Ndërlidhjet

MOORE:"SHIRAK DHE SHREDER DO TË PAGUAJNË ÇMIMIN"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Bashkimi Evropian ka kritikuar Shqipërinë për vendimin që me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të nënshkruajë marrëveshjen që qytetarët amerikanë të përjashtohen nga jurisdiksioni i Gjyqit Penal Ndërkombëtar. Shtypi i Tiranës shkruan se Brukseli po i kërcënohet Shqipërisë dhe se do të ndëshkohet për këtë veprim.

PATRIK MOORE
Nuk do të befasohesha nëse BE do të përpiqej të ndëshkonte Shqipërinë. Duhet të them se opinioni im personal për Unionin Evropian ka ndryshuar vitet e fundit. Në fillim e shikoja ashtu si shumë amerikanë, si një shpresë që Evropa do të mund të punonte së bashku dhe të krijonte një atmosferë, në të cilën nuk do të kishte më luftra apo konflikte dhe që amerikanët nuk do të duhej të ndërhynin, t'u jepnin fund luftimeve, dhe të zgjidhnin gjërat në Evropë, siç bënë dy herë në shekullin e 20-të. Por tani Unionin Evropian e shikoj si një burokraci të madhe, të shtrenjtë, jo demokratike dhe jo transparente që ka nevojë për t'u reformuar. Opinioni im është gjithashtu që mbi të gjitha ka shumë arrogancë dhe kjo arrogancë shprehet ndaj njerëzve dhe vendeve jashtë Unionit Evropian. Prandaj nëse do të isha në Shqipëri nuk do t'u besoja komenteve që nuk do të ketë ndëshkime pasi me siguri do t'i prisja ato. Gjëja pozitive që duhet theksuar është se Shqipëria nuk ka shumë për të humbur. Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë Shqipërisë ndonjë shpresë për anëtarësim të shpejt, Shqipëria nuk ka një afat të caktuar siç e kanë kroatët dhe qëllimi i ndëshkimit të Shqipërisë nuk është i duhur.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, përfaqësuesit e "Evropës së Vjetër" siç thotë Donald Rumsfeld, në përgjithësi po kërcënojnë "Evropën e re" për shkak të mbështetjes që i dhanë Amerikës në luftën kundër Irakut. Kjo retorikë tingëllon e pakuptimtë dhe kërcënon të rrezikojë edhe minimumin e unitetit brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian. A mund të kalohen këto ndarje?

PATRIK MOORE
Po dhe mendoj se njerëzit si zoti Shirak dhe zoti Shrëder së shpejti do të ballafaqohen me një befasi të madhe dhe të pakëndshme. Ata nuk do të lejohen nga anëtarët e tjerë të NATO-s dhe Unionit Evropian që të drejtojnë Bashkimin Evropian sikur të ishte një organizatë e tyre private, ku të tjerët, siç do të thoshte presidenti francez, "do të duhej të mbyllnin gojën". Gjithashtu nuk mendoj se do të lejohen të shpërbëjnë NATO-n, pasi edhe nëse duan të krijojnë komandën e pavarur ushtarake evropiane, nuk kanë fonde për të. Franca është kritikuar nga Unioni Evropian për shkak të deficitit të saj të madh, Gjermania është e qartë që nuk ka fonde për shpenzime ushtarake dhe le të mos flasim pastaj për Belgjikën, Luksemburgun. Mendoj se gjërat do të zgjidhen vetë sidomos në NATO. Shpresoj kështu pasi e dimë se shumë vende kanë pritur kaq gjatë që të anëtarësohen në këtë organizatë si pjesë e ribashkimit të tyre me familjen kulturore dhe strukturën politike të stabilitetit dhe mendoj se do të ishte më shumë se kriminale nga ana e disa liderëve të "Evropës së Vjetër" që të transformojnë këto organizata në koloni e tyre siç i kishin dikur në Afrikë. Mendoj se ajo që duhet të theksohet gjithashtu është se Shtetet e Bashkuara në administratën e tyre aktuale kanë njerëz shumë inteligjentë si zoti Pauell dhe zoti Ramsfeld që dinë shumë mirë çfarë bëjnë dhe mendoj se do të sigurojnë që zoti Shirak, zoti Shrëder dhe disa të tjerë të mos largohen nga skena pa paguar një çmim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, a mendoni se Parisi, Berlini dhe Moska janë duke vepruar kështu për faktin se nuk janë në gjendje t'u përshtaten rrethanave të reja në rendin botëror në të cilën Amerika është forcë dominante?

PATRIK MOORE
Po, dhe mendoj se kjo është një pjesë e asaj që zoti Rumsfeld kishte parasysh kur përmendi termin "Evropa e Vjetër". Ata jetojnë në të kaluarën. Dhe ashtu siç thatë edhe ju, ka një xhelozi të fortë, një dëshirë të fortë që të rikthejn fuqinë e vjetër. Gjermanët, francezët, rusët, italianët janë sjellë si unilateristë gjithnjë duke menduar se mund t'u ecte. Problemi i tyre tani është që nuk kanë më fuqinë e dikurshëm. Por nuk bën t'i konsiderojmë francezët gjermanët dhe rusët njëlloj. Rusët janë shumë pragmatikë, dhe e dinë çfarë duan dhe dinë si ta arrijnë atë. Ka disa gjëra që ata duan, përfshirë këtu mbështetjen për politikën e tyre në kufijtë jugorë që ata e dinë se vetëm Amerika mund t'ua japë. Sa i përket Gjermanisë, ka njerëz për rreth Shrëderit që nuk do të donin asgjë tjetër pos të dëbojnë amerikanët nga Evropa dhe të vendosnin një lloj hegjemonie në kontinent bashk me francezët dhe rusët. Por këta njerëz nuk janë shumicë madje as brenda Partisë Social-demokrate. Arsyeja pse zoti Shrëder veproi ashtu siç veproi ishte përfitimi i mbështetjes brenda vendit, pasi është i dobët, pasi ekonomia është e dobët, pasi sistemi i pensioneve është lëmsh, pasi sistemi i shëndetësisë është lëmsh. Me fjalë të tjera Shrëderi sillet kështu për arsye politike, nuk e bën për arsye ideologjike. Ai nuk e bën për të njëjtat arsye si francezët. 80% e gjermanëve në anketat e fundit thonë se duan një përmirësim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Dhe Shrëderi këtu shikon një mundësi, prandaj tash po përpiqet të gjejë mënyrën për një riafrim me amerikanët.
Po francezët? Këtu qëndron problemi. Nëse i rikthehemi pyetjes suaj, Franca është një nga vendet që ka patur probleme psikologjike të reflektuara në politikë me faktin se nuk janë më fuqi e madhe. Zhak Shirak është një burrë i vjetër që shumicën e jetës së tij e ka kaluar në politika të vogla, i cili tani ka një shumicë dërmuese parlamentare dhe e shikon veten si kryetarin e një lëvizjeje të gjerë ndërkombëtare për kontrollimin e amerikanëve. Ai ka një ministër të jashtëm i cili është zëdhënësi i tij dhe shkruan libra për Napoleonin. Ka një problem këtu dhe derisa këta njerëz të gjejnë rrugën e tyre drejt realitetit politik, përsëri mendoj se do të shikojmë në politikën e jashtme të Francës sjellje shumë të çuditshme.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG