Ndërlidhjet

ÇFARË KA TË MORALSHME NË MOSPËRFILLJEN QË EVROPA I BËN BALLKANIT?


WALL STREET JOURNAL

Në forumin botëror të ekonomisë në shtatorin e kaluar ish-kryeministri i Serbisë Zoran Gjinxhiç bëri thirrje për angazhimi më të madh të Evropës në Evropën Juglindore, si parakusht për ruajtjen e paqes në kontinent dhe shmangien e një debakli të ri në politikën e jashtme.
Muajin e ardhshëm liderët e Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, do të takohen për herë të dytë me liderët e Bashkimit Evropian, në samitin e Unionit në Selanik.
Vetëm para katër vitesh Ballkani sërisht u shpërbë kur u bë spastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovë, deri sa aeroplanët e NATO-s ndërhynë për ta ndalur atë. Kjo tragjedi dhe dështimi i tmerrshëm i politikës së jashtme evropiane për parandalimin e saj, më nuk guxon të ndodhë. Këtë herë evropianët duhet të jenë në nivel të detyrës. Këtë herë ata duhet të sigurohen se politikat e tyre aktive do ta promovojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Por fatkeqësisht, politikat aktuale të Evropës në mënyrë indirekte i kontribuojnë jostabilitetit kronik të rajonit. Momentalisht, kur në vendet ballkanike për herë të parë janë në pushtet qeveri të zgjedhura demokratike, ndihma evropiane pritet të kufizohet shumë. Në vitet 2004-2006 programet e Bashkimit Evropian për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor do të zvogëlohen për 40 %.
Ç'është më e keqja, Bashkimi Evropian me kokëfortësi refuzon ta bëjë atë që liderët e Ballkanit më së shumti e kërkojnë: anëtarësimin në Unionin. Arsyetimet janë se këto vende duhet t'i përmbushin disa kritere të ashpra për anëtarësim. Kjo mos-gatishmëri, që Unionit asgjë nuk i kushton, i ka lënë politikanët reformatorë të Ballkanit në pozitë shumë të vështirë.
Fati i Gjinxhiçit e tregoi thellësinë e vërtetë të problemit. Ai e pagoi çmimin më të lartë sepse u përpoq të vendosë shtetin ligjor në vendin ku mungesa e ligjit ka lëshuar rrënjë të thella.
Këtë herë Bashkimi Evropian duhet të veprojë drejt. Lufta në Irak tregoi se e ashtuquajtura politikë e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, është në halle të mëdha. Nëse Ballkani edhe njëherë lejohet të shpërthejë, atëherë kjo politikë mund të bëhet një karikaturë e asaj që është sot. Si mund të presë Evropa të trajtohet si lojtar global, nëse nuk ka krijuar strategji serioze për adresimin e dilemave të mëdha politike në fqinjësinë e vet? Si mund të pretendojë për moral në politikën e jashtme të saj, nëse nuk mundet të menaxhojë si duhet tranzicionin drejt demokracisë në Ballkan?
Në kulmin e konflikteve në Ballkan, çdo njeri deshte të jetë pjesë e aksionit. Por prej arritjes së marrëveshjes së brishtë, problemet e rajonit ranë në rend të dytë në arenën ndërkombëtare. Ajo që nevojitet është angazhimi, udhëheqja, vizioni dhe përkushtimi.
Lufta në Jugosllavi dhe përpjekjet e mëvonshme për ndërtimin e paqes në Kosovë, i kushtuan komunitetit ndërkombëtar miliarda euro, aq shumë sa nuk mund të përcaktohet edhe shifra e saktë. Por sot kërcënimi është i ndryshëm. Evropa nuk do të mund ta përballojë çmimin tepër të lartë politik dhe ekonomik, për mosangazhimin e saj në Ballkan. Problemet e rajonit nuk do të zhduken në të ardhmen e afërt. Ato tani duhet përballur, nëse Evropa do që të luajë një rol të vlefshëm në skenën globale.
XS
SM
MD
LG