Ndërlidhjet

logo-print

D. SERWER:"BISEDIMET PËR STATUSIN PËRFUNDIMTAR TË KOSOVËS MË 2005"


Daniel SERWER, drejtor i Iniciativës për Ballkanin në Institutin e SHBA për Paqe



EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, kreu i paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, ka thënë se Kosova duhet të kalojë nën përgjegjësinë e Bashkimit Evropian. Në përgjigjje kryeministri i Kosovës, Bajram rexhepi ka thënë se në çështjet politike dhe të sigurisë Shtetet e Bashkuara kanë rolin prijës në Kosovë, ndërsa BE-ja në ato ekonomike. Cili është komenti juaj?

DANIEL SERWER
Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të punojnë së bashku në Kosovë. Ndërsa kur diskutohet cështja e statusit përfundimtar, e cila është vecanërisht e rëndësishme, nuk mund të ketë zgjidhje të kësaj cështje pa pjesëmarrjen e SHBA-ve dhe BE-së së bashku.

EVROPA E LIRË
Si e shihni procesin e transferimit të kompetencave nga UNMIK-u tek vendorët dhe si i vlerësoni mosmarrëveshjet mes dy palëve?

DANIEL SERWER
Unë i gjykoj mosmarrëveshjet deri në njëfarë shkalle si normale, duke pasur parasysh se është një proces i vështirë dhe i komplikuar. Por mbi të gjitha më duket se ky proces është procesi i duhur, që kërkohet edhe nga Rezoluta 1244 dhe është korrekte që OKB-ja të zbatojë këtë proces. Nga ana tjetër shqiptarët mund të jenë disi të paduruar në procesin në fjalë, por mendoj se kjo vetëm do ta përshpejtojë procesin. Nga ana tjetër ashqiptarët duhet të jenë të gatshëm për gjithë përgjegjësitë që duhet të marrin.

EVROPA E LIRË
Cila është strategjia aktuale serbe për Kosovën dhe a ka rreziqe reale për ndarjen e Kosovës?

DANIEL SERWER
Nga këndvështrimi im duket se qasja serbe ndaj Kosovës, është hëpërhë ajo e ndarjes nëse jo ajo e copëtimit. Është në njëfarë mënyre një variant i zbutur i copëtimit. Kjo është thënë thuajse qartë nga një numër njerëzish në Beograd. Njëherish edhe veprimet në terren janë të tilla, që shkojnë në këtë drejtim.
Në fakt, Beogradi mund të marrë cfarëdo qëndrimi që të dojë ndaj Kosovës, por deri në atë shkallë sa nuk cenon tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Maqedonisë, Bosnjës, apo të ndonjë vendi tjetër.
Por, gjithashtu kjo nuk do të thotë se Beogradi do të marrë cfarë dëshiron. Gjatë bisedimeve të mundshme, të gjitha këto janë gjëra që do të shqyrtohen mes Beogradit dhe Prishtinës.

EVROPA E LIRË
Zëvendëskryeministri serb, Nebojsha Coviq, ka deklaruar këto ditë, se nëse Kosova do shpallet e pavarur atëherë duhet të bisedojmë dhe për Bosnjën dhe Maqedoninë. Sipas jush a ka lidhje mes Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnjës?

DANIEL SERWER
Nuk ka lidhje ndërmjet tyre dhe mendoj se çdokush që kërkon kompensime në Bosnjë apo në Maqedni, për ato që humb në bisedime, brenda asaj që sot është Serbi dhe Mal i Zi, po bën një gabim të madh.
Bashkësia ndërkombëtare thjesht nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë dhe të dyja si Prishtina dhe Beogradi duhet të heqin dorë nga këto ide.

EVROPA E LIRË
Zoti Server, sipas jush kur do të jenë të gatshme administrata amerikane dhe BE-ja për t'u përfshirë në diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe kur mund të fillojnë këto bisedime?

DANIEL SERWER
Nuk e di se kur administrata do të jetë e gatshme për bisedime. Por nëse do të më pyesni se cfarë do të pëlqeja unë, atëherë them se gjatë një viti, një viti e gjysmë të ardhshëm, duhet të jetë faza përgatitore për bisedime të tilla. Mendoj se ka ende shumë përgatitje për të bërë, si në Prishtinë ashtu dhe në Beograd.
Bëhet fjalë për parapërgatitje nga ana politike, të cilat janë vecanërisht të domosdoshme në Prishtinë, ku partitë politike janë tepër të ndara.
Kur flas për parapërgatitje kam parasysh që palët duhet të vijnë në tryezën e bisedimeve me duar të pastra. Nëse do të vijnë në tryezën e bisedimeve për statusin përfundimtar, serbët duhet ta bëjnë të qartë se do të jenë të gatshëm të marrin pjesë në parlamentin dhe institucionet e Kosovës. Nga ana tjetër, shqiptarët duhet të vijnë në tryezën e bisedimeve duke e bërë të qartë, se serbët dhe pakicat e tjera trajtohen mirë, cfarë nuk është gjendja sot.
Prandaj, mendoj se ka shumë përgatitje për të bërë dhe për një vit, një vit e gjysmë, duhet punuar në këtë drejtim.
Nëqoftëse do të shprehja mendimin tim, besoj se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, duhen hapur më 2005.

Intervistoi: Iliriana BAJO
XS
SM
MD
LG