Ndërlidhjet

logo-print

NJË RAST I VOLITSHËM PËR BALLKANIN


FINANCIAL TIMES

Në mesin e kundërthënieve rreth Irakut, problemet e Ballkanit pothuajse janë harruar. Megjithate Ballkani është pjesë vitale e Evropës.
Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëllimin për largimin e tyre nga ndërhyrja në rajon, kështu që Bashkimi Evropian duhet ta marrë drejtimin. Në të kaluarën, unioni u është përgjigjur zhvillimeve negative, kurse tani duhet ta artikullojë vizionin pozitiv.
Luftimet në Ballkan janë qetësuar, por paqeja ende është larg. Çështja e Kosovës mbetet e pazgjidhur, unioni ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi nuk është shumë i fortë, marrëveshja e Ohrit ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve u është nënshtruar goditjeve nga politikanët e mundur, të cilët tani përpiqen ta përçajnë vendin, ndërsa marrëveshja e Dejtonit, që u dha fund luftimeve në Bosnje është shumë e ndërlikuar.
Samiti i Bashkimit Evropian më 21 qershor në Selanik, ofron mundësi ideale për të skalitur një agjendë kuptim-plote për Ballkanin. Dy kryesueset e fundit të unionit, Italia dhe Greqia, kanë interesa kritike në rajon. Pas kësaj, Bashkimi Evropian do të jetë i zënë me problemet e veta kushtetuese dhe hyrjen e 10 anëtarëve të rinj, kështu që nuk do të ketë shumë kohë të merret me Ballkanin.
Deri tani, Bashkimi Evropian është përpjekur ta shtyjë problemin e Kosovës duke e ruajtur statusquo-në ekzistuese. Prandaj edhe u imponua unioni i ri ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Politikat e tilla e kanë frenuar rimëkëmbjen. Tani Bashkimi Evropian duhet të thotë se në ç'mënyrë do t'i zgjidhë çështjet e vonuara dhe do t'i heqë pengesat e zhvllimeve demokratike.
Unioni duhet ta vërtetojë pavarësinë e mundshme për Kosovën, të kushtëzuar me mbrojtjen e pakicave serbe dhe pakicave të tjera. Kombet e Bashkuara duhet t'i bartin kompetencat tek kosovarët, me një synim të qartë, që Kosova të përgatitet për pavarësinë. Unioni ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi duhet të mbetet, por Bashkimi Evropian nuk duhet ta kundërshtojë shpërbërjen e tij pas tre vitesh. Bosnjë-Hercegovina duhet inkurajuar të rishikojë marrëveshjen e Dejtonit, e cila krijoi një shtet tepër të shtrenjtë dhe jo efektiv.
Pas këtyre modifikimeve, Konferenca e Bashkimit Evropian duhet të riafirmojë tërësinë territoriale të të gjitha njësive politike të Evropës jug-lindore, brenda kufijve ekzistues. Kjo do të ndihmonte të hiqet frika e Maqedonisë, se pavarësia e Kosovës nënkupton copëtimin e mëtejmë të shteteve ballkanike.
Bashkimi Evropian pastaj duhet t'i rishqyrtojë instrumentat kryesorë politikë të saj. Marrëveshjet e stabilizimit me çdo vend në veçanti, do të ndihmonin në integrimin e tyre në unionin. Një parashikim optimist për anëtarësimin e Kroacisë do të ishte viti 2007, për Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë viti 2010, ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën ndoshta viti 2015.
Pasiguria rreth fondeve financiare në të ardhmen, mund të kërcënohet me krizë serioze ekonomike në Bosnje dhe Kosovë, prandaj Unioni duhet të ofrojë formë të re të ndihmave, që kryesisht duhen drejtuar në Ballkanin perëndimor.
Bashkimi Evropian duhet të tregojë se mund t'i shtyjë përpara zhvillimet demokratike në Evropën juglindore. Kjo do të ishte alternativa kundruall ndërtimit të demokracisë përmes forcës ushtarake.


Autori i shkrimit është filantropi dhe financieri George Soros.
XS
SM
MD
LG