Ndërlidhjet

logo-print

EVROPA SYNON TË FORCOHET ME NISMAT E REJA NË FUSHËN E MBROJTJES


WALL STREET JOURNAL

Kriza e Irakut e detyron Evropën të jetë më serioze rreth ambicjeve të saja në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Një kohë të gjatë i parë si gjigant ekonomik dhe pigmej i politikës, Bashkimi Evropian së voni ka vendosur të zgjedhë një ministër të fuqishëm të jashtëm, i cili për herë të parë do të ndihmojë në sajimin e politikës së jashtme evropiane, e jo vetëm në shitjen e saj. Një grup i nivelit të lartë e shkruan kushtetutën për unionin, i cili së shpejti do të ketë 25 anëtarë.
Disa vende madje duan të shkojnë edhe më shpejtë. Kryeministri i Belgjikës Guy Verhofstad të martën është nikoqir i takimit me liderët e vendeve fqinje, Francës, Gjermanisë dhe Luksemburgut, për t'i ringjallur planet e vjetra e të përgjumura për një mbrojtje avangarde, e cila do t'u vinte mishin në kockë ambicjeve të politikës së jashtme të Evropës. Kritikët janë shprehur se iniciativa është ndërmarrë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Belgjikë në 18 maj, dhe thonë se paktit të mbrojtjes të Bashkimit Evropian pa Britaninë do t'i mungonte kredibiliteti.
"Ky nuk është ekipi i ëndërrave", thotë Steve Larrabee, shkencëtar i lartë i politikës në Korporatën Rand në Uashington. "Ju flitni për dy pigmejë në fushën e mbrojtjes, të cilët u prijnëndryshimeve", thotë ai duke iu referuar Belgjikës dhe Gjermanisë.
Pavarësisht nëse takimi në Bruksel do të japë rezultate, ai e pasqyron bindjen e përhapur në Evropë, të kulminuar me ndarjet e brendshme rreth Irakut, se Bashkimi Evropian duhet të fillojë t'i adresojë të mangësitë që i ka në fushën e mbrojtjes, përpara se të godasë kriza e ardhshme. Bëhet fjalë për ambicje politike dhe kapacitet për të vepruar përtej kësaj ambicje", ka thënë francezi Michael Barnier, autor i konventës kushtetuese, e cila bën thirrje për politikë të përbashkët të mbrojtjes.
Përkundër dallimeve rreth Irakut, asnjëra nga vendet anëtare nuk dëshiron të mbetet jashtë unionit me mbrotje të forcuar, për të cilin qytetarët evropianë bëjnë aq zhurmë. Anketimet e opinionit tregojnë se njerëzit duan bashkëpunim më të madh gjithë-evropian në çështjet e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Emërtimi i ministrit të jashtëm evropian do të ndihmonte që unioni të flas me një zë dhe të veprojë me vendosmëri në situata të krizës. Por, liderët evropianë thonë se ministri i jashtëm pa para dhe pa armë nuk ka kuptim.
"Mbi bazat e progresit serioz në fushën e mbrojtjes, duhet krijuar kushte optimale që kjo politikë e jashtme të vihet në praktikë", ka thënë presidenti francez Jacques Chirac.
Elementi më kontraverz i planit të zotit Verhovstadt është thirrja që pjesëtarët e unionit mbrojtës evropian t'i dalin në ndihmë njëri tjetrit në rast të ndonjë sulmi të armatosur. Britania e Madhe druan se kjo klauzulë mund të nxitë tensione brenda Aleancës Veriatlantike, në të cilën, Evropa është partnare e Shteteve të Bashkuara, edhe pse ka shpenzuar më pak.
"Evropa duhet të pushojë së luajturi lojëra budallenjsh", ka thënë një delegat britanik në konventën kushtetuese të unionit.
XS
SM
MD
LG