Ndërlidhjet

SHEFKET MUSLIU: NUK JAM TERRORIST


”Nuk besoj që ndërkombëtarët do të veprojnë sipas këtyre kërkesave të Serbisë…sepse e njohin se kush është Serbia dhe nuk ma merr mendja që pa fakte dhe argumente mund të veproj kështu edhe Evropa” – thotë Shefket Musliu nga Lëvizja për progres demokratik në Bujanoc, i pyetur për fletarrestin ndërkombëtar që e kanë dhënë autoritetet serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Musliu, autoritetet serbe të rendit ju kanë akuzuar si pjesëmarrës dhe themelues i Armatës Kombëtare Shqiptare, formacion ky, i cili nga shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, MihaEl Shtajner, është shpallur terroriste. Si u përgjigjeni ju këtyre akuzave?

SHEFKET MUSLIU
Po shikoni, ne e kemi patur një ushtri që na e ka njohur e gjithë bota, e cila ka patur emërtimin e vet - UÇPMB. Ne kërkojmë nga zoti Shtajner, por edhe nga bashkësia evropiane dhe botërore, se ne nuk jemi terroristë dhe nuk kemi asnjë lloj ushtrie tjetër, përveç asaj që e pat bërë marrëveshjen. Unë isha nënshkrues i asaj marrëveshjeje në vitin 2001.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Musliu a keni ju ndonjë lidhje me Armatën Kombëtare Shqiptare apo jo?

SHEFKET MUSLIU
Shikoni, ne nuk kemi kurrfarë lidhje. Ne...siç e dinë të gjithë, me shkronja nuk luftohet dhe unë gjithnjë e kam cekur këtë. Këtë e kemi sqaruar dhe për mua nuk ka qenë e mirë fare…Unë kërkoj nga pala e tretë, e cila ka qenë garantuese në marrëveshjen e Konçulit, që të ulen dhe t'i sqarojnë këto sepse Serbia gjithnjë na ka quajtur terroristë neve shqiptarëve, sepse ajo e di që unë e kam bërë një luftë të drejtë dhe besoj që kam një mbështetje nga ndërkombëtarët dhe nga populli shqiptar.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë synimet e autoriteteve serbe me këto akuza kundër jush?

SHEFKET MUSLIU
Shiko, synimi i regjimit serb është mos-shkuarja ime në Kosovën Lindore…kështu mund të bëjnë lojëra, mund ti bëjnë të gjitha ato që janë në kundërshtim me atë marrëveshje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Musliu, ndërkohë autoritetet serbe të gjyqësisë njoftohet se tashmë kanë lëshuar në qarkullim një fletarrest ndërkombëtar kundër jush. Cili do të jetë reagimi juaj nëse autoritetet e ndonjë vendi tjetër jashtë Serbisë dhe Malit të Zi, angazhohen në ndjekjen tuaj?

SHEFKET MUSLIU
Nuk besoj që ndërkombëtarët do të veprojnë sipas këtyre kërkesave të Serbisë…sepse e njohin se kush është Serbia dhe nuk ma merr mendja që pa fakte dhe argumente mund të veproj kështu edhe Evropa. Unë, për këtë arsye edhe nuk e kam aspak atë brengë.
Intevistoi Arbana Vidishiqi.
XS
SM
MD
LG