Ndërlidhjet

EVROPIANËT E "KËQINJ"


WALL STREET JOURNAL

Polonia moderne e përjeton pranverën e saj. Trupat polake luftuan krahas aleatëve në Irak kurse Varshava u dakordua të drejtojë operacionet paqeruajtëse në veri të Irakut, bashkë me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara.
Polonia për herë të parë është bërë fuqi serioze në Evropë, dhe vitin tjetër do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, me një rol të rëndësishëm në politikën e mbrojtjes dhe të marrëdhënieve transatlantike.
Por reagimet në Berlin, Bruksel, dhe Paris flasin për ndryshimet tektonike që po ndodhin në Evropë pas Irakut. Udhëheqësit e këtyre shteteve heshtnin, që më pas ti lansojnë kritikat për rolin e fuqishëm të Polonisë në Irak. Diplomatët e tyre filluan të cilësonin polakët si "vasalë të amerikanëve", si "evropianë të këqinj", që tregohen të gatshëm të përfitojnë nga financimet e Bashkimit Evropian, kurse i minojnë përpjekjet për të krijuar një politikë të jashtme të përbashkët të Unionit.
Presidenti francez Jacques Chirac në fillim të vitit i cilësoi evropiano-lindorët pro-amerikanë si "fëmijë të mbrapshtë", ndërsa Joschka Fischer, ministri i jashtëm gjerman, spekulloi se amerikanët i përdorën polakët për të turpëruar dhe ndarë "Evropën e vjetër" nga "Evropa e re".
Duke mos patur argumente tjera, Franca dhe Gjermania u përpoqën të praktikojnë një formë të re të euro-shovinizmit, sipas së cilës, avokatët e marrëdhënieve vitale transatlantike, si Tony Blair dhe Hose Maria Aznar, janë tradhëtarët që kanë bërë zgjedhjen e gabuar.
Edhe kryetari i komisionit të Bashkimit Evropian Romano Prodi, i tërhoqi vëmendjen Polonisë muajin e kaluar duke thënë që "një shtet nuk mund t'ia besojë kuletën e tij Evropës dhe sigurinë Amerikës".
Këtyre insinuatave, polakët u janë përgjigjur duke e cilësuar zgjedhjen mes Evropës dhe Amerikës si fallso. Madje këtë javë, Varshava i ftoi gjermanët të marrin pjesë me ta në misionin paqeruajtës në Irak.
Berlini i indinjuar e refuzoi ofertën.
Këto janë kohë të vështira për diplomacinë gjermane. Deri para pozicionimit anti-amerikan të Shrëderit në zgjedhjet e kaluara, zgjerimi i Bashkimit Evropian mendohej se do ta bënte Gjermaninë lojtar të fortë në politikën evropiane dhe globale. Por tani Gjermania vendnumëron dhe fqinji i tij i varfër ka dalë në qendër të vëmendjes.
Tani nuk është koha për fyerje. Polonia i ofron Evropës një mundësi. Polakët janë të shqetësuar për pozicionin e Francës dhe të Gjermanisë dhe duan të ndihmojnë duke u bërë ndërmjetës mes tyre dhe Amerikës.
Samiti i sotëm i liderëve të Polonisë, Francës dhe Gjermanisë në Vroclav të Polonisë mund të bëjë hapin e parë. Hapi i dytë mund të bëhet gjatë vizitës së presidentit Bush në Krakov në fund të majit.
Mbi të gjitha, polakët duan të ndërtojnë të ardhmen e Bashkimit Evropian mbi një marrëdhënie strategjike me Amerikën, të cilën Franca dhe Gjermania janë të gatshme ta sakrifikojnë për hir të Evropës së tyre imagjinare.
Atëhere cilët janë evropianët e këqinj në këtë mes?
XS
SM
MD
LG