Ndërlidhjet

B. HIÇNER:"STATUSI BASHKË ME STANDARDET"


Brus HIÇNER, ekspert për Ballkanin nga Universiteti Prinston (SHBA)


EVROPA E LIRË
Ditë më parë, institucionet kosovare u përjashtuan nga disa takime ndërkombëtare, për shkak të rezolutës për vlerat e luftës miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Si e shihni të ardhmen midis UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës?

B. HIÇNER
Mendoj se marrëdhëniet do të përmirësohen pavaresisht zhvillimit të fundit rreth rezolutës miratuar në parlament. Mendoj se marrëdhëniet mes UNMIK-ut dhe institucioneve kosovare janë përmirësuar dhe thënë përgjithësisht përpjekjet e zoti Shtajner që t'i përfshijë apo të ecë përpara me më shumë kompetenca për institucionet vendore, ishte një ushtrim i mbarë, gjë qe ne e kemi sugjeruar. Kisha përshtypjen se marrëdhëniet mes UNMIK-ut dhe institucioneve kosovare po përmirësohen. Fatkeqësisht rrethanat e këqija që mbretëruan rreth rezolutës, e hoqën nga binarët kete levizje. Kjo është për t'u brengosur. Rezoluta në një farë mënyre nuk ishte e dobishme në këtë kohë. Në njëfarë mënyre parlamenti duhet më parë te qeverise se sa domosdo dhe gjithnje të shpreh vullnetin e popullit. Por, unë do të thoja se ajo nuk ishte pretekst per këtë përgjigje që pasoi nga UNMIK-u. Unë shpresoj se liderët, kryeministri dhe anëtarët e tjerë të institucioneve të përkohshme të Kosovës do të ftohen të marrin pjesë në takimet, ashtu siç u prit të marrin pjesë në Maqedoni dhe në takimet tjera.

EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës kërkon nga UNMIK-u dorëzimin e më shumë kompetencave, ndërsa shtypi i Prishtinës parashikon se mund të ketë klimë më të ashpër midis tyre. Kur duhet të përfundojë bartja e kompetencave?

B. HIÇNER
Ne besojmë se gati të gjitha kompetencat duhet të barten nga fundi i vitit. Mendoj se kryeministri Rexhepi dhe disa të tjerë e kanë bërë të qartë se ndoshta do të ketë disa përgjegjësi të fundit, si siguria, që do të barten më vonë, por është e qartë, se qëllimi mbetet që nëse bartja nuk përmbushet deri në fund te vitit, ajo do të ndodh sigurisht në fillim të vitit 2004. Nuk shoh arsye që ky proces të vonohet. Qeveria e përkohshme ka treguar se ka gatishmëri dhe dëshirë të marrë mbi vete këto përgjegjësi. Mua më duket se keto shenja perparimi janë të mjaftueshme, andaj nuk duhet kërkuar më shumë në këtë fazë. Unë ende mbaj qëndrimin për "standardet bashke me statusin", e jo për "standardet para statusit". Sipas kësaj do të duhej të drejtoheshin të gjitha aktivitetet. Sipas pikëpamjeve të mija, dhe mendoj se edhe të tjerët e kanë shfaqur pikërisht këtë, nocioni se procesi i standardeve do të arrihet absolutisht dhe sigurisht në tërësi nga fundi i vitit të kaluar apo i vitit tjetër është i papranueshëm. Sipas mendimit tim procesi i standardeve duhet të zhvillohet pas përcaktimit të statusit. Mendoj, Bosnja paraqet shembull të qartë se si standardet nuk u përmbushën, derisa ajo nuk u bë e pavarur. Realiteti është se ky proces zhvillohet edhe më.

EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut, Mihael Shtainer, është takuar me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel, qe e mbeshtesin në rrugën "standardet para statusit". Kur mund të fillojnë dhe të përfundojnë negociatat për përcaktimin e statusit përfundimtar?

B. HIÇNER
Sipas meje, ka dy aspekte te kesaj çështje. Sa më shumë kompetenca që qeveria e Kosovës merr, aq më shumë gjasa ka që negociatat të mbahen shpejt dhe me efikasitet. Do të doja që negociatat të fillojnë vitin e ardhshëm, sepse deri në këtë kohë të gjitha palët do të jenë në gjendje të negociojnë me efikasitet drejt një vendimi për statusin përfundimtar të vendit. Viti 2004 duhet të jetë pika nga ku këto negociata duhet të fillojnë. Po u zgjat kjo, mendoj se situata do të kthehej në jostabilitet potencial ekonomik dhe social. Vendosja për statusin e Kosovës nuk mund të shtyhet në pafundësi.

EVROPA E LIRË
Kryeministri serb javën që shkoi tha se nëse Kosova do të bëhet e pavarur, Serbia do të kërkojë ndryshimin e kufirit në pjesën lindore të Bosnjës. Çka do të thotë kjo për ju?

B. HIÇNER
Ai thotë se nuk është cituar drejtë. Sidoçofte, mendoj se referimi i vazhdueshëm te Republika e Serbëve të Bosnjës që të jetë në tryezën e bisedimeve kur bisedohet për statusin e Kosovës është joadekuat. Republika e Serbëve të Bosnjës, si zonë, territor, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Republikes se Serbisë. Fatkeqësisht, ajo u krijua me pastrimin etnik dhe mendoj se zoti Tihic në Bosnjë e ka bërë në mënyrë adekuate të qartë se Republika e Serbëve të Bosnjës tani gjithnjë e më shumë po bëhet entitet multietnik dhe cfarëdo diskutimi për ndarjen e saj nga Bosnja, do të hidhte në ujë gjithë punën e bërë nga bashkësia ndërkombëtare në këtë rajon dhe do ta minonte Marrëveshjen e Dejtonit. Secili do të pajtohet se kjo krijon jostabilitet të madh. Zoti Zhivkoviq është i njohtur me vështirësitë e kësaj natyre dhe si një tërheqje nga ky pozicion, ishte deklarata e tij me të cilën tha se synon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe se ky eshte qëllimi i vërtetë i politikës në Beograd.
Intervistoi: Lulzim MJEKU

XS
SM
MD
LG