Ndërlidhjet

NATO-JA E RE: ORGANIZMI I VETËM I BESUESHËM PËR PAQEN


NEW YORK TIMES

Ndërsa po bie pluhuri pas Irakut, është koha të shihet rezultati i pasojave ndaj Aleancës Atlantike. Konkludimi im është se ngjarjet e fundit dëshmuan se nuk ka zëvendësim për bashkëpunimin e afërt dhe aktiv ndërmjet Evropës dhe Amerikës Veriore.
Nëse ndërtimin e paqes dhe sigurisë duhet ta bartim nga shekulli i kaluar në shekullin e ri, atëherë mjeti i vetëm është NATO-ja. Sot aleanca me sukses i adreson sfidat reale që i përballim në botën pas 11 shtatorit.
Aleanca e sotme nuk është aleanca e Luftës së Ftohtë. Gjatë vitit 2002, qeveritë e Amerikës Veriore dhe Evropës radikalisht e transformuan NATO-n. Përkundër disa mospajtimeve për t'ia dalë në krye me kërcënimet e kohës, nuk shoh ndonjë ndarje fundamentale në perceptimet nga dy anët e Atlantikut, apo ndërmjet Evropës së vjetër dhe të re. Ekziston mirëkuptim i përbashkët se jostabiliteti në përmasat globale ndikon tek ne kudo që jemi. Afganistani nën Talibanët, eksportonte jostabilitet te fqinjët, drogë në Evropë, kurse terrorizëm dhe refugjatë në mbarë botën.
Shkalla e kërcënimeve gjithashtu shënon rritje. Terrorizmi është ndërkombëtarizuar, vizionin e ka më apokaliptik dhe është më vdekjeprurës. Përhapja e armëve biokimike dhe bërthamore gjithashtu paraqet sfidë në shekullin e ri.
Në vitin 2002 ngjanë dy ndryshime thelbësore në fushën e sigurisë: u ndërtua partneriteti i të barabartëve ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, dhe marrëveshja se NATO-ja duhet të përgatitet të veprojë edhe përtej zonës së saj tradicionale në Evropë.
Ka kritika se NATO-ja nuk investon sa duhet në kapacitetet moderne. Por Iraku demonstroi se prioritetet që i vendosëm në Pragë ishin të drejta. Ndërkohë, shkojmë përpara me forcat e reja, të cilat do të sigurojnë se aleatët e NATO-s mund të kontribuojnë me efektivitet në çfarëdo operacione ushtarake.
Transformimi ushtarak është transformim transatlantik, dhe kjo më bën t'i përkushtohem partneritetit strategjik të NATO-s me Bashkimin Evropian. Këto dy organizata mund të jenë shtyllat binjake të bashkëpunimit në fushën e sigurisë në shekullin e ri. Por, ato duhet të japin prova konkrete se mund të bëjnë diçka më shumë se retorikë.
Në botë, NATO-ja dhe anëtarët evropianë po i luajnë rolet kyçe. Përveç operacioneve në vazhdim në Ballkan dhe Mesdhe, NATO-ja sapo e përfundoi vendosjen e sistemeve AWACS dhe atyre antiraketore për të mbrojtur Turqinë nga Saddami. Ajo që filloi me publicitet negativ, u tregua si rrëfim i suksesshëm: NATO e bëri punën për t'i mbrojtur anëtarët e saj. Ndërkaq vendimi i 16 prillit për të marrë përsipër Forcat Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan, kaloi pa ndonjë koment të veçantë. Vendimi është po aq i rëndësishëm sa involvimi i parë i NATO-s në Ballkan. Vendet e NATO-s nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e angazhimit të ngjashëm në Irak.
Ky është ai multilateralizëm pragmatik i një aleance, e cila u adaptua dhe u transformua në mënyrë dramatike. Kjo tregon se ajo mund të përballojë gjithçka, sado e vështirë që të jetë.

Autori i tekstit është George Robertson, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

XS
SM
MD
LG