Ndërlidhjet

logo-print

HASELOCK: INSTITUCIONET E KOSOVËS NUK I PËRMBUSHIN AS ATO KOMPETENCA QË I KANË


Intervistë me Simon Haselock, Shef i Zyrës për Informim i UNMIK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haselock, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, e ka kritikuar UNMIK-un për burokraci, duke e vlerësuar zvarritjen e transferimit të përgjegjësive si të papranueshme. Ku e ka burimin e tërë kjo pakënaqësi e institucioneve të Kosovës në raport me UNMIK-un?

SIMON HASELOCK
Në fakt mendoj se kritikat që na janë bërë, veçanërisht këtë javë, janë shumë dëshpëruese. Niveli i debateve i disa njerëzve është i ashpër, përfshirë këtu edhe kryetarin e Kuvendit. Dhe sërish problemi qëndron tek ne, pra meqë jemi, siç thuhet burokratë. Më duhet të them se ne jemi burokraci dhe niveli i kësaj burokracie është çështje e hapur për t'u diskutuar. Çdo institucion dhe çdo qeveri është burokratike. Por, edhe pse mund të themi se gjërat nuk janë zhvilluar me dinamikën, të cilën ne e kemi dashur, megjithatë janë shënuar përparime. Nëse i shikojmë institucionet e Kosovës, çfarë shohim? Nuk shohim efekte, por shumë diskutime dhe shumë retorikë. Mendojmë se ka ardhur koha që në vend të kritikohemi pa arsye, njerëzit duhet të punojnë. Shikojeni për shembull Kuvendin dhe numrin e ligjeve që kanë miratuar, pavarësisht nga fakti sa prej tyre janë nënshkruar. Sa ligje kanë shqyrtuar dhe miratuar në të vërtetë? Sa substanciale ka qenë puna që deri tani e ka bërë ky Kuvend? Sa kritika ka pasur lidhur me dështimin e Kuvendit për të respektuar procedurat e tij?
Zoti Daci ankohet për ne, por sa ankesa ka marrë ai jo vetëm nga ne, por nga anëtarët tjerë të Kuvendit dhe partitë politike mbi mënyrën se si udhëhiqet ky institucion? Serbët janë ankuar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është ankuar, Partia Demokratike e Kosovës është ankuar. Brenda Kuvendi ka pasur pakënaqësi të konsiderueshme mbi mënyrën se si është shqyrtuar Ligji mbi Arsimin e Lartë. Prandaj, mendoj se njerëzit fillimisht duhet t’i zgjidhin çështjet e brendshme, para se të shikojnë të tjerat.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju gjithashtu jeni kritikuar për mosnënshkrimin e ligjeve tashmë të miratuara nga Kuvendi. Përse nuk i nënshkruani këto ligje?

SIMON HASELOCK
Në shqyrtim për nënshkrim janë shtatë ligje. Tre prej tyre i kemi nënshkruar, ashtu siç është kërkuar nga ne. Por kritikat se këto ligje janë duke pritur për nënshkrim për shkak të burokracisë sonë janë nonsens. Arsyeja pse fillimisht nuk e kemi nënshkruar asnjë ligj është ndërlidhur me efektivitetin e tyre. Ne kemi vendosur, në fakt Mihael Steiner ka vendosur, që tre prej këtyre ligjeve t’i nënshkruajë, megjithë rezervat e tij për zbatimin efektiv të tyre. Këto ligje nuk janë ligje të mira, nuk janë shkruar mirë, nuk përmbajnë provizionet që do të duhej të përmbanin, por kemi vendosur t’i nënshkruajmë meqë nuk përmbajnë asnjë element dëmtues për askënd. Por, po e them se nuk janë ligje të mira dhe mund të ketë vështirësi në zbatimin e tyre. Mbi katër ligjet e tjera kemi rezerva shumë specifike. Këto ligje janë hartuar në atë mënyrë, që bien në kundërshtim me Kornizën Kushtetuese dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, për faktin se ndërhyjnë në të drejtat e rezervuara. Kuvendi dhe Qeveria e kanë ditur këtë tash e sa kohë, prandaj është e gabueshme dhe jo e drejtë të thuhet se është faji ynë. Zoti Daci madje na ka propozuar krijimin e një mekanizmi që do të mundësonte krijimin e një trupi të përbashkët, i cili do t’i rishqyrtonte ligjet e miratuara për të tejkaluar këtë situatë. Por, kjo asnjëherë nuk është bërë dhe pikërisht për këtë arsye zoti Steiner i ka shkruar para disa ditësh një letër zotit Daci, duke i rikujtuar atij të katër ligjet që presin rishqyrtim dhe duke ia caktuar afatin deri më 30 prill për krijimin e mekanizmit të propozuar nga vetë ai dhe të mbështetur nga ne. Dhe nëse nuk e bën një gjë të tillë, ne do t’i nënshkruajmë në mënyrën në të cilën duhet të jenë ato ligje.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse më lejoni të citoj zëvendës-ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Williamson, i cili ka thënë se deri në fund të vitit UNMIK-u duhet t’i transferojë përgjegjësitë, natyrisht ato që nuk janë e drejtë e rezervuar. Duke pasur parasysh rrethanat për të cilat folët deri më tani, sa mund të realizohet një proces i tillë?

SIMON HASELOCK
Nuk shoh asnjë arsye për mosrealizimin e këtij qëllimi. Ju e cituat zëvendës-ambasadorin amerikan, por më lejoni të them se edhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara sa edhe ne, për dorëzimin e përgjegjësive tek njerëzit kompetentë. Shtetet e Bashkuara nuk janë të mendimit se ne duhet t’i dorëzojmë të gjitha përgjegjësitë në duart e qeverisë, pavarësisht nga aftësitë e saj për t’i përmbushur ato. Ne kemi thënë se bëhet fjalë për kompetenca të mëdha dhe për t’i marrë ato në duar, duhet që duart të jenë të forta. Duhet bërë pak gjimnastikë për t’i sforcuar këto duar, duhet stërvitje. Ata nuk janë duke i përmbushur si duhet as përgjegjësitë, të cilat tashmë i kanë.
Të shkojmë me radhë, nëse doni që të jem i drejtëpërdrejtë. Përse në njërën anë thonë se nuk paguhen si duhet, ndërkaq nga ana tjetër kërkojnë krijimin e ministrive të reja? Krijimi i ministrive të reja do të thotë shërbime të reja publike, zyra të reja dhe më shumë njerëz për të paguar. Pse ju duhet Ministria e Mbrojtjes? E kemi KFOR-in këtu, kemi selinë e kësaj force jo shumë larg nga zyra ku jemi tani, e cila në esencë është Ministri e Mbrojtjes. Kemi një gjeneral NATO-je të ulur aty, çfarë dëshironi ju, një gjeneral kosovar të ulur në Ministrinë e Mbrojtjes? Për çfarë ju duhet Ministria e Jashtme, kur për të gjitha çështjet e jashtme angazhohet dhe paguan komuniteti ndërkombëtar. Kush do të paguajë, në rast të krijimit të Ministrisë së Jashtme pavarësisht nga statusi përfundimtar, ambasadorët dhe zyrat e tyre jashtë vendit? Tani t’i analizojmë pak edhe përgjegjësitë që i kanë, pra shëndetësinë dhe arsimin. Kemi dëgjuar njerëzit brenda qeverisë të kenë thënë se arsimi dhe shëndetësia janë çështje minore, duam sektorin e mbrojtjes dhe të marrëdhënieve me jashtë. Nëse në një vend perëndimor një politikan thotë se shëndetësia dhe arsimi janë çështje minore, karrieria e tij politike përfundon. Mjaft folët për simbolizmin, merruni me problemet.

RADIO EVROPA E LIRË
Por ata thonë se ju nuk i lejoni…

SIMON HASELOCK
Ata duhet të dëshmojnë se janë duke punuar, ne nuk presim prej tyre që t’i zgjidhin problemet brenda natës, prej tyre presim që t’iu qasen atyre. Dhe për këtë natyrisht se kanë përgjegjësi, kanë përgjegjësi edhe në rrafshet për të cilat ata vetë thonë se nuk kanë. Të marrim për shembull gjyqësinë, rreth 90 % janë gjykatës vendorë, ne kemi një përqindje shumë të vogël. Është e vërtetë se ne e mbikqyrim sistemin gjyqësor, por për faktin se gjyqësia kosovare nuk ka bazë të fortë. Në fakt sistemi gjyqësor në Kosovë nuk ka ekzistuar kurrë. Në Ministrinë e Financave keni zyrtarë të lartë që thonë se përgjigja për krizën ekonomike në Kosovë do të ishte krijimi i një valute kosovare, në kohën kur këtu tashmë po funksionon euroja. Rajonet tjera në Ballkan do të vdisnin për të pasur euron, këto vende çdo ditë janë duke luftuar për të mundësuar që Bashkimi Evropian ta njohë valutën e tyre dhe ta zëvendësojë me euron. Kjo është çmenduri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haselock, përfaqësues të disa institucioneve kosovare gjithashtu kanë kritikuar shefin e UNMIK-ut se ka transmetuar informacione të gabueshme në Këshillin e Sigurimit mbi punën e institucioneve vendore. Është e vërtetë kjo?


SIMON HASELOCK
A nuk ju duket i jashtëzakonshëm fakti se kemi arritur në nivelin e debatit publik ku kryetari i Kuvendit të Kosovës e quan përfaqësuesin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara gënjeshtar. Në esencë këtë është duke e thënë. Raportet që i dërgohen Këshillit të Sigurimit dhe Kombeve të Bashkuara nuk sajohen vetëm në zyrën e zotit Steiner. Gjërat hulumtohen, nuk krijohen vetëm nga UNMIK-u, ato i raportohen edhe zyrave ndërlidhëse të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Po të raportonim gabim, këto zyra ndërlidhëse do të reagonin duke thënë se nuk është e vërtetë. Këshilli i Sigurimit deri më tani na ka përkrahur. Atje nuk është një grumbull ambasadorësh që rri ulur dhe pret raportet nga Mihael Steiner. Ata kanë edhe raportet e veta nga terreni, nëpërmjet zyrave ndërlidhëse. Britania e Madhe ka zyrën e vet këtu, Gjermania, Rusia, Shtetet e Bashkuara, të gjitha i kanë zyrat e veta ndërlidhëse. Zoti Daci në esencë e ka quajtur zotin Steiner përpara komunitetit ndërkombëtar gënjeshtar dhe kjo është thjesht tronditëse.

Intervistoi: Arbana Vidishiqi

XS
SM
MD
LG