Ndërlidhjet

R. SMAKAJ: PRIVATIZIMI ËSHTË JETIK PËR KOSOVËN


Riza Smakaj, ekspert i çështjeve juridike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Smakaj, cila është rëndësia e nënshkrimit të rregullores për shfrytëzimin e tokës?

RIZA SMAKAJ
Pa fije dyshimi është fjala për një akt juridik të përgjithshëm, të karakterit ligjor, me rëndësi kruciale për Kosovën, për çështjen e Kosovës dhe për ekonominë e saj, në radhë të parë për pronën dhe marrëdhëniet pronësore juridike në pronat e quajtura shoqërore. Do t’u shërbejë qytetarëve, institucioneve dhe procedurës për transformimin e pronës shoqërore, sepse tashmë është përcaktuar procedimi, kriteriumi dhe kushtet. Kështu që tani nuk është fjala se duhet të pritet për ligj, sepse tashmë ai është dhe duhet të realizohet, të bëhet realitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo rregullore ka kaluar me muaj të tërë duke u shqyrtuar në zyrat e OKB-së në New York. Cilat janë ndryshimet që kanë mundësuar nënshkrimin e saj?

RIZA SMAKAJ
Teksti fillestar ka qenë krejtësisht tjetër fare, mirëpo ndërkohë strukturat e ndryshme e kanë imponuar ndonjë klauzolë, ndonjë solucion, ndonjë paragraf tjetër. Më pastaj çështja është problematizuar dhe ndryshimet janë ato substanciale. Kudo që shprehjet e reflektojnë ndonjë esencë të shtetësisë, ato janë eliminuar. Tek e fundit, neve nuk
na pengon ajo, sepse as me këtë ligj e as me ndonjë
ligj tjetër, Kosova nuk mund të bëhet shtet dhe as që
pretendohet. Shteti bëhet me kushtetutë. Kështu që,
fundja, këto janë ndryshime kozmetike, politike e më
tepër juridike, sa i përket formulimeve të aspektit
juridik formal. Më në fund është bërë promugacioni, do
të thotë, nënshkrimi nga Përfaqësuesi Special i
Sekretarit Gjeneral të OKB-së për Kosovën dhe është
shpallur, kështu që tani presim të fillojë implementimi aq shumë i pritur dhe aq shumë i nevojshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Smakaj, autoritetet serbe e kanë vlerësuar këtë nënshkrim si hajdutëri të kapitalit shoqëror, pronar i së cilës, sipas tyre, është Beogradi. Sa ka hapësirë reale për vlerësime të tilla?

RIZA SMAKAJ
Dihet fare mirë se çfarë pretendimesh kanë pasur, kanë dhe do të kenë autoritetet serbe. Sipas tyre, jo vetëm prona shoqërore, por çdo gjë, madje edhe prona private është pronë e Serbisë, do të thotë, edhe njerëzit, edhe ajri mbi Kosovë, edhe uji nëntokësor e mbitokësor janë të Serbisë. Prandaj ato janë pretendime të karakterit të fluskulave
hegjemoniste serbomëdha, antishqiptare dhe në radhë të
parë antikosovare. Ato janë pretendime totalisht
tendencioze dhe ashtu ka vepruar Serbia gjatë pushtetit të saj prej vitit 1989 deri më 1999.

Intervistoi Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG