Ndërlidhjet

NATO: JEMI KUNDËR SHTETEVE ETNIKE


Intervistë me Nikolas Bigmann, ambasador i NATO-s në Maqedoni

RADIO EUROPA E LIRË
Zoti ambasador, si i komentoni vendimet e PDSH-së
për shpalljen e moratoriumit, për idenë e formimit të
shtetit etnik dhe në të njëjtën kohë, si e komentoni
qëndrimin e Lubço Georgievskit për ndarjen e Maqedonisë?

NIKOLAS BIGMANN
Kjo është një mënyrë e mendimit që tashmë është
vjetëruar dhe që lidhet me shekullin XIX apo XX. Këto
ide kanë shkaktuar lumenj gjaku këtu në Ballkan dhe
kudo në botë. Bashkësia ndërkombëtare tanimë është
alergjike kur bëhet fjalë për shtete të pastra etnike.
Mendojmë se kjo nuk funksionon. Mund t’ju them se ne
jemi 100 % kundër kësaj ideje, pa marrë parasysh ku
i ka burimet e veta. Qoftë nga ana e Lubço
Georgievskit, nga ana e PDSH-së apo nga ana e cilitdo
tjetër. Unë nuk e kuptoj se çka ndodhur në strukturat
e PDSH-së. Mendoj se edhe ata vet s’dinë se ç’po
ndodh me ta. Kam përshtypjen se janë shumë të hutuar
për mënyrën se si duhet të funksionojë një parti
opozitare në demokraci.

RADIO EUROPA E LIRË
Si e shihni idenë e nënkryetarit të PDSH-së, z.
Menduh Thaçit, për krijimin e një farë protektorati në
Maqedoni?

NIKOLAS BIGMANN
Mendoj se kjo është një non-sens, sepse qytetarët e
Maqedonisë tanimë kanë treguar se dinë se si duhet
t’i zgjidhin vetë çështjet e hapura. Këtë e kanë bërë para
dy viteve, në muajin gusht. Qytetarët e Maqedonisë e
kanë Marrëveshjen e Ohrit dhe të gjithë që e
nënshkruan këtë Marrëveshje duhet t’i përmbahen asaj.
Edhe Georgievski edhe Xhaferri jane të obliguar që t’i
përmbahen firmës së tyre. Tani nuk mund të thonë se
s’kanë menduar ta bëjnë këtë.

RADIO EUROPA E LIRË
Si e vlerësoni këtë radikalizëm të opozitës? A mund
këto hapa radikale ta vënë në rrezik stabilitetin e
shtetit?

NIKOLAS BIGMANN
Mendoj se nuk mundet. Unë këtu shoh vetëm një hutim.
Siç thashë pak më parë, me duket sikur opozita, ose
disa politikanë nga opozita e kanë humbur rrugën. Nuk
dine ç’të bëjnë, si të veprojnë, dhe i radikalizojnë
deklaratat e tyre. Ndoshta shpresojnë se do ta
përfitojnë vëmendjen e qytetarëve të Maqedonisë dhe
do të gjejnë njerëz që do ta ndajnë bindjen e tyre,
por nuk mendoj se kjo do të ketë ndonjë ndikim në
stabilitetin e vendit. Këtë e them sepse më duket se
këta politikanë përpiqen ta tërheqin vëmendjen e
qytetarëve nga situata ekonomike, por edhe nga lufta
kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit.
Për Maqedoninë është e rëndësishme që të bëhet anëtare
e BE-së dhe NATO-s, kurse lufta kundër kriminalitetit
të organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë primare.
Shtetet e pastra etnike dhe muret e betonit sikur në
Palestinë, janë diçka që s’është aq serioze. Mendoj
se Maqedonia është e sigurtë dhe stabile dhe kështu do
të mbetet, pa marrë parasysh se c’thonë këta politikanë.

Intervistoi Ivan Bllazhevski
XS
SM
MD
LG