Ndërlidhjet

(S)KA DALLIME NDËRMJET SHBA DHE UE RRETH KOSOVËS


Rrahman PAÇARIZI


Kosova, nuk do të duhej futur në kundërshtitë eventuale ndërmjet SHBA dhe BE-së, ka thënë sot kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, duke komentuar pozicionin e Kosovës pas deklaratave të koordinatorit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek se BE duhet të marrë rolin udhëheqës në misionin ndërkombëtar në Kosovë, pasi kundërshtitë ndërmjet SHBA dhe OKB po e destabilizojnë Kosovën, ndërkohë që zyra amerikane dhe zyrtarët e UNMIK-ut kanë mohuar të kenë mospajtime.
Në të vërtetë, zyrtari për informim në zyrën amerikane në Prishtinë, Michael MClellan tha se kundërshti esenciale ndërmjet SHBA dhe UNMIK-ut nuk ka:
"Në të vërtetë ne përkrahim shumë fuqishëm UNMIK-un dhe punën që ka bërë në Kosovë, ndërsa zoti Busek mendoj se e ka pasur fjalën për diskutimet lidhur me bartjen e kompetencave, për ç’gjë ne e kemi bërë shumë të qartë se presim që të gjitha kompetencat, që nuk janë kompetenca të rezervuara, të transferohen tek institucionet e Ksoovës deri në fund të këtij viti", tha zoti MClellan, për të shtuar se edhe vetë Steiner ka thënë se ky është qëndrimi i UNMIK-ut.
Edhe zëdhënësja e UNMIK-ut Izabella Karlowicz ka thënë se SHBA dhe BE kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në Kosovë, por dallime sipas saj nuk ka:
"Nuk ka dallime ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amrikës apo Kombeve të Bashkuara sa i përket përkushtimit për Kosovën dhe bashkësia ndërkombëtare flet virtualisht me një zë të vetëm në Kosovë", tha zëdhënësja Karlowicz.
Ndërkohë, duke komentuar pozicionin e qeverisë në këto diskutime, kryeministri Rexhepi tha:
"Gjeografikisht jemi Evropë dhe qëndrimi ynë është që në të ardhmen të bëhemi pjesë e BE-së. Ne nuk kishim dashur të ballafaqohemi me kundërshtimet ndërmjet SHBA dhe Evropës dhe kemi nevojë të ndihmohemi nga SHBA dhe BE, të cilat këto çështje do të duhej t’i zgjidhnin mes vete, ndërsa Kosova të thithë beneficione nga të dyja palët", tha Rexhepi.
Duke shpjeguar ndërkaq nevojën që ka Kosova për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në njërën anë dhe për Bashkimin Evropian në anën tjetër, kryeministri Rexhepi theksoi:
"Mendoj se pa rolin udhëheqës të SHBA në aspektin politik dhe të sigurisë, BE për momentin nuk ka kapacitete të nevojshme, mirëpo sa i përket aspektit ekonomik dhe integrimit, atëherë sigurisht se BE është më afër dhe ka dhënë kontribut më të madh", tha kryeministri Rexhepi.
Ndërkaq, Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, mendon se njohja e pavarësisë së Kosovës do të hapte mundësinë e rishikimit të pranisë civile ndërkombëtare dhe kjo sipas tij do të bëhej mbi disa baza:
"Mbi bazën e qenies së saj në Evropë dhe të miqësisë me dhe mirënjohjes për SHBA-së. Idetë që hidhen me ndërrimin e pranisë së OKB-së me prani të Unionit Evropian, më bëhen se janë të pakohshme, nëse presupozojnë status – quo në gjendjen në Kosovë", tha Hamiti.
Sipas zotit Hamiti, së pari duhen bartur maksimalisht kompetencat tek institucionet vendore dhe duhet siguruar qeverisje e njënjëshme dhe jo e dyfishtë. Ai thotë se në këtë plan asnjëherë nuk duhet shtruar dilema e pranisë së NATO-s në Kosovë.
Sidoqoftë, zyrtari i Zyrës amerikane, Michael MClellan ka thënë se mund të ketë dallime qëndrimesh sa i përket mënyrës dhe dinamikës së bartjes së kompetencave, për shkak të natyrës së sfidave me të cilat ndeshet Kosova, por qëllimi i SHBA dhe UNMIK-ut mbetet i njëjti:
"Vizioni ynë për Kosovën është i njëjtë dhe ekzistojnë vetëm disa mospajtime të vogla, si diskutimet e përditshme për mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën duhen kryer disa punë", tha MClellan.
Madje, shefi i Zyrës amerikane në Kosovë, Harnish në një shkrim të tij në shtypin e djeshëm prishtinas pati shkruajtur se vizioni amerikan lidhur me rolin e OKB-së në disa vende të tjera nuk do të thotë se SHBA-të kritikojnë UNMIK-un, pasi ky mision është rezultat i këmbënguljes amerikane për të siguruar nxjerrjen e rezolutës 1244 në KS të OKB-së.

XS
SM
MD
LG