Ndërlidhjet

logo-print

SANKSIONET TË HIQEN MENJËHERË


Ekonomia e Irakut është e shkatërruar, populli i varfër, kurse vendi në mënyrë të dëshpëruar e pret rindërtimin. Për fat të mirë Iraku ka naftë. Por, naftën e vet nuk mund ta shesë pasi është teknikisht akoma nën embargon e Kombeve të Bashkuara, të vënë që në vitin 1990 ndaj Saddam Husseinit, kur ai e pushtoi Kuvajtin, dhe refuzoi të hiqte dorë nga armët e shkatërrimit në masë. Ajo që nevojitet për t'i ndihmuar irakenët e përvuajtur të marrin veten është heqja e embargos dhe lejimi që të shesin naftën e tyre, shkruan Washington Post
"Por jo kaq shpejt", thotë ministri i jashtëm rus. "Ky vendim nuk mund të jetë automatik. Që Këshilli i Sigurimit të marrë këtë vendim, ne duhet të jemi të qartë nëse Iraku ka armë të shkatërrimit në masë apo jo".
Në historinë e diplomacisë, e cila daton që nga koha e Babilonisë, është e vështirë të gjendet një deklaratë kaq cinike.
Gjatë viteve 90, kur Saddam Husseini i fshihte armët e shkatërrimit në masë, rusët bënë gjithçka të mundur për të hequr sanksionet. Por tani që Iraku nuk udhëhiqet më nga një vrasës masiv, por nga një president amerikan, Rusia ka filluar të shfaqë shqetësim të papritur për armët e shkatërrimit në masë të Irakut, dhe kërkon ti ruajë sanksionet e imponuara, kurse ekonominë e Irakut ta cfilitë deri në fund.
Gazeta shkruan se cinizmi i Rusisë, që të lë pa frymë, shoqërohet nga ai i Francës. Por francezët janë më diplomatë. Preteksti i armëve të shkatërrimit në masë është si duket mjaft transparent. Në vend të kësaj francezët flasin për qartësimin e të ashtuquajturave "modalitete" përpara se të hiqet embargoja.
Por çfarë duan të ndjekin ata me këtë gjë? E duan vazhdimin e programit "naftë për ushqim", të cilin gjenerali Tommy Franks e quajti në mënyrë të saktë programi "naftë për pallate", sipas të cilit Kombet e Bashkuara i kanë përdorur të ardhurat e naftës për të blerë të mira kryesisht nga Franca, Rusia, dhe Siria përfshirë edhe pajisjet për televizionin edukativ si dhe pajisjet për anije. Ata duan honoraret e koncesioneve të jashtëzakonshme për nxjerrjen e naftës që Saddam Husseini u dha atyre në shkëmbim të favoreve për të në Kombet e Bashkuara. Ata duan që Iraku i ri të ketë në kurriz borxhe të jashtëzakonshme dhe pa krye, të cilat ata ia dhanë Saddamit, që ai të ndërtojë pallatet dhe të blejë armë.
Deri atëhere Iraku duhet të ngordhë për të ngrënë. Ky shantazh është aq i pacipë, sa që vështirë mund të besohet se Franca dhe Rusia do ta çojnë deri në fund.
Kjo është çmenduri, vazhdon gazeta amerikane. Ne e fituam luftën. Dhe, ne do ta fitojmë paqen vetëm kur ta mëkëmbim ekonominë e Irakut.
Nuk ka kurrfarë "modalitetesh". Kurrfarë negociatash. Kurrfarë marrëveshjesh. Ndërsa Franca dhe Rusia le të guxojnë të vënë veton, përfundon Washington Post.
XS
SM
MD
LG