Ndërlidhjet

logo-print

LIDHJET E AL- KAIDËS ME SULMET NË SAUDI TREGOJNË SE RRJETI ENDE MBETET I FUQISHËM


WALL STREET JOURNAL

Zyrtarët amerikanë dhe sauditë kanë gjetur shenja të shumta për lidhjen e al-Kaidës me sulmet e sinkronizuara në Arabinë Saudite. Ata kanë sugjeruar se rrjeti terrorist ende është i aftë për të goditur caqe të rëndësishme, përkundër 20 muajve të luftës së Shteteve të Bashkuara për shkatërrimin e rrjetit.
Sulmuesit vetëvrasës vranë të paktën tetë amerikanë, nga gjithsejt 29 viktimat, kur u hodhën në erë në një vendbanim të perëndimorëve në Riad, duke bërë shpërthimin e njëkohshëm të tre autobombave masive.
Ky është sulmi më i rëndë ndaj një caku amerikan, pas sulmeve të 11 shtatorit, dhe ndodhi në kohën kur zyrtarët e lartë amerikanë u shprehën për arritjen e progresi të madh në luftën kundër terrorizmit, pas mundjes së regjimeve në Afganistan dhe Irak.
Sulmuesit goditën thellë në kryeqytetin e Osama bin Ladenit, ku lideri i al Kaidës një kohë të gjatë shpresonte ta destabilizojë regjimin, i cili tani përballet me ndjenja antiamerikane shkaku i Irakut. Ata i sulmuan të punësuarit e një kompanie amerikane, që merret me stërvitjen e gardës kombëatre të Saudisë, e cila e ruan familjen mbretërore. Sulmet ndodhën disa orë para arritjes së sekreterit të shtetit Colin Powell në Riad, në përpjekje për t'i qetësuar arabët e pakënaqur.
Sulmi ndodhi pas paralajmërimeve të amerikanëve për mundësinë e një sulmi të tillë, dhe pas dështimit të sauditëve javën e kaluar që gjatë bastisjes t'i kapin 19 terroristët e dyshuar, të cilët besohet të jenë të ndërlidhur me sulmuesit.
CIA beson se disa nga të arratisurit janë të ndërlidhur me al-Kaidën. Lidhjet e tilla sugjerojnë se grupi terrorist e ka ruajtur apo rivendosur sistemin për planifikimin dhe koordinimin e sulmeve të shumëfishta. Qëllimet e sulmeve sugjerojnë se grupi dëshiron ta vazhdojë agjendën e bin Ladenit për dëbimin e amerikanëve dhe lëkundjen e qeverisë saudite.
Shumica në Arabinë Saudite mendojnë se më e keqja ende nuk ka ndodhur. Sulmet ndaj perëndimorëve janë shpeshtuar kohëve të fundit.
Presidenti George Bush ka premtuar ndjekjen e përgjegjësve për sulmin. "Këto akte të neveritshme janë kryer nga vrasësit, që besim të vetëm e kanë urrejtjen. Shtetet e Bashkuara do t'i gjejnë vrasësit, dhe do t'ua tregojmë domethënien e drejtësisë amerikane", ka thënë Bush.
Sfida që Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite përballen në çrrënjosjen e grupeve terroriste është mjaft e vështirë, sepse shumë sauditë, ndërsa i kundërshtojnë sulmet terroriste, njëkohësisht e ndajnë edhe armiqësinë e sulmuesve ndaj Shteteve të Bashkuara. Një anti-amerikanizëm i tillë, edhe qeverisë saudite ia vështirëson bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për t'i shtypur liderët fetarë, të cilët e arsyetojnë vrasjen e amerikanëve.
Jo rastësisht, Bin Ladeni e ka shfrytëzuar praninë ushtarake amerikane në Arabinë Saudite si arsye kryesore për terrorin anti-amerikan.
XS
SM
MD
LG