Ndërlidhjet

logo-print

ESAD STAVILECI: PO KALOJMË NGA SISTEMI I LINDJES DËSHPËRUESE NË NJË SISTEM TJETËR TË PERËNDIMIT PREMTUES


”Mos harroni se ne kemi katër vjet që kemi dalë nga lufta, mos harroni se kemi kaluar nëpër një sistem, i cili ishte shumë i rëndë për ne, prandaj, në një farë mënyre, ndoshta dhe kjo e arsyeton mungesën apo vonesën e demokracisë në Kosovë” - thotë profesori i Fakultetit Juridik në Prishtinë, Esad Stavileci duke folur në temën e zhvillimit të demokracisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni shkallën aktuale të zhvillimit të demokracisë në Kosovë?

ESAD STAVILECI
Tash jemi në shkonjën e parë të demokracisë…kam parasysh në shkallën e ulët të mundësive për të kaluar prej një sistemi të mëparshëm në një sistem të ri, i cili pretendon apo synon të mbështetet në vlerat e mirëfillta të demokracisë. Prandaj mendimi im është se ne po i bëjmë hapat e parë duke kaluar prej një, le të themi, "sistemi të lindjes dëshpëruese" në një sistem tjetër të "perëndimit premtues". Mundësitë tani për tani që të mbështetim një model amerikan janë shumë të kufizuara, për vetë faktin se veprojmë në kushte dhe rrethana që e bëjnë të pamundshëm përqafimin, qoftë edhe të një modeli amerikan, i cili është i pranueshëm nga të gjithë, sepse dihet se mësimi i demokracisë është pikërisht në institucionet amerikane.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shpjegoni ju këto rrethana?

ESAD STAVILECI
Për vetë faktin se ne jemi në këtë kohë ende nën administrimin ndërkombëtar dhe ata që do të dëshironin të lëvronin më thellë, do të nxjerrin një përfundim se gati është e pamundur të jesh nën administrim ndërkombëtar dhe të ndërtosh demokraci. Sikur nuk ecin së bashku, sepse vetëvendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar, i bën të kufizuara edhe jetën demokratike, edhe jetën institucionale… edhe të qënit qytetar i mirëfilltë në kuptimin juridik. Po unë mendoj se do të duhej të ecnim nëpër një konsolidim të brendshëm duke u marrë me ato çështje që përbëjnë thelbin e jetesës në Kosovë, por asnjëherë duke mos hequr dorë nga synimet e Kosovës për të ndërtuar krah më krah, apo hap pas hapi, edhe atë që ne ndonjëherë e përmendim si të parën…pavarësinë e Kosovës. Mendoj se krijimi i këtyre kushteve çon në një rrugë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci, cilat mendoni se janë çështjet kyçe mbi të cilat shoqëria kosovare do të duhej ta orientonte energjinë për ndërtimin e demokracisë?

ESAD STAVILECI
Po ne mund të merremi për shembull, si me problemin e zhvillimit ekonomik. Unë do ta filloja me atë edhe pse jam jurist në profesion, sepse ndeshemi me një shkallë shumë të ulët të zhvillimit të ekonomisë, pastaj përpjekjet që na mungojnë janë për të ndërtuar reforma institucionale, që përfshijnë aty edhe ekonominë e tregut, por edhe demokracinë politike, dhe më tej fushat e veçanta të jetës si arsimi, kultura, sepse të gjitha këto ndikojnë në ndërgjegjësimin e popullit. Demorkacia nuk mund të zhvillohet në një shoqëri, e cila ballafaqohet ende edhe me një shkallë të ulët të ndërgjegjësimit për të ndërtuar një diçka të re. Mos harroni se ka katër vjet kemi që ne kemi dalë nga lufta, mos harroni se kemi kaluar nëpër një sistem, i cili ishte shumë i rëndë për ne, prandaj në një farë mënyre ndoshta dhe kjo e arsyeton mungesën apo vonesën e demokracisë në Kosovë.
Intervistoi Bekim Bislimi.
XS
SM
MD
LG