Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA


Këshilli i Sigurimit i miratoi sot rezolutën e cila heq sanksionet jo ushtarake 13 vjeçe kundër Irakut dhe autorizon koalicionin e prirë nga Shtetet e Bashkuara që të administrojnë Irakun e pas luftës.
''Projekt rezoluta fitoi 14 vota pro, asnjë kundër dhe pa abstenim'', kumtoi presidenti aktual i Këshillit, ambasadori i Pakistanit, Munir Akran, duke thënë se një vend anëtar, Siria nuk mori pjesë në mbledhje dhe nuk votoi.
Rezoluta hap rrugën për autoritetet okupuese Amerikane dhe Britanike që të eksportojnë naftën irakiane dhe i obligon ata që të shfrytëzojnë të ardhurat për rindërtimin e Irakut dhe për nevoja të tjera të atij populli.
Të ardhurat do të shkojnë në një fond të sapoformuar zhvillimor për Irakun, i cili do të mbikëqyret nga një këshill ndërkombëtar.
Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Negroponte tha se ishte koha që populli irakian të përfitojë nga resurset e veta.
''Heqja e sanksioneve shënon një ngjarje të madhe për popullin irakian. Kjo është pikë-kthesë për të shënuar në histori që do të ndriçojë ardhmërinë e popullit dhe rajonit'', komentoi ambasadori amerikan.
Franca, Rusia dhe Gjermania-oponentët kryesorë të luftës në Irak-janë shprehur të kënaqur me rolin që rezoluta i jep përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara gjatë formimit të një qeverie irakiane.
''Në këte rezolutë ne i lamë prapa nesh ndasitë e së kaluarës për të mirën e popullit irakian'', ka thënë ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara, Gunter Pleuger.
Ata kanë përmendur edhe referencën e rezolutës për një vendim të ardhëshëm për rolin e inspektorëve të armatimit të Kombeve të Bashkuara, të cilët akoma nuk janë lejuar të kthehen prap në Irak që të konfirmojnë çarmatosjen e atij vendi.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, ka thënë se Rezoluta e miratuar i jep bashkësisë ndërkombëtare ''bazën legale për aktivitetet e saja në Irak'' dhe ka vënë në dukje zgjidhjen kompromiste.
''Kjo rezolutë është produkt i një kompromisi, kurse në kompromis askush nuk merrë ate që dëshironë,e ne kemi një zgjidhje kompromisi dhe duhet të punojmë me këte'', ka komentuar sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit do të vlerësojë rezolutën brenda 12 muajve.
XS
SM
MD
LG