Ndërlidhjet

JOSEPH: DEKLARATAT E GEORGIEVSKIT DHE XHAFERRIT JANË TË PAPËRGJEGJSHME


Eduard Joseph, Grupi Ndërkombëtar i Krizave

RADIO EUROPA E LIRË
Zoti Joseph, si e komentoni vendimin e PDSH-së dhe Arber Xhaferrit për shpalljen e moratoriumit për aktivitetet e tyre politike?

EDUARD JOSEPH
Ky është një gabim sepse shohim se bëhet fjalë për një vendim që ka të bëjë me dëshpërimin dhe mossuksesin e të dy politikanëve që i humbën zgjedhjet e fundit. Ata janë nënshkrues të Marrëveshjes së Ohrit dhe pa marrë parasysh vlerësimet e tyre se në çfarë shkalle është zbatuar kjo Marrëveshje, apo a do të ketë sukses, ata kanë ndërmarrë një detyrë formale dhe unë e konsideroj si një hap të papërgjegjshëm, shmangien nga ky obligim.

RADIO EUROPA E LIRË
Po si e shihni qëndrimin e Ljubço Georgievskit lidhur me ndarjen e shtetit?

EDUARD JOSEPH
Edhe mendimin e Georgievskit për ndarjen e vendit e konsideroj si një papërgjegjësi dhe një shkurtpamësi. Pse e them këtë? Së pari kjo është e papërgjegjshme, sepse me këtë u dërgohet një mesazh elementeve radikale, që ende janë të rrezikshme për sigurinë e Maqedonisë dhe t’u inkurajohen mendimet e tyre se Marrëveshja e Ohrit nuk është fundi i çështjeve të hapura. Kjo është shumë e rrezikshme. Të themi, pse një shqiptar tani ta respektojë Marrëveshjen mes Beogradit e Shkupit për demarkacionin e vijës kufitare, kur Ljubço Georgievski sapo tha se Marrëveshja e Ohrit nuk vlen më dhe se ne, patjetër, do të duhet të shënojmë kufij të rinj. Ai dhe Arber Xhaferri e sollën veten në një konflikt me bashkësinë ndërkombëtare.

RADIO EUROPA E LIRË
Këta liderë thanë se Marrëveshja e Ohrit ka vdekur dhe se me këtë nuk zgjidhen problemet e shtetit? Cili është komenti juaj?

EDUARD JOSEPH
Marrëveshja e Ohrit është zbatuar shumë ngadalë. Maqedonasit duhet të kuptojnë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është edhe në interesin e tyre. Ajo e stabilizon vendin, ruan integritetin e tij dhe ne asnjëherë nuk do të jemi për federalizimin, kantonizimin apo ndarjen e tij. Jo!

Intervistoi Ivan Bllazhevski

XS
SM
MD
LG