Ndërlidhjet

RAKIPI: FORCIMI I MARRËDHËNIEVE TIRANË-UASHINGTON ËSHTË I LIDHUR DHE I KUSHTËZUAR ME NIVELIN E REFORMAVE NË SHQIPËRI


Albert Rakipi, Drejtor i Institutit Shqiptar të Marrëdhënieve Ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Në Tiranë po qëndron Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell. Si do ta vlerësonit përzgjedhjen e zotit Powell për të vizituar Shqipërinë?

ALBERT RAKIPI
Sigurisht është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe natyrisht nuk është një zgjedhje e rastit. Të kemi parasysh këtu që Sekretari i Shtetit ka vizituar Spanjën dhe pastaj ka zgjedhur Shqipërinë. Sigurisht kjo ka të bëjë me qëndrimin e qartë të elitës politike, të të gjitha elitave të shoqërisë dhe të popullit shqiptar, në qëndrimin ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, që është një marrëdhënie koherente gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Por sigurisht kjo lidhet edhe me luftën në Irak, me qëndrimin e qartë që qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera shqiptare mbajtën duke u rreshtuar pa asnjë rezervë në koalicionin ndërkombëtar për çarmatosjen e regjimit të Saddam Husseinit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Tiranë Powell nënshkroi dhe një marrëveshje në nivel rajonal. A ka gjasa që Shqipëria të marrë rolin e një vendi drejtues në rajon?

ALBERT RAKIPI
Siç i kemi parë fazat e anëtarësimit në NATO, eksperiencën e anëtarësimit të vendeve të tjerave, ai ka ndodhur gjithmonë me rajone. Kam parasysh këtu vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore dhe sigurisht inkurajimi i një vendi si Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i rëndësishëm për anëtarësimin e pritshëm të vendit tonë në NATO. Duke qënë një grup që vjen nga një rajon problematik në aspektin e sigurisë, pra një grup vendesh Maqedoni, Shqipëri, Kroaci, sigurisht është më e mundshme dhe është më e pritshme të ketë rezultate më të shpejta e më të qarta në integrimin në NATO.
Pra nga njëra anë, është garanci shumë e madhe që Shtetet e Bashkuara e mbështetin këtë iniciativë në grup të këtyre vendeve, dhe nga ana tjetër është shumë funksionale për t'iu afruar integrimit në NATO përmes një grupi. Kjo nënkupton se problemet që egzistojnë në Ballkan, jo domosdoshmërisht midis këtyre tre vendeve, por për shembull, marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, edhe pse nuk ka probleme midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, ka probleme që duhen qartësuar brenda Maqedonisë dhe është pikërisht për natyrën e një rajoni siç është Ballkani, ku marrëdhëniet që duken të brendshme janë edhe ndërkombëtare, që lidhen me fqinjët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rakipi, rreshtimi i Shqipërisë në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në fushatën ushtarake për çlirimin e Irakut, a është i mjaftueshëm që marrëdhëniet Tiranë- Uashington të ngrihen në nivelin e partneritetit?

ALBERT RAKIPI
Sigurisht është një investim i qartë dhe një investim i mirë për rritjen e nivelit të marrëdhënieve. Ka pasur gjithmonë një klimë të qartë, një klimë pozitive në marrëdhëniet midis dy vendeve, por natyrisht nuk është e mjaftueshme që thjesht përmes këij rreshtimi në koalicionin ndërkombëtar të kemi rezultate mjaft pozitive. Siç është bërë e qartë sot nga deklarimet e Sekretarit të Shtetit Powell, ose siç është bërë e qartë nga deklarimet e mëparshme të qeverisë amerikane, do të konsideroja këtu dhe deklarimin dhe angazhimin e ambasadorit amerikan në Tiranë, zotit Jeffrey, forcimi i marrëdhënieve dhe përfitimet e dyanshme, sidomos në anën e Shqipërisë, janë të lidhura dhe të kushtëzuara me nivelin e reformave në Shqipëri. Këto kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit ligjor, me funksionimin e demokracisë, me funksionimin e ekonomisë së tregut. SHBA-ja ka vënë përballë shoqërisë shqiptare një paketë të qartë të reformave dhe të nevojës që ka për të dhënë rezultate të qarta në fushat që përmenda më sipër dhe që kanë të bëjnë edhe me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, me mënyrën se si funksionon demokracia në Shqipëri dhe ekonomia e tregut, ku është zotëruese siç e dimë ekonomia e paligjshme.
Pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetin një sistem vlerash, të cilat bazohen në vlerat e lirisë, të demokracisë, të ekonomisë së tregut, të konkurrencës dhe pavarësisht nga dëshira e madhe dhe investimi i madh amerikan, natyrisht nuk mund të ketë progres, nuk mund të ketë rezultate të qarta, në qoftë se nuk ecet me intensitet të qartë dhe me rezultate të qarta në realizimin e këtyre detyrave që qëndrojnë përballë shoqërisë shqiptare dhe elitave qeverisëse.

Intervistoi Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG