Ndërlidhjet

logo-print

NIJAZI MUHAMEDI: PËRKUNDËR DEKLARATAVE TË XHAFERIT DHE GEORGIEVSKIT, NUK KA MASË KRITIKE PËR DESTABILIZIMIN E MAQEDONISË


Nijazi Muhamedi, analist nga Shkupi

RADIO EUROPA E LIRË
Zoti Muhamedi, si i vlerësoni zhvillimet në skenën politike të Maqedonisë pas deklaratave të fundit të liderëve të PDSH-së dhe VMRO-DMPMNE-së, Arbër Xhaferit dhe Ljupço Georgievskit?

NIJAZI MUHAMEDI
Këto zhvillime nuk duhen kuptuar në mënyrë aq dramatike, sa iu dhanë dramaticitet mediat e këtushme dhe disa nga jashtë. Bëhet fjalë për disa opcione që vetë populli i ka rrëzuar me votën e tij, pasi dihet se edhe në palën shqiptare, në zgjedhet, disa nga partitë që tani gjoja e mbrojnë opcionin e krijimit të shtetit etnik, nuk e morën besimin e popullit, ndërkaq edhe nga pala maqedonase.
E dyta, këto dy opsione që ju referuam tani, dallohen për nga destinacioni dhe funksionaliteti që duan të kryejnë në hapësirën politike këtu në Maqedoni. Mendoj që dështimet politike të zotit Georgievski janë të nxitura për t'i ndihmuar Crvenkovskit që ta forcojë pozicionin e tij karshi faktorit ndërkombëtar, që ta devalvojë tërësisht, ashtu siç ka dashur të devalvojë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dmth kryen një mision " patriotik" ndaj popullit maqedonas me rastin e largimit të tij nga skena politike, gjë që dhe e bëri. E dyta, prononcimi i Arbër Xhaferit, edhe pse është sinkron në kohën kur bëhet me zotin Georgievksi, nxitet nga hallet e veta të brendshme të zotit Xhaferi, që i ka në partinë e tij. Brenda partisë së tij është nisur një lëvizje për konsolidimin e PDSH-së pa figurat e komprometuara në korrupsion, dhe me këto teshtima zoti Xhaferri do të relativizojë këtë konfrontim të brendshëm të partisë së tij dhe eventualisht të bëjë një testim të ri, nëse mund të mbetet edhe më tej në skenë apo jo.

RADIO EUROPA E LIRË
Zoti Muhamedi, diplomatë të perëndimit në Shkup kanë deklaruar se hapat e fundit të këtyre liderëve partiakë mund t'i inkurajojnë elementet radikale në Maqedoni. A mendoni se ekziston rrezik nga ndonjë shkallëzim i situatës në vend?

NIJAZI MUHAMEDI
Jo, fare nuk ka këtu rrezik. Por rrezik ka këtu, nëse zoti Branko Crvenkovski shkon më tutje në luajtjen e kësaj komedie që ai e quan Marrëveshja e Ohrit. Në fakt, Marrëveshja e Ohrit nuk egziston as në programin e tij elektoral, e as në përcaktimet e tij. Egziston vetëm si një ofertë. Faktori ndërkombëtar nuk duhet të shqetësohet për një destabilizim, se nuk ka rrënjë dhe as që ka masë kritike për destabilizim. Por është fakt se kur do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët se nga kjo marrëveshje është bërë një lojë fare e pandershme në kurriz të tyre, atëhere kuptohet që populli do të kërkojë alternativë tjetër politike për ta gjetur rrugën e humbur politike që ia kanë servirur liderët e tij.


Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG