Ndërlidhjet

logo-print

E. HOXHAJ: " MORATORIUMI ËSHTË ANTI-MORATORIUM"


Intervistë me Enver Hoxhaj, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, në një letër dërguar kryesuesit të rradhës së OSBE-së, ka thënë se disa qarqe po përpiqen që ta izolojnë ndërkombëtarisht Kosovën. Çfarë sinjali është ky për Kosovën dhe cilat janë këto qarqe nëse ka të tilla?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se një deklaratë e tillë, sigurisht është e bazuar në fakte dhe është refleks i një përvoje të presidentit të Kosovës. Përshtypja ime është se gjatë këtij viti të fundit ka patur mesazhe të tilla të përcjellura nga disa shtete perëndimore, që vërtet të komunikojnë me Kosovën përmes Beogradit, jo direkt përmes Prishtinës. Ndoshta tani një deklaratë e tillë e presidentit Rugova është më shumë si një lloj mesazhi, edhe pse është dërguar në emrin e OSBE-së, si një lloj mesazhi, i cili j'u dërgohet disa shteteve të ndryshme perëndimore dhe botërore, të cilat edhe më tutje synojnë ta injorojnë Kosovën si faktor politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Hoxhaj, ka patur edhe dy raporte, të cilat janë cilësuar si të pafavorshme për Kosovën. Është raporti i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe raporti i Amnesty International për gjendjen e pakicave në Kosovë. Çfarë sinjale janë këto për Kosovën, në fakt, në kohën kur institucionet e Kosovës po kërkojnë sa më shumë kompetenca?

ENVER HOXHAJ
Këto dy raporte, janë vërtet një zhvillim i ri politik për Kosovën, janë një mesazh jashtëzakonisht i fortë për faktorët politikë në Kosovë, sidomos për përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Nuk mund të them se raporte të tilla janë pritur se do të hartohen. Një fakt është evident, që gjendja e pakicave në Kosovë është jo dhe aq e favorshme, dhe institucionet e Kosovës do duhej vërtet të punojnë, në kuptimin që të përgatitin një klimë të mirëfilltë, edhe për kthimin por edhe për riintegrimin e minoriteteve. Në bazë të përvojës sime personale, në bazë të bisedave që kam zhvilluar, në bazë të asaj sesa e njoh Kosovën, duhet të them se egziston një lloj hendek mes asaj sesa të gatshëm janë qytetarët e Kosovës të pranojnë riintegrimin dhe kthimin e pakicave, dhe sesa mesazhe të gabuara politike shpesh herë përcjell lidershipi politik. E marrë në përgjithësi, tek popullata në Kosovë egziston një gadishmëri shumë më e madhe për integrim dhe kthim të pakicave, sesa tek lidershipi politik, i cili përmes mesazheve shpesh herë të ngjyrosura me një gjuhë pak a shumë të njëanshme dhe selektive, krijon një përshtypje të gënjeshtër për gjendjen në Kosovë. Reagimi i institucioneve të Kosovës kur është fjala edhe për raportin e zotit Kofi Anan por edhe për atë të Amnesty International, është në vazhdën e reagimeve të cilat zakonisht jemi mësuar t'i dëgjojmë në Kosovë. Zakonisht janë reagime që bëhen vetëm për mediat, mirëpo jo në formë të shkruar, jo në formë institucionale, jo në formë të thukët dhe me argumenta të reja, që vërtet nëse nuk besohet që gjendja e minoriteteve është e tillë në Kosovë, atëhere do duhet të dëshmohet e kundërta.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ana tjetër zoti Hoxhaj, zyra amerikane në Prishtinë ka thënë se përkrah një pjesë të idesë së moratoriumit të zotit Thaçi.

ENVER HOXHAJ
Ajo çfarë thuhet në deklaratën e PDK-së dhe në deklarimet e fundit të zotit Thaçi që moratoriumi në fund të fundit nënkupton një lloj operacionalizimi, një lloj afatizimi të procesit, pikërisht nuk është moratorium por është anti- moratorium. Mesazhet që vijnë nga zyra amerikane në Prishtinë janë në frymën edhe të një pjese të moratoriumit, por edhe të një pjese të formulimit të UNMIK-ut të zotit Shtajner që "në fillim standartet dhe pastaj statusi.
Unë mendoj se përkundër asaj, partitë tona politike, institucionet tona të Kosovës, do duhej të fokusohen në çështje konkrete, praktike, por vazhdimisht do duhet të bëhet presion, që nëse nuk hapet në formë direkte çështja e statusit final i Kosovës, atëhere Kosova të njihet si faktor relevant politik ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Do të thotë që edhe në Paktin e Stabilitetit të ketë shumë më tepër hapësirë për praninë e Kosovës, por edhe Kosova të jetë pjesë e të gjitha forumeve ndërkombëtare, pavarësisht nëse e ka të zgjidhur çështjen e statusit final, apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë sipas jush, sa janë të përgatitura, sa kanë strategji të qartë institucionet e Kosovës, që të marrin kompetencat që kërkojnë dhe njëkohësisht të përmbushin standartet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare, domosdoshmërinë e përmbushjes së të cilave e konfirmoi edhe zoti Harnish në komunikatën e fundit të zyrës amerikane?

ENVER HOXHAJ
Presioni i zyrës amerikane që vërtet të punohet për plotësimin e standarteve është në dobi të Kosovës, është në dobi të kosovarëve. Duhet të them se standartet, mënyra se si janë prezantuar, mënyra se si janë diskutuar në jetën tonë publike, janë më tepër një qasje ideologjike e një procesi prej lart-poshtë, sesa një program praktik për qeverinë e Kosovës. Për mendimin tim institucionet e Kosovës aktualisht janë vërtet të pjekura që të marrin të gjitha ato kompetenca që janë të parapara që do duhet të transferohen, ndoshta edhe disa nga kompetencat që janë të rezervuara për zotin Shtajner. Në mesin e këtyre standarteve, ka të tilla të cilat vërtet nuk mund të plotësohen, nëse nuk ndodh transferimi i pushtetit, i kompetencave. Mirëpo ajo që dua të them është se këto standarte janë të formuluara me frymën evropiane, por do duhej vërtet të jenë shumë të të detajshme, do duhet të jenë të përkthehen në program të punës për institucionet e Kosovës. Në anën tjetër disa nga standartet janë aq të larta për mendimin tim, sa sikur të aplikoheshin në shtetet e rajonit, atëhere atyre do të duhej t'ju merreshe shtetësia, sepse nuk janë në gjendje që vërtet t'i plotësojnë këto standarte. Kështu që kjo qasje ideologjike e bashkësisë ndërkombëtare do duhej të përkthehej në terma konkrete dhe institucionet e Kosovës do duhej të bëjnë presion edhe në drejtim të plotësimit të standarteve, mirëpo edhe në drejtim të marrjes së kompetencave.

Intervistoi Rahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG