Ndërlidhjet

ERMIR DOBIANI: PENGESA MË E MADHE KA QENË ME HOPE NGA INSTITUCIONI I PROKURORISË SHQIPTARE


”Çdo ditë e më shumë, ka një ndërgjegjësim akoma më të madh të të gjitha institucioneve për respektimin e institucionit të Avokatit të Popullit, për respektimin e të drejtave të njeriut por aty - këtu ka edhe individë në këto institucione, që akoma gjërat nuk i kanë kuptuar mire” – thotë Avokati i popullit në Shqipëri, Ermir Dobiani.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht në zyrën tuaj janë 4200 dosje ankimore nga ana e qytetarëve, të cilat presin zgjidhje. Sipas mendimit tuaj a shkelen të drejtat e njeriut në Shqipëri nga ana e institucioneve tona shtetërore…nëse po sa është ajo shkelje?

ERMIR DOBIANI
Periudha në të cilën ndodhet vendi ynë, rreth 12 vjet shtet demokratik, për shkak se akoma ka shumë probleme në rradhë të parë social-ekonomike në Shqipëri, natyrisht edhe ka shkelje nga administrata publike shqiptare. Por fakti është që ne e njohim gjendjen për aq sa ankohen në zyrën tonë. Pra mund të ketë shkelje shumë më tepër dhe që nuk vijnë në zyrën tonë. Ose nga ana tjetër, kemi parasysh se një numër i madh shkeljesh arkivohen në gjykatë, pasi njerëzit shkojnë në gjykatë të zgjidhin problemet e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ju mirëpresin institucionet shqiptare? Sa janë të gatshme për t'ju ndihmuar për të zgjidhur këto probleme?

ERMIR DOBIANI
Duke qenë se ne kemi zgjidhur një numër çështjesh në favor, kjo tregon se në përgjithësi administrata publike shqiptare e ka mirëpritur institucionin tonë. Ky është një tregues i rëndësishëm se klasa politike shqiptare, institucionet shqiptare janë të përgjegjshme për rritjen e standarteve të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ka dhe institucione që mezi e pranojnë Avokatin e popullit, që e kundërshtojnë, por besojmë se edhe ato do të ndërgjegjësohen çdo ditë e më tepër për domosdoshmërinë…nevojën e respektimit të institucionit të Avokatit të popullit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se vit pas viti ka një përmirësim në ndërgjegjësimin e këtyre institucioneve në respektimin e të drejtave të njeriut?

ERMIR DOBIANI
Natyrisht…vit për vit, çdo ditë e më shumë, ka një ndërgjegjësim akoma më të madh të të gjitha institucioneve për respektimin e institucionit të Avokatit të popullit, për respektimin e të drejtave të njeriut, por aty - këtu ka edhe individë në këto institucione që akoma gjërat nuk i kanë kuptuar mirë. Megjithatë besoj se me punën e madhe që bëhet nga të gjithë faktorët edhe ata do të heqin dorë nga qëndrimet neglizhuese ose mospërfillëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku e shikoni pengesën më të madhe në punën tuaj?

ERMIR DOBIANI
Pengesa më e madhe ka qenë me hope nga institucioni i Prokurorisë shqiptare, që s'ka dashur të pranoj aksesin e Avokatit të popullit dhe nevojën e respektimit të rekomandimeve të tij, të punës së tij, sepse kështu në rradhë të parë mbrohen të drejtat e qytetarëve, që është punë edhe e Prokurorisë edhe e Avokatit të Popullit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni ta zgjidhni këtë përplasje me Prokurorinë?

ERMIR DOBIANI
Po, secili i ka të përcaktuara detyrat në Kushtetutë dhe në ligje dhe unë atë që kisha për të thënë e thashë në raportin vjetor në parlament dhe i takon parlamentit të mbajë qëndrim dhe institucioneve nga të cilat varet Prokurori i përgjithshëm.
Intervistoi Alma Çupi.

XS
SM
MD
LG