Ndërlidhjet

BALLKANI PËRBALLET ME NJË TË ARDHME TË PASIGURT


Jane's Intelligence Review

Michael Steiner, kryeadministratori i Kosovës dhe njeriu përgjegjës për kthimin e Kosovës në një shtet vetqeverisës thotë se stabiliteti i vërtetë mund të arrihet në Ballkan vetëm kur bota të jetë e gatshme të merret me këtë çështje.
Komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi nuk është i gatshëm të shqyrtojë statusin final të Kosovës. Koha për diskutimin e statusit përfundimtar do të vijë më shpejt se ç'mendojnë disa, por për momentin Bashkimi Evropian është i përqëndruar në zgjerimin e tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të përqëndruara në Irak dhe në luftën kundër terrorizmit.
Ndërkaq KFOR-i tani llogarit 25.000 trupa në përbërje të vet, krahasuar me 41.000 që kishte në gusht të 2001-shit. Status quoja e tashme në Kosovë sa vjen dhe i ngjan ndarjes së Bosnjës. Llogariten 50.000 serbë që jetojnë në veri të Kosovës, plotësisht të ndarë nga shumica shqiptare. Dhe nga 230.000 serbë të zhvendosur, vetëm 5.800 janë kthyer deri tani. Edhe ata që kanë mbetur në disa zona në Kosovë, kërkojnë mbrojtjen e KFOR-it për të lëvizur. Të gjithë, përveç një grupi të vogël ultra-nacionalistësh serbë, i janë nënshtruar idesë së humbjes së shumicës së Kosovës, dhe kjo sepse ata nuk pranojnë të jetojnë nën qeverisjen e shumicës shqiptare.
Shumica e informacioneve sugjerojnë se serbët në pjesë të ndryshme të Kosovës më shumë mendojnë për t'u larguar nga Kosova, por ata që jetojnë në veriun e Kosovës janë më kokëfortë.
Ndërkaq, asnjë nga tre partitë kryesore shqiptare nuk është e përgatitur të bëjë kompromis lidhur me kufijtë. Bashkësia ndërkombëtare gjithashtu nuk është e vullnetshme të shikojë ndarjen si mundësi. Steiner ka thënë se nuk i sheh çështjet etnike të zgjidhura përmes ndarjes territoriale. Interesat e serbëve, nënvizon ai, duhet të trajtohen me një mbrojtje të posaçme. Popullsia civile në veri të Kosovës dhe elementë të qeverisë së Beogradit mbeten të vullnetshme të kundërshtojnë përfshirjen e kësaj pjese në Kosovën si shtet të pavarur. Nuk ka dyshim se ka një aktivitet të shtuar të shërbimeve sekrete serbe në veri të Kosovës, ndonëse ato u bënë më pak të dukshme dhe më pak agresive gjatë vitit 2002. Në nëntor të vitit të kaluar, Steiner dhe Gjinxhiç nënshkruan një marrëveshje, ku Beogradi do t'i dorëzonte drejtimin e institucioneve paralele në veri të Kosovës, UNMIK-ut. Si pjesë e kësaj marëveshjeje Gjinxhiçi do të ndërpriste financimet për "Rojet e urës" në Mitrovicë, një bandë e organizuar që në të shkuarën ishte përgjegjëse për shumë incidente të dhunshme.
Beogradi kishte financuar "Rojet e urës" përmes rrugëve të ndryshme dhe padyshim anëtarë të shërbimit sekret serb, kanë vepruar brenda kësaj bande. Ndonëse "Rojat e urës" e vazhdojnë aktivitein e tyre, shërbimet perëndimore të inteligjencës thonë se ato nuk mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Nga ana tjetër, ndërsa padurimi i shqiptarëve lidhur me statusin final të Kosovës po rritet, për momentin ka më shumë faktorë që mund të shkaktojnë destabilizimin e rajonit.
Mundësia se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të nxjerrë urdhëra arresti edhe ndaj drejtuesve të ndryshëm shqiptarë gjatë 2003-shit, përfaqëson një rrezik ndër më seriozët.
Tjetër element është lidhja që thuhet se ekziston mes disa politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe krimit të organizuar. Lufta kundër trafikut të njerëzve, narkotikëve dhe duhanit, gjithashtu mund të krijojë trazira që mund të duken si të motivuara politikisht.
XS
SM
MD
LG