Ndërlidhjet

logo-print

GANGSTERËT E KALOJNË PIKNIKUN NË BURG


NEW YORK TIMES

Ata tani po i kalojnë ditët në Burgun Qendror të Beogradit, gratë të veshura me rroba elegante të stilit italian, kurse burrat me syze të errëta dhe rroba të zeza. Janë këto mbeturinat e ish elitës së Beogradit, gratë, shoqet dhe avokatët e disa nga mijëra figurave të dyshuara të krimit të organizuar dhe kriminelëve të luftës, të cilët janë arrestuar që nga 12 marsi, kur u vra kryeministri i Serbisë Zoran Xhingjiq.
Deri tani, të paktën 45 persona janë akuzuar për vrasjen, përfshirë ish zyrtarë të qeverisë dhe pjesëtarë të Beretave të Kuqe, njësi policore e ndërlidhur me mizoritë më të këqija në luftërat ballkanike.
Gjatë dekadës së sundimit të Sllobodan Millosheviqit, por edhe gjatë periudhës së tranzicionit, Beogradi ishte sheshi i asaj që vendasit e quanin "Mafija". Këta ishin rrugaçët, hajdutët, gangsterët dhe paramilitarët, që udhëheqnin me rrjetat e tyre kriminale, me vrasjet, dhunimet, plaçkitjet dhe orkestrimin e spastrimeve etnike në atë që quhej Jugosllavi.
"Politika ishte e kriminalizuar dhe krimi ishte i politizuar", ka thënë Veran Matiç, redaktor i radios së pavarur B-92. "Arkani ishte kriminel, kriminel i luftës, dhe njëherit kryetar i një partie politike, ishte anëtar i parlamentit dhe e kishte yllin më të madh të muzikës në vend. Ata i përcaktonin vlerat e shoqërisë serbe", ka thënë Matiç.
Madje edhe pas Millosheviqit, i cili u përmbys në vitin 2000 dhe tani gjykohet në Hagë, mafia dhe kriminelët e dyshuar të luftës e mbajtën ndikimin e tyre në Beograd, dhe filluan zhvatjen, shantazhet, reketimin dhe rrëmbimin e biznesmenëve.
Bota e tyre kollapsoi në mars kur u vra kryeministri Zoran Xhiongjiq. Në operacionet pas atentatit, policia arrestoi 10.111 njerëz, nga të cilët mbi 4.500 ende janë në burg. Jashtë grilave ka mbetur vetëm Millorad Llukoviq, i quajtur Legija.
"Sot mund të themi se i kemi dhënë një goditje të rëndë krimit të organizuar", ka thënë Natasha Miçiç, ushtruese e detyrës president i Serbisë. "E kemi shpërndarë aparatin kriminal të Millosheviqit dhe e kemi dëmtuar rëndë spiralen e krimit që e ka shkatërruar vendin mbi një dekadë", ka thënë Miçiç.
Presioni ndaj bandave ka krijuar panik të madh në radhët e narkomanëve të Beogradit, kurse klinikat rehabilituese janë mbushur përplot konsumues të drogës. Ndërkohë, disa shitës të prodhimeve ekskluzive thonë se biznesi ka rënë, dhe kanë filluar t'i ulin çmimet, ngaqë blerësit më të mëdhej, tani janë në burg.
"Legija dhe të tjerët haptas e terrorizonin Beogradin", ka deklaruar Jovan Dulloviç, gazetar i kronikës së krimit në javoren "Vreme", për të shtuar se "tani mund të merret frymë lirisht".
XS
SM
MD
LG