Ndërlidhjet

ISLAMI:"KOSOVA DO TË JETË NË SAMITIN E SELANIKUT"


Nehat ISLAMI, analist kosovar


Evropa e Lirë
Zoti Islami. Si e vlerësoni vendimin e shefit të UNMIK-ut, për të suspenduar pjesmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve kosovare në tri takime të ardhshme ndërkombëtare?

Nehat ISLAMI
Së pari mendoj se zoti Shtajner është ngutur që t’i shpall të gjitha dënimet përnjëherë. Por gjithashtu mendoj se këto janë ndëshkime kalimtare dhe për një kohë shumë të shkurtër do të hiqen vrragët e kësaj pune. Nga ana tjetër, mendoj se Kuvendi i Kosovës e ka bërë një akt shumë të mirë, sepse ai faktikisht, në mënyrë shumë të civilizuar i ka njohur vlerat e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Këtu nuk ka asgjë të keqe dhe këtë e thotë edhe zoti Shtajner. Por, natyrisht tani ai i shikon konjukturat ndërkombëtare, pastaj se çka do të thotë Serbia, e Serbia siç dihet kurrë nuk është e kënaqur me hapat të cilët bëhen në Kosovë. Serbia llogaritë se një ditë do ta sundoj Kosovën dhe se çdo hap që shkon drejt emancipimit dhe pavarsisë së Kosovës për të është i papranueshëm, prandaj. Ne do të hasim edhe në të ardhmen në mjaftë mospajtime nga Serbia dhe nga deputetët e koalicionit serb "Kthimi" në Kosovë.

Evropa e Lirë
Sipas mendimit tuaj, sa konsideroni se do të zgjasin këto masa ndëshkuese të zotit Shtajner, kur dihet se në Kosovë po pritet me interesim të shtuar sidomos samiti i Selanikut?

Nehat ISLAMI
Tani Kosova është në vorbullën e një koalicioni gjithëbotëror kundër të keqes dhe kundër terrorizmit. Prandaj Kosova këtu nuk ka bërë kurrëfarë shkeljeje por se ajo ka dënuar një regjim terrorist i cili ka terrorizuar një popull njëzet vjet rresht, po flas për kohën e fundit. Prandaj, unë mendoj se ky vendim do të mbes në analet e Kuvendit të Kosovës dhe në mendjen dhe shpirtarat e kosovarëve si një vendim që në kohën e tashme ka dhënë vlerësimin për një kohë të vuajtjeve dhe i ka njohur meritat e aleatëve tanë që na ndihmuan ta shporrim regjimin terrorist serb. Prandaj në tërë këto rrethana, unë mendoj se këto denime duhet të hiqen dhe do të hiqen dhe se Kosova do të jetë prezente në tubime të rëndësishme Evropiane dhe gjithbotërore ku do të vendoset për fatin e Kosovës ose ku do të flitet për fatin e Kosovës. Mendoj gjithashtu se përfaqësuesit e Kosovës do të jenë në Selanik.

Evropa e Lirë
Një prej arsyeve pse zoti Shtajner mori këtë vendim, u tha se është vet përmbajtja e rezolutës, e cila sipas tij ka qenë përqarëse dhe ofenduese për pakicën serbe?

Nehat ISLAMI
Unë mendoj se kjo nuk është ofenduese për pakicën serbe sepse me këtë rezolutë dënohen krimet e kriminelëve të regjimit të Milosheviqit dhe jo të popullit serb. Nëse serbët e identifikojnë vetën me atë kohë dhe me atë lidership ai është problem i tyre.

Evropa e Lirë
Përfaqësuesit e zyrave të vendeve perëndimore në Prishtinë, përveç përkrahjes që i kanë dhenë zotit Shtajner, në rezolutën e Kuvendin kanë parë si element pozitiv harmonizimin e tekstit të kësaj rezolute në ato pjesë ku flitet për rezistencën gjatë viteve të 90-ta. Andaj si ju e shihni këtë pajtim, kushtimisht thënë, të subjekteve të popullatës shumicë rreth zhvillimeve në Kosovë gjatë dekadës së fundit?

Nehat ISLAMI
Unë mendoj se ka ardhur vërtetë kohë e fundit që lidershipi ynë, që të gjitha partitë politike ta shohin se ne kur na ka mbytur, debuar e masakruar regjimi serb, nuk na ka masakruar as si përfaqësues të asaj a kësaj partie, por pse jemi shqiptar. Të gjitha partitë politike, të gjitha grupacionet në Kosovë e kanë një qëllim, e kanë pavarësinë e mendoj se ky është ai strumbullar që na bashkon të gjithëve. Ndërsa këto divergjencat e natyrave të ndryshme ka ardhë koha t’i zgjidhim mes vete sepse bota nuk do të na pret që ne të kacafytemi për gjëra të dorës së dytë.
Intervistoi: Zijadin GASHI

XS
SM
MD
LG