Ndërlidhjet

RUFI OSMANI: IDE QË NËNKUPTON FATKEQËSI TË MADHE PËR PJESËTARËT E KOMUNITETEVE TË NDRYSHME ETNIKE


"Këtë ide Lupçe Georgievski e bëri publike edhe gjatë vitit 2001, në emër të firmës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe përveçse kjo si ide është anakronike, është një ide, e cila në instancë të fundit nënkupton fatkeqësi të madhe për pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike" - thotë, pos tjerash, analisti Rufi Osmani, duke folur për idenë e ish kryeministrit të Maqedonisë për ndarjen e vendit në baza etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Para së gjithash si e vlerësoni ju veprimin e fundit të Partisë Demokratike Shqiptare…a ishte ky një zhvillim i befasishëm në skenën politike të Maqedonisë?

RUFI OSMANI
Personalisht mendoj se kryesisht bëhet fjalë për një lojë fjalësh. Veprimi i subjektit në fjalë është një veprim i përsëritur. Kjo parti një veprim të ngjashëm e ka inskenuar në skenën politike në Maqedoni edhe në vitin 1995. Tashmë në konstelacionin e ri politik, një modifikim të kësaj natyre, ajo e modifikon dhe e zgjeron edhe në struktura të tjera partiake dhe pushtetarë të saj. Personalisht nuk mendoj se bëhet fjalë për një veprim të papritur. Ky veprim i këtij subjekti është i koordinuar edhe me ish-partnerin e tij të qeverisë së dikushme, me partinë e Lupço Georgievskit dhe këto dy subjekte tashmë si parti opozitare tentojnë që të hedhin ide të reja destabilizuese në skenën politike në Maqedoni, me një objektiv që të detyrojnë pushtetin aktual të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe ndoshta në këtë mënyrë të rikthehen në pozicionet e vjetra politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se tani opozita shqiptare në Maqedoni ka mbetur në duart e PPD-së, e cila në zgjedhjet e fundit fitoi një numër të vogël deputetësh në parlamentin e Maqedonisë. Pra, në këtë aspect, si dhe sa do të ndikojë ky zhvillim në bllokun politik shqiptar në Maqedoni?

RUFI OSMANI
Po duhet të konstatojmë me saktësi se në mandatin e deritanishëm gjashtëmujor të pjesëmarrjes së BDI-së në pushtet, ekzistojnë gabime të shumta qeverisëse. Kjo parti, si një parti e re politike shqiptare, nuk arrinë dot me sukses të menaxhojë pushtetin politik, të avancoj çështjen shqiptare konform marrëveshjes së Ohrit dhe në këtë drejtim kjo parti kryesisht falë cilësisë jo adekuate të përfaqësuesve të saj politikë, ka kontribut të konsiderueshëm në ngadalësimin e dinamikës së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Sigurisht dhe moratoriumi i partisë në fjalë, që do të thotë pushim nga aktivitetet politike opozitare, do të përforcojë në shikim të parë pozicionin politik të Bashkimit Demokratik për Integrim, pasi partia tjetër që duhet të luajë rolin e opozitës, nuk ka ndonjë potencial të mjaftueshëm parlamentar dhe politik, dhe në këtë mënyrë faktikisht mekanizmi korrigjues, i cili funksiononte në një farë mënyre, do të pësojë një dobësim të konsiderueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, si e shihni ju rrugëdaljen dhe përmirësimin e zhvillimeve politike?

RUFI OSMANI
Personalisht mendoj se idetë e Arbër Xhaferit dhe të Lupçe Georgievskit për krijimin e shteteve autonome etnike janë në kundërshtim të plotë me proceset integrative aktuale, si në aspektin ekonomik, politik dhe atë të sigurimit. Mendoj se idetë e kësaj natyre janë në kundërshtim me realizimin e aspiratave të çështjes shqiptare dhe në veçanti këto dëmtojnë interesin strategjik të popullit shqiptar në Kosovë, për realizimin e shtetit të pavarur të Kosovës në kuadër të kufijve aktualë. Mendoj se faktori ndërkombëtar, këtyre ideve do t'ua japë përgjigjen e merituar dhe personalisht mendoj se këto ide, pavarësisht se nga cilët persona apo subjekte lancohen, janë ide, të cilat nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për realizim, sepse nuk përkrahen as nga elektorati dhe populli i subjekteve, nga të cilët dalin këta liderë politikë dhe si të tilla do t'i takojnë të kaluarës historike dhe do të jenë një pjesë e anakronisë…e evidentuar në kronikat politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë pak më parë se idenë e Lupçe Gergievskit për ndarjen e Maqedonisë në baza etnike nuk do ta përkrahë komuniteti ndërkombëtar. Ka informacione se edhe të gjitha partitë politike, veçanërisht ato të koalicionit qeveritar, nuk e mbështesin këtë projekt dhe e kundërshtojnë atë fuqishëm.

RUFI OSMANI
Po personalisht mendoj se personi në fjalë, këtë ide e bëri publike edhe gjatë vitit 2001, në emër të firmës së Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve dhe përveçse kjo si ide është anakronike, është një ide, e cila në instancë të fundit nënkupton fatkeqësi të madhe për pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike, nuk përkon me realitetin e mirëfilltë në Maqedoni dhe me këtë rast do t'i kisha thënë personit në fjalë se nëse do të krijohej ndonjëherë mundësia që të bisedohet për këtë çështje, kriteret që ai i preferon dhe pretendon t'i zbatojë, me siguri nuk do të gjenin përkrahje, as vendore, as ndërkombëtare.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG