhë këtë je ti dhe askush tjetër.
XS
SM
MD
LG