Ndërlidhjet

FILLIMI I BISEDIMEVE SYNON ULJEN E TENSIONEVE NË GADISHULLIN E KORESË


Jeremy Bransten, Radio Evropa e Lirë Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë bërë me dije se nuk do të manovronin duke u angazhuar në bisedime bilaterale me Korenë Veriore. Ekspertët thonë se nëse zyrtarët e Kinës përpiqen për një hap të tillë, negociatat do të përfundojnë para se të fillojnë.

Në bisedimet e Pekinit, që mendiohet se do të fillojnë të martën më 22 prill, do të marrin pjesë tri palë: Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Korea Veriore, por pritet që më vonë atyre tu bashkohen edhe Korea Jugore, Japonia dhe mundësisht edhe Rusia.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze,Yasuko Fukuda e ka mirëpritur rundin e parë të bisedimeve:

- Pas një varg negociatash mes disa vendeve, do të ketë bisedime shumpalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Koresë Veriore dhe Kinës…ky është hap i parë. Qeveria e Japonisë i përshëndet bisedimet si hap i parë për zgjidhjen paqësore të çështjeve që i përkasin Koresë Veriore, - ka thënë Fukuda.

Zëdhënësi i Departamentit të shtetit amerikan, Phil Reeker konfirmoi se Uashingtoni do të dëshironte ta shohë Tokion, Moskën dhe Seulin që eventualisht tu bashkoheshin bisedimeve:

- Një gjë është apsolutisht e qartë…e kjo është se çfarëdo qoftë niveli i fillimit të bisedimeve dhe me cilëndo pjesmarrje në fillim, ato duhet të përfshijnë pikëpamjet dhe mendimet e të gjithë fqinjëve të atij rajoni, - ka thënë Reeker.

Negociatat pritet të jenë të vështira dhe nuk është i garantuar kurrfarë progresi, por për fillim mbetet e paqartë se sa largë ka shkuar Korea Veriore në programin e saj të armëve bërthamore. Zyrtarët e Koresë Veriore thonë se programi i tyre bërthamor nuk shfrytëzohet për asgjë tjetër veçse për shfrytëzim civil, por CIA beson se Pheniani tashmë ka një apo dy bomba atomike. Korea Veriore kurrë nuk e ka konfirmuar këtë.

Ekspertët janë të ndarë lidhur me çështjen se zbutja e qëndrimit të Koresë Veriore për bisedime reflekton dëshirën e saj për kompromis për çështjen bërthamore apo, mbase Pheniani, i bindur se armët atomike janë gjëja e vetme që do të parandalonte një sulm eventual amerikan, kërkon të përfitoj në kohë.

Patrick Koellner, është ekspert për Korenë në Institutin për çështje aziatike të Universitetit të Hamburgut. Ai thotë:

- Akoma nuk mund të gjykohet me saktësi nëse Korea Veriore në fakt ka ndërmend, si të thuash, të lirohet nga sajesat e saja bërthamore apo se vërtet synon të ndjekë ambicjet e saja në këte fushë, - thotë eksperti Koellner.

Një tjetër çështje mbetet e hapur – ajo lidhur me rolin e Kinës, që është partner kryesor tregtar i Koresë Veriore. Mbetet e paqartë se a është Kina e gatshme që këtë rol ta luaj duke i bërë presion Phenianit. Zyrtarët e Pekinit, pasi u pajtuan të jenë mikpritës të bisedimeve, thanë se Kina nuk ka ndërmend të ndërmjetësojë në bisedime, të cilat, siç thonë ata, parimisht u takojnë dy vendeve…duke nënkuptuar Korenë Veriore dhe Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë bërë me dije se nuk do të manovronin duke u angazhuar në bisedime bilaterale me Korenë Veriore. Ekspertët thonë se nëse zyrtarët e Kinës përpiqen për një hap të tillë, negociatat do të përfundojnë para se të fillojnë.
XS
SM
MD
LG