Ndërlidhjet

KIM MEHMETI: MENDOJ SE BËHET FJALË PËR POLITIKANË TË HARXHUAR


”Ideja e Lupçe Georgievskit që të spastrohet Kumanova, Shkupi, Kërçova dhe Struga nga shqiptarët është shumë e vjetër, mirëpo…kurrë nuk kam mundur të besoj se ata mund të gjejnë ndihmës të tyre në bllokun shqiptar, siç e gjetën në këtë rast” – thotë Kim Mehmeti, analist nga Shkupi, duke folur për idenë e ish kryeministrit të Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Së pari dëshiroj të diskutojmë lidhur me memorandumin e Partisë Demokratike Shqiptare. Si e shpjegoni ju këtë veprim të kësaj partie shqiptare që ndodhi pikërisht kur pritej zbatimi i mëtejmë i marrëveshjes politike, pasi lideri i kësaj partie zoti Xhaferri ishte nënshkrues i marrëveshjes?

KIM MEHMETI
Nëse i bëni një analizë diademës së sukseseve politike të PDSH-së, do të vëreni se ajo është e thurrur nga një radikalizëm i zbrazur dhe nga mospasja e një koncepti të qartë politik, përveç atij që me çdo kusht dhe me cilindo, përfshirë këtu edhe "dreqin e mallkuar", të mbeten në qeveri. Dhe ndoshta pikërisht ky pasion i tyre për të mbetur në pushtet, për të qenë në pushtet, krerët e PDSH-së i solli në pozitë të mos arrijnë jo më larg sesa të bëhen asistentë të Lupçe Georgievskit, i cili që moti punon me konceptin e spastrimit të Shkupit nga shqiptarët. Në fund të fundit nëse shqiptarët mendojnë se ky është koncepti i tyre, unë nuk kam se çfarë të bëj, përveçse të them publikisht se nuk e dua shtetin etnik, që do të ma ndërtojë Ljupçe Georgievski dhe ndihmësit e tij në PDSH. Dhe në këtë moment unë mendoj se VMRO-ja dhe krerët e PDSH-së janë në të njëjtën vijë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një mënyrë duket se ky zhvillim do ta ndryshojë strukturën e opozitës shqiptare në Maqedoni. Si do të ndikoj ky zhvillim pra në proceset politike, veçanërisht në bllokun politik shqiptar?

KIM MEHMETI
Unë mendoj se bëhet fjalë edhe për politikanë të harxhuar, të cilët duan të arrijnë këtë efekt, që në një farë mënyre edhe ne e begatojmë me këtë bisedë. Ato duan të mbeten të gjallë në këtë mënyrë; që do të ndotin këtë ambientit politik me deklarata shumë të forta, me deklarata shumë radikale që disi të mbeten në skenë. Kjo, pasi bëhet fjalë për njerëz, që më duket se shumë vështirë mund ta përjetojnë faktin, që populli shqiptar mund të bëjë diçka edhe pa ata. Ai është një mentalitet bajraktaresk, i cili do të thotë "që nëse nuk e kam unë bajrakun në dorë, atëhere nuk vlen kurrgjë as ai popull, as ai bajrak, të cilin unë e udhëheq" dhe në këtë kontekst unë mendoj se ne shqiptarët e Maqedonisë mund të paguajmë një çmim shumë të lartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Idetë e ish kryeministrit Georgievski për ndarjen e Maqedonisë në baza etnike, u kundërshtua nga faktori ndërkombëtar në Shkup dhe nga partitë e bllokut qeveritar. Në VMRO-DPMNE thonë se kjo është ide personale e liderit të tyre. Si e shpjegoni ju këtë zhvillim dhe ku e ka zanafillën ai?

KIM MEHMETI
Kjo ide nuk është e re, vetëm aktorët tani dalin më në sipërfaqe, sepse nuk mund të fshihen. Unë për këtë ide kam dëgjuar që në vitin 1991, mirëpo kurrë nuk kam mundur të besoj se ideologët e murit që do të vihet në Grupçin, mund të gjejnë bashkëlojtarë në bllokun shqiptar dhe tashti kjo mua më befason se përndryshe, ideja e Lupçe Georgievskit që të spastrohet Kumanova, Shkupi, Kërçova dhe Struga nga shqiptarët është shumë e vjetër, mirëpo thashë se kurrë nuk kam mundur të besoj se ata mund të gjejnë ndihmës të tyre në bllokun shqiptar, siç e gjetën në këtë rast. Sepse mos harroni ju që Lupçe Georgievski ishte ai që kërkonte dhoma gazi për shqiptarët, ndërsa Arbër Xhaferri është ai që kërkonte të flitet vetëm shqip dhe në fund tani doli që qëllimi i tyre është ky "le të na mbetet një shtet, sikur të jetë edhe vetëm një fshat, vetëm ne të jemi në krye të atij shteti". Dhe mendoj se kjo logjikë është logjikë që është dominante në Ballkan, jo vetëm në këtë hapësirë.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG